Shpërndaje Print Përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, theksojnë se pavarësisht marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, për liberalizimin e vizave, institucionet përgjegjëse, do të vazhdojnë përkushtimin e tyre në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rekomandimi pozitiv, nuk nënkupton edhe përmbylljen e gjithë procesit të liberalizimit të vizave, ngase deri te vendimi final, procedurat kërkojnë miratimin e këtij rekomandimi edhe nga dy instanca të BE-së, Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave. Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se në përgjithësi institucionet e Kosovës janë të përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit. “Përkushtohemi maksimalisht që Republika e Kosovës edhe në të ardhmen të jetë e gatshme për hapa të mëtejmë në agjendën evropiane. Pra, liberalizimi i vizave vetëm është vetëm një hap tani na presin edhe hapa të tjerë, siç është momenti kur Kosova do t’i hapë negociatat për anëtarësim për në Bashkimin Evropian, janë kapituj që ndërlidhen me fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ne do të përgatitemi paraprakisht për këtë proces. Mund të konfirmoj se jemi në rrugë shumë të mirë sa i takon këtij procesi”, tha Tahiri.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ditë më parë ka zhvilluar një takim me disa nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës që kanë të bëjnë më sistemin e drejtësisë, ku siç thuhet ka kërkuar nga ta që të vazhdohet puna me përkushtim në sundimin e ligjit dhe luftimin dhe dënimin e dukurive negative.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë do të shtojë edhe më shumë përkushtim në punë, pavarësisht rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian për liberalizmin e vizave. “Nuk do të thotë se tash është dhënë sinjali pozitiv dhe ne të jemi të kënaqur me këtë gjendje. Duhet të angazhohemi edhe më tepër të punojmë si për lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të thotë, lufta kundër këtyre dy dukurive mbetet e përkushtuar për ne si KGJK . Duhet të vazhdojmë dhe ky është një motivim që të jemi edhe më efikas në luftimin e këtyre dukurive, por në përgjithësi edhe për punët tona që na presin”, tha Idrizi. Edhe kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj tha për Radion Evropa e Lirë se angazhimi i prokurorëve në forcimin e sundimit të ligjit, do të jetë maksimal. “Puna jonë do të vazhdojë maksimalisht, ashtu siç është më se miri e mundur”, tha Isufaj. Sidoqoftë, edhe pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, sfidë më vete mbetet votimi në Parlamentin Evropian, e sidomos në Këshillin e Ministrave te BE-së. Një vështirësi të tillë e ka përmendur edhe ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha. Ajo ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë në proces për të hartuar një plan veprimi së bashku me Zyrën e Kryeministrit dhe Kuvendin që të kenë një agjendë të saktë për të lobuar te vendet anëtare të BE-së. Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke e transferuar Kosovën në listën e vendeve pa viza për qëndrim afatshkurtër në zonën Shengen. Propozimi është bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave./rel/