Menjëherë pas përfundimit të Samitit të Berlinit, qeveria franceze ka publikuar një strategji për Ballkanin Perëndimor. Strategjia vjen si një shenjë përkushtimi e Francës për integrimin dhe zhvillimin ekonomik e social, si dhe për forcimin e sundimit të ligjit në të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pjesë e strategjisë janë edhe disa masa konkrete. Një ndër to është intensifikimi i marrëdhënieve politike me rajonin.
Në kuadër të kësaj, Emmanuel Macron do të vizitojë Serbinë në Korrik ndërkohë që brenda vitit, Ministri i Punëve të Jashtme të Francës do të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën.
Franca zotohet të forcojë bashkëpunimin dypalësh me vendet e rajonit në këto fusha: zhvillimi ekonomik dhe social me ndërhyrjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), siguria dhe drejtësia. Ndihma vjetore e siguruar nga qeveria franceze, fillimisht 100-150 milion euro, do të shërbejë si levë për financimin e donatorëve të tjerë.
Sa i përket sigurisë, lufta kundër trafikimit të paligjshëm të armëve të vogla dhe armëve të lehta, krijimi i njësive të përhershme të inteligjencës kriminale, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizimit, janë piketat kryesore.
Bashkëpunimi i ri mbi krimin financiar dhe ekonomik, trafikimin e pronës kulturore dhe specieve të mbrojtura, janë ndër shtyllat kryesore mbi të cilat do të bazohet ndihma e qeverisë franceze në drejtim të drejtësisë ndaj 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Scan TV