Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i kanë drejtuar deklarata të ashpra njëra- tjetrës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me sulmin e supozuar me armë kimike në Siri.
I dërguari rus në këtë organizatë, Vassily Nebenzya, ka thënë se incidenti në Duma ishte i orkestruar derisa çdo përgjigje ushtarake nga ana e SHBA-së do të kishte “pasoja të rënda”.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se Rusia ka “gjak të fëmijëve sirianë” në duart e saj.
Haley ka thënë se nëse Këshilli i Sigurimit nuk do të marrë ndonjë veprim “Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen”.
“Ne kemi arritur në pikën kur bota duhet të shohë drejtësi”, ka thënë Haley në Këshill.
“Historia do ta ruajë këtë moment kur Këshilli i Sigurimit, ose u lirua vetë nga detyra ose tregoi dështim të plotë në mbrojtje të popullit sirian”, ka thënë ajo.
Nebenzya në anën tjetër e ka cilësuar incidentin si pjesë të përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për ta dëmtuar Rusinë me një “arsenal të gjerë metodash”, duke përfshirë, shpifjen dhe fyerjen.
Ai ka thënë se tonet kundër Rusisë kanë shkuar përtej asaj që ka qenë e pranueshne në kohën e Luftës së Ftohtë.
Nebenzia po ashtu ka thënë se hetuesit së bashku me vëzhguesin ndërkombëtar për armët kimike duhet të shkojnë në Siri menjëherë të martën për të shikuar lidhur me akuzat për sulm, duke ofruar mbështetje nga autoritetet siriane dhe trupat rusë.
“Autoritetet siriane dhe trupat ruse do të ofrojnë kushte për të udhëtuar në zonat e supozuara të sulmit në mënyrë që ata të familjarizohen me situatën”, ka thënë ai.
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka thënë se ka nisur një hetim për të vërtetuar se çfarë saktësisht ka ndodhur në Duma.
Ambasadorja britanike, Karen Prierce u ka thënë gazetarëve para nisjes së takimit në Këshill, se Britania “preferon nisjen e një hetimi adekuat”, mirëpo pavarësisht asaj të gjitha mundësitë janë në tavolinë dhe Londra është në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe Francën.
Më herët, Shefi i të Drejtave të Njeriut në OKB, Zeid Ra’ad al-Hussein, ka thënë se fuqitë botërore janë duke trajtur përdorimin e armëve kimike me disa deklarata të zbehta.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se “vendime të mëdha” do të merren për Sirinë brenda dy ditësh.
Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i personave të vdekur nga sulmi i së shtunës në Duma, shifrat tregojnë në mes të 42 deri në 60 persona të vdekur.
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë më të zëshmet në kundërshtimet e tyre për këtë sulm, derisa qeveria siriane dhe aleatja e saj Rusia kanë kundërshtuar çdo përfshirje.
Uashingtoni ka thënë se është duke diskutuar çdo hap.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ka mundësi që sulmi i 7 prillit në Siri të ketë qenë sulm kimik.
Sipas të dhënave ka mundësi që substanca të ketë qenë “agjent asfiksues” apo “agjent nervor i ndonjë lloji të ngjashëm”.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ende nuk ka vërtetuar saktësisht se çfarë lloji i agjentit është përdorur në sulm, duke shtuar se Rusia, Irani dhe qeveria siriane janë duke kundërshtuar qasjen ndërkombëtare në qytet për të zhvilluar hetime.
Në prill të vitit të kaluar Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme ajrore në bazën siriane, në Khan Sheikhoun, pasi sulmit me gaz sarin në të cilën kanë mbetur të vdekur 80 persona./REL/