Ballina Top Lajm FOTOT/ Viti 1708: Kasapi shqiptar në Pazarin e Madh të Stambollit

FOTOT/ Viti 1708: Kasapi shqiptar në Pazarin e Madh të Stambollit

Nga Armand Plaka

Edhe pse nga skeda origjinale në frengjisht është paksa e vështirë të shkosh tek një ide e qartë, falë indicieve të tjera e kupton se ke të bësh me një “ciğerci” ( xhikerxhi) , ose shitës mëlçish, një profesion specifik në atë kohë në Orient, ndërsa subjekti që ka tërhequr autorin, është 100% shqiptar.

Është pikërisht një kasap shqiptar që punonte në Pazarin e Madh të mbuluar të Stambollit (Bezestani), ndërsa u hedh zorrë të kafshëve që therte, maceve në dyqanin e tij.

Kështu na bëhet e ditur nga skeda shoqëruese marrë nga koleksioni i skicave e gravurave të piktorit e orientalistit holandez, Jean Baptiste VAN MOUR, e cila na rrëfen vitin 1714 si datë të publikimit të tij, si pjesë e një përmbledhje me njëqind punime (me 253 faqe) që përshkruajnë kombe të ndryshme të Orientit, të sjella pas udhëtimeve që autori ndërmori në vitet 1707 dhe 1708 në viset e ish-Perandorisë Osmane me urdhër të Ambasadorit të Mbretit të Francës, De Ferriol, në viset e kontrolluara nga “Porta e Lartë”.

Përfunduar si botim në vitet 1712 dhe 1713 nën kujdesin e M. Hay, ky koleksion gjendet sot në Paris dhe kopje të tij të riprodhuara gjenden ndërkaq në disa nga bibliotekat më të mira të kontinentit.

Tetova News në YouTube:

Gravura ka vlera të rralla për të na paraqitur mënyrën se si visheshin shqiptarët në përgjithësi, por në këtë rast edhe një zanatçi që jeta e kish sjellë të jetonte e punonte në zemër të Perandorisë Osmane, në një periudhë kohore jo fort të dokumentuar e pak të ilustruar për shqiptarët, siç ishte fillimshekulli XVIII.