Një sondazh global mes udhëtarëve ka dalë në konkluzionin se aeroportet më të mira në botë gjenden në Europë. As më pak e as më shumë, por 9 nga 10 vendet e para zihen nga aeroporte europiane, në sondazhin e publikuar së fundi nga agjencia e udhëtimeve “eDreams”.
Megjithatë, vendin e parë nuk e mban asnjëri prej tyre. Në majën e podiumit renditet një aeroport aziatik, “Changi” i Singaporit, kjo pas një vlerësimi të bërë nga mbi 50 mijë reagime udhëtarësh prej vitit të kaluar.
Ai ndiqet më pas nga aeroporti i Zyrihut, ai “Ataturk” i Stambollit, ai i Kopenhagenit dhe i fundit i “Top 5” renditet ai i Mynihut. Pjesën tjetër të dhjetëshes e plotësojnë aeroportet e Dyseldorfit, Frankfurtit, “Barajas” i Madridit, “Fiumicino” i Romës dhe “Heathrow” i Londrës.
Pasagjerëve iu kërkua të listonin karakteristikat që kanë më shumë rëndësi për ta, e për të vlerësuar gjithashtu restorantet, dyqanet e “shopping”-ut dhe zonat e pritjes.
Zyrihu ka aeroportin më të mirë në botë sa u përket zonave të pritjes. Ndërkohë, nga lista e vitit të kaluar, vetëm 3 aeroporte kanë mbetur në këtë klasifikim, ai i Zyrihut, i Mynihut dhe i Frankfurtit. Fituesi i vitit të kaluar, “Vantaa” i Helsinkit, si dhe i dyti i klasifikuar në 2017-n, ai ndërkombëtar i Glasgow në Skoci, dështuan të hynin në dhjetëshen më të mirë të vitit 2018.
Aeroportet gjermane kanë një veçori: Jo vetëm renditen mes më të mirëve, por edhe mes 5 më të këqinjve. “Schoenefeld” dhe “Tegel” të Berlinit janë renditur si i treti dhe i katërti më i keq në botë, respektivisht. Të dy këta, që nuk kanë pasur përmirësime vitet e fundit, priten të zëvendësohen nga aeroporti më i ri “Berlin-Brandenburg”.
Edhe Roma ka një aeroport në pesëshen e më të këqinjve, “Ciampino”. Pjesën tjetër të fundit të renditjes e plotësojnë “Luton”-i i Londrës, i pesti më i keq, si dhe “Mohammed V” i Kazablankës në Marok./syri/