Në mënyrë paradoksale, megjithëse ka shumë gjëra që na afrojnë me Turqinë, marrëdhëniet me këtë shtet i kemi të ndërlikuara për shumë vite të pasluftës, ndërsa në kohë të fundit ato u tensionuan aq shumë, sa do të duhet kohë që gjakrat të ftohen dhe dy palët – ata që e idealizojnë Turqinë dhe të tjerët, të cilët s’do të donin të kemi asnjë punë me të – të rikthejnë perceptimin realist për të. Pse po ndodh kështu?
Nga Dush Gashi
Kosovarët, dhe shqiptarët në përgjithësi, kanë shumë arsye të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë. Me Turqinë kemi histori të gjatë të përbashkët – çfarëdo të ketë qenë ajo; Turqia është shtet me më së shumti shqiptarë apo popullatë me prejardhje shqiptare në botë; me Turqinë kemi interes të kemi lidhje kulturore jo vetëm për shkak të pakicës sonë turke, si dhe marrëdhënie të shëndosha ekonomike; dhe, në fund, të themi edhe se besimtarët myslimanë kanë një arsye më shumë – fenë e përbashkët dhe lidhjet të cilat i kanë me të imamët e shkolluar atje. Po ashtu, është e ditur botërisht se Turqia na ka ndihmuar për t’u çliruar nga Serbia në luftën e fundit dhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë të ri.
Por, në mënyrë paradoksale, me gjithë këto gjëra që na afrojnë me këtë vend, marrëdhëniet me të në kohë të fundit u tensionuan aq shumë, sa do të duhet kohë që gjakrat të ftohen dhe që dy palët – ata që e idealizojnë Turqinë dhe të tjerët, të cilët s’do të donin të kemi asnjë punë me të – të rikthejnë perceptimin realist për të.
Fatkeqësisht, pas skandalit me gjashtë shtetasit turq, të cilët u dorëzuan me kërkesë të regjimit turk pa respektuar kurrfarë procedure juridike të Kosovës, pas shitjes në dëm tonin të shumë objekteve të infrastrukturës e të industrisë Turqisë, doli në shesh e dhëna tepër dëshpëruese – se deri në ç’shkallë kanë rënë në vasalitet ndaj regjimit turk krerët e këtij shteti, gjë që me arsye shkaktoi indinjatë e zemërim të thellë ndër qytetarët.
Historia si pengesë?
Nga ana tjetër, tash e një kohë të gjatë, ndonjë hoxhë (e imamët nuk janë të vetëm në këtë mision) me shumë ndjekës, tepër shumë, në rrjetet shoqërore – bashkë me ca që ia mbajnë ison, duke ia sforcuar idetë apo duke i thënë ato që ai ka lënë mangët – i paraqesin në mënyrë të idealizuar marrëdhëniet historike të shqiptarëve me Perandorinë Otomane dhe me Turqinë moderne. Sigurisht. Skënderbeun, heroin tonë kombëtar, me dëshirë do ta fshinin nga historia, por meqë këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë figurën dhe bëmat e tij i interpretojnë sipas nevojave të tyre të tashme politike, e jo siç bëjnë historianët modernë – sipas kontekstin politik të kohës së tij, rrethanave të atëhershme dhe nevojave të asaj kohe. Besimi i tij i krishterë mbase edhe nuk do të ishte aq problematik për ta, sa fakti të cilin nuk duan ta pranojnë kurrsesi – se ka luftuar kundër osmanëve.
Po pse u dashka ndryshuar historinë për të pasur marrëdhënie të mira me Turqinë? Sipas kësaj logjike, për shembull, Britania e Madhe edhe sot do të duhej të ishte në armiqësi me ShBA-në, duke mos ia harruar asaj luftën për pavarësi; apo Franca do të mund ta mund ta sulmonte sot Romën për hakmarrje, pasi Cezari në kohën e tij është lëvduar se i ka vrarë një milion galë? E po, ja që s’ndodh kështu dhe s’do të duhej të na ndodhte as neve me Turqinë.
Nga pala turke përmenden karrierat e shqiptarëve në kohën e Perandorisë Osmane, në nivele ushtarake e civile, madje edhe ngritjen e prijësve tanë për pavarësi, thua se kjo nuk ka ndodhur me të gjitha kombet tjera gjatë kohës sa kanë qenë në përbërje të perandorive të ndryshme. Apo se i kanë mbrojtur shqiptarët nga sulmet e fqinjëve grabitës, thua se këtë nuk e kanë bërë të gjitha perandoritë e botës – i kanë mbrojtur pjesët e tyre dhe kombet të cilat kanë jetuar në to gjithnjë deri sa kanë qenë në përbërje të tyre, madje edhe i kanë arsimuar e zhvilluar sipas standardeve të tyre, politikave dhe nevojave të tyre.
E qartë – mund të jesh mik me Turqinë edhe me Skënderbeun, mund të jesh mik me Turqinë edhe nëse dikur të parët tanë kanë bërë luftë mes vete, por jo edhe turk, apo turkofil. Synimi i ndryshimit të historisë, pra, ka një qëllim – t’i bëjnë ndjekësit e tyre të mendojnë se ne i përkasim Turqisë, apo në përgjithësi Lindjes!
Duke e ditur se megjithatë janë duke bërë punë të turbullta, apo se njerëzit nuk do t’i pranojnë lehtë synimet e tyre, përdorin rrugë të tërthortë, indoktrinuese. Ironizojnë me Perëndimin, kritikuesit i etiketojnë si «komunistë jugosllavë» apo «të xhaxhit» (Enver Hoxhës), luftën e Sirisë dhe konfliktet tjera të lindjes i paraqesin si lufta të krishterimit, çifutëve apo të Perëndimit kundër islamit. Përhapin teori konspiracioni, duke e paraqitur rregullisht Vatikanin si të errët e misterioz dhe si institucion i cili vetëm thur komplote, duke harruar se Papa i tashëm – sikurse besoj edhe shumë dijetarë të islamit – sigurisht është njëri ndër personalitetet më të arsyeshme në botë. Në të vërtetë, po të ishin besimtarë të sinqertë, ata tek Vatikani do të gjenin aleat në konservatorizmin e natyrshëm të tyre në ruajtjen e disa vlerave morale sipas kutit të tyre dhe kjo është ndër dëshmitë më të forta se ata më së paku e kanë hallin te vlerat morale e te besimi i vërtetë.
Një tezë perfide turkofile
E madhërojnë Turqinë e sidomos presidentin turk Rexhep Taip Erdoan, të cilin e paraqesin si mbrojtës të islamit, thua se nuk e dinë se sot ndoshta edhe më lirshëm se në Iran apo në Arabinë Saudite mund të praktikosh islamin në Suedi e Norvegji dhe se Europa e Perëndimi garantojnë liritë fetare. Erdoanin e paraqesin edhe si njeri të drejtë dhe që angazhohet për drejtësi në botë, duke manipuluar kështu me të rinjtë me arsimim më të paktë e me prirje për t’u dogmatizuar apo të dogmatizuar tashmë, të cilët, në këto kohë pasigurie e varfërie, kërkojnë mbështetje në diçka që është padyshim e vërtetë dhe ëndërrojnë për një botë ideale, shembullin e të cilës askush nuk e di.
Teza më perfide turkofile, ndërkaq, është ajo se turqit i kanë shpëtuar shqiptarët nga sllavizimi. Ai që e ka shpikur i pari, duhet të ketë qenë tepër dinak, sepse rrethanat historike sa shqiptarëve u rrezikohej serbizimi kanë qenë të vërtetë, ndërsa nga armiqësia e mprehtë me serbët në tash më shumë se njëqind vitet e fundit zgjon emocione të forta dhe e bën të vështirë për ta kundërshtuar me diçka që do të duket e vërtetë dhe e dobishme. Po e citoj ashtu siç e ka thënë një intelektual i yni, e i cili, meqë ra fjala, bëhet herë turkofil e islamist, herë patriot – qysh ta ketë nevojën. Ja si e thotë ai: «Perandoria Osmane, kur erdhi në Ballkan shqiptarët i gjeti para zhbërjes etnike dhe gjuhësore nga regjimi serb… Dhe, me rënien e shtetit serb popullsia shqiptare konsolidohet deri ne atë masë, sa që në fund të Perandorisë Osmane popullsia shqiptare ka banuar deri në paralagjet e Beogradit…».
E merrni me mend pra, duke iu falënderuar Perandorisë Otomane, shqiptarët kanë arritur edhe përtej asaj Mollës së Kuqe mitike! Porosia është më se e qartë: me turqit bëhemi prapë të fortë dhe zgjerohemi në Ballkan! Thua se planet e Perandorisë Osmane kanë qenë që t’i shpëtojë shqiptarët nga serbizimi! Qysh kur e ka pushtuar Konstantinopojën, në fakt Romën e Dytë, sulltanët turq nuk kanë pasur gjë tjetër në mendje, pos si t’i shpëtojnë shqiptarët nga serbizimi dhe, normal, t’i kthejnë në fenë e vërtetë – në islam! Po mahiteni, apo e keni për njëmend? Nëse ka qëlluar vërtet që shqiptarët të kenë shpëtuar si komb, atëherë këtë duhet konsideruar si rrethanë fatlume historike, por jo borxh ndaj Turqisë! Pse atëherë Turqia e ka sulmuar edhe Vjenën? Mos kanë dashur t’i shpëtojnë edhe austriakët nga serbizimi?
Tash është e qartë, tërë këto bëhen me synime të qarta të caktuara. Edhe nga qarqe të ndryshme europiane së fundi thuhet zëshëm se Turqia, si edhe Rusia kanë interes gjeopolitik për këtë regjion. Po në këtë portal, ish-shefi i Zyrës gjermane në Kosovë, Michael Schmunk, e ka thënë para ca kohe se Turqia, Rusia, por edhe disa vende të Lindjes së Afërme, interesat e tyre përpiqen t’i arrijnë duke i minuar vlerat europianë. Rusët e kanë thënë hapur në Beograd e sigurisht mbajnë shpresë në «skenarin ukrainas», që do të thotë se, kur të bëhen mjaftueshëm në numër, nëse ky vend do të deklarohet për integrim në Europë, edhe ata do ta kenë zërin e tyre që thotë «jo»! Përndryshe, cilët do të jenë «vëllezërit kosovarë», në të cilët thirret e kërcënon Erdoani?
Edhe profesori Daniel Serwer, nga Instituti për Lindjen e Afërt, e theksoi rolin pozitiv të Turqisë gjatë luftës së Kosovës dhe kohën, kur Turqia donte të kishte marrëdhënie të mira me të gjithë në Ballkan dhe mbi ato baza të bërjes së biznesit. Por, ai vuri në dukje edhe faktin se, në ndërkohë, Turqia ka ndryshuar.
Nevojë për deturqizim
Sigurisht, siç e tha edhe Serwer, kjo sjellje e Turqisë është problem për Bashkimin Europian, OSBE-në dhe NATO-n. Por, të rinjve tanë, të cilët për shkak të fesë apo shkaqe të tjera ndjejnë afërsi me turqit e Turqinë, duhet thënë se të kesh afërsi me Turqinë nuk do të thotë se duhet të implikohesh edhe në politikat ditore të saj e në pushtetet e saj; ta duash Turqinë nuk do të thotë ta mbështesësh Erdoanin, se pushtetet e Turqisë shkojnë e vinë. Erdoani, siç i do shtetasit e vetë të nënshtruar, sigurisht se i do të këtillë edhe ithtarët e tij kudo në vendet tjera dhe identifikimin e Turqisë me emrin e tij – veti kjo e gjithë autokratëve. Ta duash Turqinë nuk do të thotë se duhet të bëhesh turk, ndërsa po të na dojë Turqia ne na do si shqiptarë – të tillë çfarë jemi, si komb të konsoliduar e me tri fe – myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe turk i Kosovës po të jesh, duhet ta duash Kosovën para Turqisë, sepse njeriu mund ta ketë në zemër vetëm vendin në të cilin e ka parë dritën së pari.
Gjërat patën shkuar aq larg, sa disa kosovarë patën filluar ta përkrahin Turqinë në luftën e saj kundër kurdëve! Kurdët janë kombi më i shkretë në botë, si ishim ne deri dje, e ne tash të përkrahim dhunën ndaj tyre? Mos thuani se janë terroristë, edhe ne na kanë quajtur deri dje ashtu! Lexojeni Orhan Pamukun, i cili është turk dhe nobelist, se çka mendon ai për politikën turke ndaj kurdëve. Mos thuani se Pamuku është tradhtar, se Nobel nuk jep askush për tradhti!
Shihni tash tjetrin paradoks: Amerika, e cila na ka çliruar, po i përkrah kurdët, ndërsa ne, duke e përkrahur Turqinë, po dalim kundër Amerikës! Çka na duhet ne kjo? Pse të përzihemi në punët në të cilat s’kemi asnjë ndikim, po vetëm i bëjmë sherr vetes? Çka do të thotë përkrahja jonë ndaj Turqisë? Për Turqinë – asgjë. Për ne shumë keq: edhe po dalim kundër Amerikës, edhe po tregohemi si turkofilë, apo erdoganistë! Me këso qëndrimesh është e pamundur të kemi qëndrim racional ndaj Turqisë – ta duam atë që mund të duhet, ta refuzojmë atë që duhet refuzuar!
Fundja, nëse disa nga të rinjtë vërtet duan ta ndryshojnë botën, dhe për këtë presidenti turk u duket frymëzues, duhet ta kenë të qartë se këtë më lehtë mund ta bëjnë nga rendi liberal perëndimor.
Tendenca për turqizimin e Kosovës nuk është as e pamenduar, as e pasherr. Prandaj, Kosova gjithsesi duhet të fillojë një proces deturqizimi, duke përfshirë edhe shqyrtimin e shkollave gyleniste. Jo duke i shkelur të drejtat njerëzore të askujt, e më së paku të pakicës turke, por të mbrojë interesin dhe sigurinë e saj dhe ta kthejë dinjitetin në raport me këtë shtet të fortë, të cilin përndryshe duhet marrë shumë seriozisht. Sigurisht, kjo mbetet një punë për të ardhmen, sepse nga kjo klasë e nënshtruar politike është kotësi të kërkosh gjë.(DP)