Ballina Aktualitet Rajoni Studentët kosovarë nga Fakulteti i Mjekësisë në Tetovë kërkojnë të mos politizohet...

Studentët kosovarë nga Fakulteti i Mjekësisë në Tetovë kërkojnë të mos politizohet transferi i tyre

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka mbështetur kërkesën e 91 studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës për tu transferuar në Universitetin e Prishtinës, të cilët më parë ishin refuzuar nga Fakulteti i Mjekësisë për mos plotësim kriteresh.

Pas kësaj është ngjallur debat në lidhje me ligjshmërinë e këtij transferi. 91 studentët kosovarë të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës përmes një kumtese dërguar sot për media kërkojnë që të mos politizohet rasti i tyre, duke shpjeguar edhe arsyet pse duan kthim në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në këtë komunikatë po ashtu është dhënë përgjigje edhe për raportimin se në mesin e studentëve është edhe djali i njërit nga këshilltarët e kryeministrit.

“Ne në pamundësi për t’i përballuar shpenzimet e shkollimit po kërkojmë të transferohemi nga UT-ja në UP, për shkak se familje tona nuk po mund t’i përballojnë shpenzimet. Kjo është arsyeja dhe siç u spekulua. Mu për këtë, ne ndihemi të ofenduar për faktin se kërkesa jonë po banalizohet nga mediat dhe po fokusohet ne individ dhe jo te thelbi i kërkesës. Ne mesin tonë mund të ishte edhe djali i kryetarit të shtetit , i ndonjë ministri apo i vet rektorit, por kjo nuk paraqet arsye që të zhvendoset vemendja nga kersa jonë për transfer, tek individet apo te gjerat e pa bazuara“, thuhet në një pjesë të reagimit të studentëve. Letra e plotë e 91 studentëve kosovarë nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit e Tetovës:

MOS E POLITIZONI RASTIN TONË – NE DËSHIROJMË KTHIM NË FAKULTETIN E MJEKËSISË NË PRISHTINË

Të nisesh rrugën për t’u formuar si mjek është një prej vendimeve më të vështira, më të mëdha të secilit prej nesh. Të nisesh këtë rrugë larg vendlindjes është çështje që i shton vështirësitë për disa herë. Të ballafaquar me vështirësi financiare, ne 91 studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, kohë më parë iu drejtuam kryeministrit Haradinaj për ndihmë për t’u transferuar në Universitetin e Prishtinës. Si rreze drite, na erdhi përgjigja pozitive e Kryeministrit të Republikës së Kosovës i cili u yotua se Kryeministria që ai drejton do t’i heq shpenzimet e transferit. Këtij lajmi iu gëzuam ne edhe familjet tona të cilat po shpenzojnë mjete të mëdha për të na shkolluar, në këto rrethana të varfërisë. Kur moren vesh se Kryeministria ishte e gatshme t’i mbulonte shpenzimet e transferit konsideruam se me këtë hap, jo vetëm që përfitonim ne studentët nga Kosova, por ky veprim ishte edhe ndihmë për Fakultetin e Mjekësisë të UP-së.

Një përgjigje pozitive ne e prisnim edhe ne nga Senati i UP-së, por çuditërisht kërkeses sonë i ndërrohet kahja, nga një OJQ dhe nga disa media. Ne në pamundësi për t’i përballuar shpenzimet e shkollimit po kërkojmë të transferohemi nga UT-ja në UP, për shkak se familje tona nuk po mund t’i përballojnë shpenzimet. Kjo është arsyeja dhe siç u spekulua. Mu për këtë, ne ndihemi të ofenduar për faktin se kërkesa jonë po banalizohet nga mediat dhe po fokusohet ne individ dhe jo te thelbi i kërkesës. Ne mesin tonë mund të ishte edhe djali i kryetarit të shtetit , i ndonjë ministri apo i vet rektorit, por kjo nuk paraqet arsye që të zhvendoset vemendja nga kersa jonë për transfer, tek individet apo te gjerat e pa bazuara. Bazuar në këtë që themi, apelojmë te Kryeministria, Rektorati e Senati i UP-së që ta përkrahin transferin tonë dhe të mos bien pre e komenteve provokuese nga persona që nuk janë kompetent, kushdo qofshim ata.