Ballina Kronika Pikëllim në Llërcë të Tetovës dhe në mërgatën shqiptare në Berlin: Ndërron...

Pikëllim në Llërcë të Tetovës dhe në mërgatën shqiptare në Berlin: Ndërron jetë në moshën 56-vjeçare Qenan Rexhepi

Ndërron jetë në Berlin Qenan Rexhepi nga fshati Llërcë, varrimi do të bëhet në vendlindje

Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të Qenan Rexhepit, 56-vjeçarit me prejardhje nga fshati Llërcë i Tetovës, i cili prej vitesh jetonte në Berlin të Gjermanisë.

Sipas informacioneve të siguruara nga familjarët, Qenan Rexhepi dyshohet se ka ndërruar jetë në gjumë. Autoritetet gjermane kanë nisur procedurat përkatëse dhe po kryejnë autopsinë, e cila pritet të përcaktojë zyrtarisht shkakun e vdekjes.

Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur familjen, të afërmit, miqtë, bashkëvendësit dhe pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Berlin, ku ai njihej si një njeri i qetë, besimtar i rregullt dhe kontribuues i çmuar i Xhamisë Shqiptare “Jakup Asipi”.

Qenan Rexhepi kishte lindur më 25 korrik 1970 në fshatin Llërcë të Tetovës. Pas vetes ka lënë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.

Publicitet

Mësohet se pikërisht gjatë këtyre ditëve ai kishte planifikuar të udhëtonte drejt vendlindjes për të qëndruar pranë familjarëve dhe të afërmve. Fatkeqësisht, udhëtimi i tij drejt vendlindjes nuk u realizua.

Pas përfundimit të autopsisë dhe të procedurave të nevojshme në Gjermani, trupi i të ndjerit do të transportohet në fshatin Llërcë, ku do të bëhet edhe ceremonia e varrimit.

Për datën dhe orën e varrimit pritet që familja të publikojë një njoftim të posaçëm pas përfundimit të procedurave për kthimin e trupit në vendlindje.

Xhamia Shqiptare “Jakup Asipi” në Berlin dhe hoxhë Burim Jashari kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen Rexhepi. Në mesazhet e publikuara, Qenan Rexhepi përshkruhet si njeri i qetë, i përkushtuar ndaj fesë, i rregullt në faljen e namazit dhe i dashur nga të gjithë ata që e njihnin.

Sipas njoftimit, sjellja e mirë, përkushtimi ndaj fesë dhe respekti që ai tregonte ndaj të gjithëve do të mbeten kujtim i paharruar për familjen, miqtë dhe xhematin.

Familjes Rexhepi, fëmijëve, të afërmve dhe miqve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

Njoftimi i plotë i Xhamisë Shqiptare “Jakup Asipi” në Berlin

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të xhematliut, vëllait tonë, Qenan Rexhepi nga fshati Llërcë, Tetovë.

I ndjeri ishte një njeri i qetë, besimtar i rregullt në namaz, kontribuues i çmuar i xhamisë sonë dhe i dashur për të gjithë ata që e njohën. Sjellja e tij e mirë, përkushtimi ndaj fesë dhe respekti që tregonte ndaj të gjithëve do të mbeten kujtim i paharruar.

Lusim Allahun e Madhëruar ta mëshirojë, t’ia falë mëkatet, t’ia ndriçojë varrin dhe ta vendosë në Xhenetin Firdeus. Allahu i dhëntë sabër dhe ngushëllim familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e deshën.

Me të vërtetë, ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun.

Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me të mirat e Tij.”