Një vizitë e planifikuar e gjeneralit amerikan të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr. në Kosovë, është anuluar për shkak të tarifave të Kosovës ndaj prodhimeve serbe dhe refuzimit të qeverisë për heqjen e tyre.
Anulimin e vizitës së gjeneralit Orr, i cili pritej të qëndronte në Kosovë me rastin e përvjetorit të 11-të të pavarësisë, e ka konfirmuar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë.
“Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr është anuluar lidhur me tarifat në produktet nga Serbia dhe Bosnja”, thuhet në një përgjigje të kësaj Ambasade.
Edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, kishte njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre për anulimin e kësaj vizite.
Në letër thuhet mes tjerash se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në.
Por Ambasada amerikane në Prishtinë nuk ka komentuar për masat e paralajmëruara.
“Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar në vazhdimësi Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kërkesa amerikane për pezullimin e tarifave, ka shkaktuar mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.