Kthimi i luftëtarëve të ISIS me origjinë nga Ballkani ka ngritur shqetësim ndër institucionet e sigurisë, ndërkaq, riintegrimi i tyre përbën një sfidë për vendet e rajonit.
Nga Ervin Qafmolla, Muhamet Hajrullahu
Disfata në terren e ISIS-it, e manifestuar përgjatë viteve 2016-2017 përmes humbjes së qyteteve kryesore dhe territoreve të mëdha në Siri dhe Irak, krahas shpërbërjes së regjimit të institucionalizuar të të vetëquajturit Shtet Islamik, solli edhe një eksod masiv të luftëtarëve të kësaj organizate.
Ndërsa një pjesë e tyre përfunduan në qendrat e burgimit të grupeve luftuese kurde dhe në ato të qeverisë së Irakut, një pjesë tjetër synuan kthimin në vendet e tyre të origjinës.
Kthimi i tyre i mundshëm ka ngritur shqetësim ndër institucionet e sigurisë dhe organizatat e specializuara në shumë vende, përfshi ato të Ballkanit.
Dhe institucionet e vendeve të Ballkanit kanë arsye të shqetësohen.
Kjo pasi që numri i luftëtarëve të huaj nga ky rajon që iu bashkuan fushëbetejave të konfliktit në Siri dhe Irak, shumica gjatë periudhës 2013-2015, llogaritet në rreth 900 individë, mes tyre gra dhe fëmijë.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 318 qytetarë të këtij vendi iu bashkuan konfliktit, ndërsa mbi 120 syresh, përfshirë 7 gra, janë kthyer.
Rreth 90 nga të kthyerit janë arrestuar dhe përballur me aktakuza për vepra që lidhen me terrorizmin, ndërsa shumica prej tyre janë gjetur fajtorë apo janë burgosur.
Shumica e të mbrojturve janë përballur me akuza se u janë bashkuar ISIS-it apo Al Nusras në Siri, gjatë viteve 2013-2014.
Në një sërë rastesh, provat e paraqitura kundër tyre kanë qenë të diskutueshme, ndërsa paralelisht me masat ndëshkuese, janë rritur edhe thirrjet nga institucionet ndërkombëtare dhe ekspertët për programe të mirëfillta deradikalizimi dhe riintegrimi.
Vendi tjetër në Ballkan, Shqipëria, ka numëruar 148 shtetas të saj të cilët iu bashkuan të njëjtit konflikt në rrethana të ngjashme, ndërsa të paktën 48 vlerësohet se janë kthyer.
Megjithatë, ndryshe nga Kosova, Shqipëria ndoqi një qasje më të përmbajtur ndaj përndjekjes ligjore të luftëtarëve të kthyer, duke arrestuar dhe burgosur kryesisht rekrutuesit.
Në vitin 2014, autoritetet shqiptare arrestuan nëntë të dyshuar për rekrutim, ndërsa dy vjet më vonë, Gjykata e Krimeve të Rënda i shpalli ata fajtorë, duke i dënuar nga 12 në 18 vjet burgim.
Ndërkaq, në gusht të vitit 2018, tetë shtetas maqedonas të etnisë shqiptare u arrestuan brenda një nate nën dyshimin se kishin luftuar në radhët e ISIS-it në Siri he Irak. Për ta ekzistonte një urdhër arrest ndërkombëtar.
Por, shqetësim mbeten dhjetëra ish-luftëtarë të tjerë të mundshëm, për të cilët mund të mos ekzistojnë të dhëna të sakta e as urdhëra arresti nga institucionet e sigurisë.
Të arrestuarit janë akuzuar se kanë marrë pjesë në ushtri të huaja.
Në vitin 2014, Maqedonia bëri ndryshime ligjore që e bënin krim bashkimin apo luftimin në formacione të huaja ushtarake apo paraushtarake.
Shqipëria ka miratuar një ligj të ngjashëm në të njëjtin vit, ndërsa Kosova, një vit më vonë në 2015.
Sipas autoriteteve maqedonase, 156 qytetarë të vendit i janë bashkuar konfliktit në Lindjen e Mesme, ku shumica i janë bashkuar ISIS-it në Siri, dhe një numër më i vogël në Irak. Rreth 20 prej tyre vlerësohet se janë vrarë, ndërsa pak dihet për fatin e të tjerëve.
Ndërkaq, riintegrimi i luftëtarëve të kthyer, por edhe anëtarëve të familjeve të tyre, mbetet një ndër sfidat kryesore jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, Maqedoni e në vendet e tjera të rajonit.
Shumica e të kthyerve në Kosovë kanë kaluar nëpër sistemin e drejtësisë, dhjetëra prej tyre janë burgosur, dhe të tjerë janë ende në procedurat gjyqësore, thuhet në raportin e Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në muajin maj të këtij viti.
Albert Berisha është njëri nga këta të rikthyer në Kosovë.
Intervista me të është bërë në dhjetor 2017, para se ai të merrte formën e prerë të dënimit në Kosovë për të vuajtur rrjedhimisht dënimin prej tre vitesh e gjysmë burg.
Berisha ka pranuar para gjykatës se kishte udhëtuar në Siri nga 6 deri në 20 tetor 2013, për të ndihmuar opozitën siriane në përpjekjen ndaj regjimit të Bashar al-Asad, por tha se nuk ishte përfshirë asnjëherë në luftime.
Berisha, një kundërshtar i njohur publik ndaj ideologjisë ekstremiste në Kosovë, tregon se ka katër vjet prej kur është kthyer nga Siria në Kosovë dhe se deri vonë ai nuk kishte përkrahje institucionale për të gjithë ata që janë kthyer mbrapa.
“Ka tri vite që nuk kemi pas asnjë lloj përkrahje intitucionale, përkundrazi kemi pasë një presion prej organeve të shtetit, një presion nga ana e gjykatave, një presion nga ana e prokurorisë për pranim të fajësisë, kemi pasë presion të vazhdueshëm social, etiketime nga më të ndryshmet, ndërkaq me sa di qeveria ka miratu për luftim të ekstremizmit të dhundshëm dhe programit të riintegrimit mirëpo ato janë vetëm në letër”, deklaroi ai.
Berisha, mbi të 30-tat, tregon se pjesa më e madhe e luftëtarëve të huaj që janë kthyer nga zonat e kontrolluara nga ISIS e kane ndjerë vetëm dorën e fortë të shtetit.
Sfida e ndërlikuar e deradikalizimit
Në vitin 2015, Qeveria e Kosovës publikoi Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit që Shpie në Terrorizëm 2015-2020.
Analiza dhe propozimet parashtruara aty parashikojnë edhe masa që shtrihen jashtë institucioneve të zbatimit të ligjit, përfshi edukatën fetare dhe masa të vetëdijesimit nga një sërë aktorë.
Megjithatë, kaluan edhe dy vjet të tjerë, deri kur programet e para të deradikalizimit për luftëtarët e kthyer në burgjet e Kosovës filluan të zbatohen me mbështetjen e klerikëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Nga ana tjetër, një sërë nismash në nivel komunitar, me theks te parandalimi, kanë gjetur zbatim që nga viti 2015, përmes përfshirjes së institucioneve qendrore, organizatave të shoqërisë civile, pushtetit vendor dhe liderëve lokalë.
Nga Shqipëria, gjithashtu, është hartuar Strategjia Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Plani i Veprimit.
Ndërsa për shkak të numrit të kufizuar të personave të burgosur për vepra që lidhen me terrorizmin është i kufizuar, masat, kryesisht të natyrës parandaluese, po zbatohen në komunitet.
Megjithatë, është e paqartë se si rezultatet e këtyre ndërhyrjeve do të maten dhe nëse masat e zbatuara deri tani kanë dhënë ndonjë efekt.
Maqedonia, nga ana tjetër, sipas një sërë hulumtimesh të ekspertëve nga Ballkani, rezulton se nuk ka marrë ende asnjë hap konkret në parandalim apo riintegrim.
Skender Perteshi, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vlerëson se nuk është bërë mjaftueshëm në proceset e deradikalizimit dhe riinetegrimit në Kosovë.
“Është bërë pak në procesin e riintegrimit të rreth 130 personave të kthyer nga zonat e konfliktit si Siri dhe Irak, qoftë me personat që janë në burg apo edhe me familjet e tyre”, thotë ai.
Sipas Perteshit, ekziston një projekt që po udhëhiqet nga Programi Ndërkombëtar Trajnues i Asistencës Hulumtuese të Krimeve (ICITAP) që për detyrë ka zbatimin riintegrimin dhe rehabilitimin brenda sistemit korrektues të Kosovës.
“Është bërë një kategorizim i të burgosurve dhe është bërë një vlerësim i riskut të të burgosurve dhe janë duke u paraparë hapa konkretë prej futjes së një personi në burg që është i akuzuar për vepër penale e deri te pikat e terrorizmit dhe pjesëmarrjes së tyre në luftërat e huaja në Siri dhe Irak dhe aktivitete tjera”, tregon Perteshi.
Lulzim Fushtica, koordinator nacional në Qeverinë e Kosovës, për Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit thotë se hapat e ndërmarra janë konkrete.
“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me qeverinë e ShBA-ve ka filluar program specifik për ndërtimin e kapaciteteve të shërbimit korrektues në qasjen e riintegrimit dhe deradikalizimit të këtyre burgosurve që janë duke vuajtur dënimin në institucionet e shërbimit korrektues”, thotë ai.
Ndërkaq, Sabri Bajgora, Kryeimam i Kosovës (BIK), thotë se Bashkësia Islame është përfshirë intensivisht në deradikalizimin në burgje.
“Kemi arrit një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë që disa imamë të ligjërojnë nëpër burgje të Kosovës”, ka thënë Bajgora.
Gjithashtu, Gazmend Teqja, Zëvendësmyfti i Tiranës thotë se roli i klerikëve të përshtatshëm të shkollave të ndryshme islame, përfshi edhe ato konservatore-paqësore, është kyç.
“Personat të cilët kanë shenja të vërteta pendese mund të shërohen ideologjikisht dhe të integrohen në shoqëri, vetëm përmes përfshirjes së klerikëve, krahas faktorëve të tjerë institucionalë”, thekson ai.
Teqja tregon se në këtë drejtim ka disa nisma ndër-institucionale, ku janë përfshirë edhe klerikët, të cilët sipas imamit shqiptar, janë edhe individualisht të angazhuar në këtë çështje.
“Krahas punës sonë proaktive të përditshme përmes mësimeve fetare në parandalimin e ekstremizmit, jemi kurdoherë të gatshëm për t’u angazhuar në çdo nismë që mund të ndikojë te të kthyerit”, thotë ai.
Gjithashtu, Bajgora thotë se procesi i deradikalizimit është njëçështje që i përket edhe vullnetit personal të klerikëve në Kosovë.
“Kjo nuk varet nga ne [BIK-u], por varet nga vullneti i hoxhallarëve nëse duan të jenë pjesë e programeve tona të përbashkëta, dhe këto programe janë programe të përbashkëta të imamëve, psikologëve, i punëtorëve social, i njerëzve që merren me identifikimin e problemeve që mund të kenë ata pas daljes nga burgu”.
Përtej burgut
Megjithatë, Skender Perteshi thotë se puna nuk është kufizuar vetëm në burgje, por është punuar edhe me parandalimin.
“Te rastet e parandalimit kryesisht është punuar me komunitetin, është punuar me të rinjtë, me shkollat, me nivelin lokal rreth pasojave, kërcënimeve që ka shteti i Kosovës, që ka familja, që kanë individët”.
“Besoj fuqishëm që strategjia për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, te çështja e parandalimit si objektivë që është në kuadër të strategjisë është zbatuar me sukses”, thekson ai, duke shtuar se në parandalim strategjia e Kosovës ka gjetur zbatim, por te riintegrimi ka çaluar.
Perteshi mendon se programi i riintegrtimit mundet me pas sukses në Kosovë nëse ka seriozitet e koordinim të institucioneve relevante.
“Nëse ka vullnet politik e program gjithëpërfshirës të institucioneve… mundet me qenë të suskesshëm”.
Ai e mbështet këtë logjikë duke argumentuar se shumica e qytetarëve të Kosovës që janë rikthyer nga zonat kanë ardhur para vitit 2013, në atë kohë jo të gjithë kanë marrë pjesë në luftime dhe pjesë e betejave të ndryshme dhe jo të gjithë e kanë pas shkallën të lartë të radikalizmit.
Nga ana tjetër, Maqedonia duket se ka mbetur në vendnumëro, dhe sipas një raporti të QKSS, vetëm pas ardhjes në pushtet të qeverisë së Zoran Zaev kanë filluar edhe hapat e parë në nivel të parandalimit dhe trajtimit të ekstremizmit të dhunshëm.
“Ka pasur përpjekje reale për t’u angazhuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm… dhe në facilitimin e marrdhënieve ndëretnike në vend”, thuhet në raport.
Sipas të njëjtit hulumtim, partia që dikur ishte në pushtet, VMRO-DPMNE, në disa raste ka “keqpërfaqësuar praninë e ekstremizmit fetar për të thelluar ndasitë etnike në vend”.
“Në vlerësimin tonë, imamët tradicionalë janë ata që viojnë ta predikojnë fenë me një narrativë konsistente”, thuhet në raport duke veçuar rëndësinë e përfshirjes së klerikëve në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Megjithatë, sa i takon deradikalizimit dhe riintegrimit të luftëtarëve të kthyer, në rastin e Maqedonisë mund të jetë shpejt për të folur.
Perteshi, gjithashtu thotë se klerikët kanë një rol parësor në shërimin e këtyre plagëve, duke luftuar keqkuptimet dhe devijimet fetare me mësimet tradicionale të Islamit.
Të njëjtin mendim ndan edhe Ekrem Avdiu, imam në Mitrovicë.
“Nuk është represioni, nuk janë as masat e sigurisë ato që e shërojnë si dukuri… ato ka mundësi që të shërohen vetëm me bindje të cilat do t’ua zënë vendin atyre keqkuptimeve”, thotë Avdiu, një kundërshtar publik i ideologjive ekstremiste.
Ai thekson se njohësit e Islamit jo vetëm që mund të luajnë një rol të rëndësishëm, por madje kanë për detyrë që të përfshihen në deradikalizim.
Ndërkaq Enri Hide, ligjërues në Universitetin Europian të Tiranës dhe autor i një sërë studimesh për ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri, vë në dukje se sfida për vendet e Ballkanit me luftëtarët e huaj është reale.
Sipas tij, hulumtimet tregojnë që një nga 9 luftëtarë të huaj kthehn në vendin e tyre.
Kjo situatë ndërlikohet në rastin e Shqipërisë, ku sipas autoriteteve, rreth 33 luftëtarë të kthyer kanë pasur rol aktiv në fushëbetejë.
Nga ana tjetër, ai nuk beson se burgu është një zgjidhje universale për të kthyerit.
“Politika të tilla [përndjekja dhe ndëshkimi ligjor] shpesh kanë rezultuar të papërshtatshme në adresimin e luftëtarëve të huaj, sidomos të atyre që janë zhgënjyer nga përvojat në Siri dhe Irak”, vlerëson eksperti.
A mund të riintegrohen luftëtarët e huaj?
Hide sjell shembullin e Danimarkës dhe Gjermanisë, të cilat kanë mbështetur programe riintegrimi jashtë burgjeve.
Ai tregon se në rastin e Danimarkës, procesi mbështetet në riintegrim ideologjik duke deligjitimuar narrativat ekstremiste, punësimin e të kthyerve dhe adresimin e nevojave të tyre emocionale përmes atashimit me grupe të tjera shoqërore.
Për më tepër, Gjermania, përfshin edhe mentorë ndaj të kthyerve, të cilët i shoqërojnë hap pas hapi duke punuar me ta në një nivel personal, kombinua kjo edhe me edukatë qytetare dhe trajnim kundër dhunës.
Ndërsa metodat e forta të ligjit janë rezultate të pjesshme në afatin e shkurtër, Hide thotë se ato nuk janë të mjaftueshme dhe se mënyra më përfshirëse që kanë dhënë rezultat, duhen marrë parasysh.
“Është me vend të përmendet se një shumicë e të kthyerve janë tërësisht të zhgënjyer nga përvoja në luftë, dhe si të tillë ata mund të shndërrohen në një shembull për komunitetet e tyre për të delegjitimuar retorikën dhe narrativën e ekstremizmit fetar”, thekson ai.
Megjithatë, Hide shton se nevojitet një analizë e kujdesshme e rasteve individuale.
Gazmend Teqja, pajtohet me këtë këndvështrim për disa prej të kthyerve, dhe gjithashtu, ka dyshimet e veta sa i takon deradikalizimit dhe riintegrimit të suksesshëm për të gjithë luftëtarët e kthyer.
Ai thotë se duhet bërë një ndarje mes ekstremistëve që kanë qëndruar në vendin e tyre dhe nuk i janë bashkuar konfliktit në Lindjen e Mesme, ata që kanë shkuar dhe janë kthyer herët, shumica të zhgënjyer, dhe ata që janë kthyer më vonë apo që janë ende atje.
“Nga ata që kanë shkuar dhe janë kthyer, pjesa më e madhe janë kthyer para se të hynte në fuqi ligji për luftëtarët e huaj, dhe të tillet janë tashmë pothuaj të integruar, vazhdojnë jetë normale dhe pa shfaqur probleme”, thotë imami.
Ai shton se ata që janë kthyer pasi ligji që dënon luftëtarët e huaj ka hyrë në fuqi, paraqesin raste tejet të rralla.
Albert Berisha, gjithashtu, tregon se shumica e personave që janë kthyer nga zonat e konfliktit në Siri janë penduar me veprimet e tyre të mëhershme.
“Vetë fakti që janë në Kosovë do të thotë që kanë vendosë me u rikthy në vendlindje dhe me u ndje pjesë e kësaj shoqërie. Flitet se do të ketë programe për deradikalizim nëpër burgje, mirëpo unë nuk besoj se ka me funksionu ndonjëherë”, vlerëson Berisha.
Sipas tij, nuk mundesh një person që ka qenë viktimë e një ideologjie të caktuar me vazhdu me viktimizu më shumë.
“Në rast se personi është kthyer dhe t’i ja jep verzionin e vetëm burgimin dhe pastaj tenton me deradikalizu brenda burgut, mendoj se nuk funksion”.
Ai druan se persona të tillë mund edhe të shtiren brenda burgut për përfitime siç mund të jetë edhe zbutja eventuale e dënimit, por nuk ka garanci se do të ndryshojnë vërtet mendim.
“Nuk them se të gjithë personat do të riintegrohen menjëherë, nëse dikush ka bërë krime, nëse dikush ka bërë vepra cnjerezore padyshim se duhet të ndërshkohet për veprimet e bëra, mirëpo nëse dikush faji i vetëm është që ka shkuar në territorin e Sirisë në kohën që të gjithë e kanë përkrahur dhe kanë dhënë dritën jeshile për të bërë një veprim të tillë, atëherë i bie se ti një person të tillë e ke vendosur në kurth the vazhdon ta viktimizosh akoma më shumë”, thekson ai.
Falje apo shpagim
Sipas aktakuzave të Prokurorisë së Kosovës, një pjesë e madhe e ish-luftëtarëve kosovarë në konfliktin sirian, janë me arsim të ulët dhe në kushte të vështira ekonomike, çka edhe në vetë analizat e institucioneve të sigurisë si dhe në hulumtimet e ekspertëve paraqiten si rrethana me ndikimin në nxitjen e tyre për të shkuar në Siri.
Është ende e paqartë se si burgosja e luftëtarëve të kthyer ndikon në këto shtysa paraprake, apo nëse ka ndonjë plan efektiv sesi institucionet mund t’i ndryshojnë ato.
Zëvëndësmyftiu i Tiranës thotë se shumica janë shtyrë për t’iu bashkuar konfliktit për të mbrojtur popullin sirian nga një diktator, e më vonë pasi kanë parë realitetin janë kthyer të zhgënjyer.
“Rastet e kësaj kategorie që kanë mundur të kthehen, jo vetëm janë integruar por edhe kanë qenë dëshmitarë të dobishëm [përballë besimtarëve të tjerë dhe komuniteteve] duke paraqitur zhgënjim për situaten reale, jo siç i tregohej njerëzve këtu”, thotë ai.
Gazmend Teqja shprehet i bindur se ekstremizmi luftohet përmes të vërtetës, në nivel fetar por edhe duke sjellë dëshmi nga të kthyerit.
Berisha, nga ana tjetër, thekson se radikalizimi është një proces që nuk ka ndodhur aty për aty, ndaj dhe nuk beson se pa ofrimin e masave të buta, përfshi edhe amnistinë – sidomos të personave që kanë qëndruar për një kohë të shkurtër, nuk janë përfshirë në luftime dhe janë ktheyr në atdhe të zhgënjyer – diçka do të ndryshojë në mënyrë thelbësore me bindjet dhe riintegrimin e këtyre personave.
Por, Zëvendësmyftiu i Tiranës, sërish bën thirrje për maturi në dallimin mes të kthyerve.
“Ata që kanë vazhduar të qëndrojnë dhe nuk janë kthyer ndërkohë… është shumë e vështirë që ata njerëz që kanë mbetur pranë grupeve terroriste, të arrijnë të largohen”, thekson ai.
Nga ana tjetër, Teqja vëren se nga kjo kategori është shumë e vështirë që të identifikohen se cilët mund ta kenë pendimin e sinqertë e cilët jo.
“Për të mos harruar, gabimi në identifikimin e saktë mund të kushtonte shumë për shoqërinë, pasi prej tyre ka njerez që kanë kryer krime të rënda”, thekson imami shqiptar, duke shtuar se identifikimi dhe trajtimi i kësaj kategorie është një “sfidë e vërtetë, qoftë për autoritetet, qoftë për klerikët apo edhe për ekspertë të fushave të tjera”.
Ky hulumtim është mundësuar nga “Reporters in the Field”, një program nga fondacioni Robert Bosch, së bashku me media NGO n-ost.