Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, gjatë lançimit të projektit “Dig Data” të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit- MCC, tha se transparenca është instrumenti më i mirë për luftimin e korrupsionit.
Delawie u bëri ftesë qytetarëve që të vazhdojnë të kërkojnë të dhëna nga institucionet në mënyrë që të luftojnë korrupsionin, pra përmes transparencës. “Transparenca është ndër mënyrat më të mira për ta luftuar korrupsionin dhe si mjete për këtë transparencë është hapja e të dhënave. Por hapja e të dhënave nuk është proces i lehtë, është sfidë që ende përballen shumë institucione dhe agjenci. Publiku duhet të vazhdojë të kërkojë transparencë e një mënyrë për ta bërë këtë është që t’i përdorni në mënyrë të drejtë këto institucione duke kërkuar të dhëna, qasje në to”, ka thënë Delawie.
Ndërsa, Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se çdo javë dhe çdo ditë takon njerëz, qytetarë që pyesin dhe punojnë që shteti të japë më shumë për qytetarët.
“Ne jemi në reforma të thella të shumëfishta. Tranzicioni nuk ka pasur të ndalur dhe ka lënë shumë shtresa të painformuara për ligjet e reja, për politikat dhe rregulloret që kanë dalë nga procesi i integrimit evropian. Nuk mund të thuhet se nuk është bërë punë e madhe nga shumë ministri, agjenci dhe institucione, por mund të themi se shpeshherë kjo punë nuk është raportuar dhe shpesh ka munguar bashkëpunimi i sinqertë në mes sektorëve të ndryshëm. Mediat kanë kërkuar përgjigje, institucionet kanë kërkuar mirëkuptim, qytetarët kanë kërkuar rezultat”, u shpreh presidenti Thaçi.