Më të varfrit janë më të prekurit, pasi shumë prej vendeve në zhvillim janë shumë pas në pastrimin e ndotjes toksike të ajrit.
Më shumë se 95 për qind e popullsisë së botës thithin ajër që u rrezikon shëndetin, dhe barra e ndotjes bie më së shumti në komunitetet më të varfra. Edhe diferenca midis vendeve më të ndotura dhe atyre më pak të ndotura po rritet me shpejtësi. Të dhënat vijnë nga një studim në shkallë të gjerë për ndotjen globale të ajrit.
Qytetet janë strehë për shumicën dërrmuese në rritje të popullsisë së botës, sidomos në vendet në zhvillim, por në zonat rurale rreziku i ndotjes së ajrit brenda mjediseve të banimit shkaktohet shpesh nga lëndët fosile për ngrohje apo gatim. Një në tre njerëz në të gjithë botën përballet me rrezikun e dyfishtë të ajrit të pasigurtë si brenda ashtu dhe jashtë mjedisit të banimit.
Raporti nga Instituti për Ndikimet në Shëndet, përdor gjetjet e reja nga të dhënat satelitore dhe monitorimi për të vlerësuar numrin e njerëzve të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur sipër niveleve që konsiderohen të sigurta nga organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ky ekspozim e ka bërë ndotjen e ajrit, shkakun e katërt më të madh të vdekjeve në shkallë botërore, pas tensionit të lartë të gjakut, dietës ushqimore dhe duhanpirjes.
Ekspertët vlerësojnë se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur kontribuoi në më shumë se 6 milionë raste vdekjesh në të gjithë botën vitin e kaluar, duke luajtur rol në rritjen e rrezikut të goditjes cerebrale, atakut në zemër, kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve kronike të mushkërive. Kina dhe India kanë më shumë se gjysmën e bilancit të vdekjeve të kësaj natyre.
Djegia e karburanteve të ngurta si qymyri në shtëpi për gatim dhe ngrohje ekspozoi 2.6 miliardë njerëz ndaj ajrit të ndotur brenda banesave në vitin 2016, gjen raporti. Ndotja e ajrit brenda shtëpive po ashtu ndikon cilësinë e ajrit dhe në zonat përreth tyre e ky efekt kontribuon në një prej katër vdekjeve që ndodhin në Indi dhe një në pesë në Kinë.
Bob O’Keefe, zëvendës-president i Institutit, tha se diferenca midis zonave me ajrin më të ndotur në planet dhe atyre më pak të ndotura, është tronditëse. Ndërsa vendet e zhvilluar kanë ndërmarrë veprime për pastrimin e ajrit, shumë vende në zhvillim kanë rënë edhe më poshtë ndërsa kërkojnë rritjen ekonomike.
Ai tha se ekziston tashmë një diferencë prej 11 pikësh midis vendeve me ajrin më të ndotur dhe atyre më pak të ndotura, krahasuar me diferencën gjashtëpikëshe në vitin 1990. “Sistemet e kontrollit të ndotjes së ajrit ende kanë mungesa në vendet në zhvillim që janë edhe kombet më të varfra”.
Por ai shton: “Ka arsye edhe për optimizëm, edhe pse ka shumë punë për të bërë. Kina duhet se po ndërmerr aktualisht veprime goxha agresive, për shembull, reduktimin e qymyrit dhe kontrolle më të forta. India ka nisur realisht të luftojë ndotjen e mjediseve të brendshme, për shembull, përmes furnizimit me gaz të lëngshëm për gatim, dhe për përmes elektrifikimit”.
Numri i njerëzve të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit të banesave apo vendeve të tjera të mbyllura ka rënë nga 3.6 miliardë njerëz në gjithë botën në vitin 1990, në rreth 2.4 milionë sot, pavarësisht rritjes së popullsisë.
Lëshimi i gazrave nga transporti është shqetësim në rritje, sidoqoftë, pasi është shtuar trafiku nëpër rrugë. Karburanti diesel është shkak kryesor i ndotjes së ajrit në disa vende të pasura, përfshirë Britaninë e Madhe, por në vendet më të varfra, gjendja e shkatërruar motorrike e mjeteve në rrugë është po aq e keqe sa edhe gazrat që lëshojnë, sidomos sa i takon lëshimit të mikro-grimcave që fajësohen për miliona vdekje në vit.
Media sociale ka qenë shumë e rëndësishme, pasi një numër më i madh njerëzisht kanë akses në të dhe tek të dhëna te debatet për ndotjen e ajrit. Njerëzit tashmë shqetësohen jo vetëm për ushqimin që hanë dhe për të pasur një çati mbi kokë, por diskutojnë edhe çështje të interesit publik.
Raporti përforcon të dhënat e viteve të fundit që tregojnë sesi po rritet ndotja e ajrit duke shkaktuar gjithnjë e më shumë vdekje. Më shumë të dhëna janë të disponueshme nga satelitët dhe monitorimi në terren, ndërsa studime në shkallë të gjerë kanë treguar rreziqet shëndetësore nga thithja e ajrit të ndotur, që rrallë vret direkt, por tashmë dihet se kontribuon në shkaqe të tjera që sjellin vdekje.(tesheshi)