Ish-manjati i filmave hollivudianë Harvey Weinstein është liruar me kusht prej 1 milionë dollarësh, pasi u akuzua në Nju Jork për përdhunim dhe abuzim seksual. 66-vjeçari ka rënë dakord të mbajë një gjurmues GPS dhe të dorëzojë pasaportën e tij, pasi u vetë paraqit në polici ditën e premte.
Prokurorët deklaruan se ndaj Weinstein rëndojnë dy akuza për përdhunim dhe një akuzë për akt seksual penal që përfshinte dy gra, të cilat ende nuk janë identifikuar. Weinstein vijon të mohojë akuzat dhe avokati i tij u shpreh se 66-vjeçari nuk do të pranonte fajin.
Megjithatë, gjatë momentit që prokurorët sqaronin marrëveshjen për lirimin me kusht, dëshmitarët tregojnë se Weinstein dukej i zbehtë në fytyrë dhe i çorientuar. Çështja është shtyrë deri më 30 korrik.
Kujtojmë se mëse 70 gra kanë denoncuar publikisht Harvey Weinstein për sjellje jo të hijshme të shtrirë përgjatë viteve, edhe pse akuzat zyrtare lidhen me vetëm dy prej tyre.