– Senati u mbetet republikanëve, por demokratët marrin Dhomën e Përfaqësuesve
– Miku i shqiptarëve, Eliot Engel, tani mund të bëhet kryetari i fuqishëm i Komitetit të Punëve të Jashtme
Nga Ruben Avxhiu
Demokratët duket se e realizuan planin e tyre minimal në zgjdhjet e 6 nëntorit, duke ua marrë republikanëve Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan.
Pak pas mesnatës, presidenti Donald Trump i telefonoi kryetares së demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi për t’i uruar fitoren.
Shumica demokrate në dhomën e ulët të Kongresit do të kufizojë tani lirinë e presidentit Trump në bërjen e ligjeve, duke e detyruar të bëjë kompromise.
Është në natyrën e politikës moderne amerikane që një president i fortë, të “ndëshkohet” me humbje në Kongres, në zgjedhjet e ashtuquajtura të mesmandatit, që mbahen dy vjet para dhe pas zgjedhjeve presidenciale.
Kështu ndodhi edhe me presidentët demokratë, Bill Clinton dhe Barack Obama, të cilët pas fitoreve të tyre të bujshme në 1992 dhe 2008, humbën shumicën e partisë së tyre në Kongres, përkatësisht në 1994 dhe 2010.
Ndonëse të dy janë përballur me opozitë të fortë, në vitet e tyre të para, asgjë nuk krahasohet me qëndresën që po i bëjnë presidentit Trump, demokratët që e shohin gati si një fatkeqësi kombëtare.
Ështtë në psikologjinë e votuesit modern amerikan që presidentëve që synojnë ndryshime të mëdha në vend t’i kufizojë me një Kongres të kontrolluar nga partia tjetër. Është themelore për funksionimin e sistemit të famshëm amerikan të kontrolleve dhe kundërpeshimeve.
Partia Republikane nga ana tjetër pati shumë sukses në Senat, me tre fitore të rëndësishme, që i ruajtën një shumicë prej 8 vendesh diferencë. Republikanët kanë 54 vende në Senatin Amerikan, Demokratët 46.
Një lajm i mirë për shqiptarët mund të vijë me këto zgjedhje.
Tani që demokratët morën shumicën, bashkëkryetari i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, kongresisti Eliot Engel është i pari në radhë për t’u emëruar në postin e fuqishëm të kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme.
Ja edhe disa lajme e kuriozitete të tjera nga mbrëmja e zgjedhjeve:
Dy herë kandidati për President në SHBA, Mitt Romney u zgjodh Senator i Shteteve të Bashkuara nga Utah.
Qyteti i Nju Jorkut, humbi edhe kongresistin e vetëm republikan që i kishte mbetur: Veterani i Ushtrisë amerikane, demokrati Max Rose sapo ka mundur kongresistin Dan Donavan, nga Staten Island.
Republikani Greg Pence, vellai i madh i zv-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, u zgjodh në Kongresin amerikan nga distrikti i 6, në Indiana.
Rashida Tlaib 42-vjeç, demokrate, e cila fitoi sonte, në Michigan, u bë kongresistja e parë myslimane, në historinë e Amerikës.
Më shumë detaje në ditët e ardhshme.