Ballina Kultura Letërsia po bëhet spektakël: Shkrimtarë si Caroline Wahl, Juli Zeh dhe Daniel...

Letërsia po bëhet spektakël: Shkrimtarë si Caroline Wahl, Juli Zeh dhe Daniel Kehlmann po shndërrohen në yje

Në turne si yll i letërsisë: Shkrimtari gjerman Daniel Kehlmann.
Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Në botën e letërsisë po ndodh diçka e ngjashme me atë që ka ndodhur në industrinë e muzikës: shkrimtarët më të suksesshëm po bashkëpunojnë me agjenci që organizojnë spektakle dhe turne, ndërsa biletat për takimet me autorët po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.

Nga Martina Läubli

Daniel Kehlmann është një emër i përmasave botërore. Ai konsiderohet shkrimtari më i suksesshëm bashkëkohor që shkruan në gjuhën gjermane. Romani i tij „Matja e botës“ („Die Vermessung der Welt“) është shitur në më shumë se gjashtë milionë kopje, në dyzet gjuhë, duke i sjellë famë ndërkombëtare.

Këto ditë del në treg libri i tij i ri. Edhe këtë herë bëhet fjalë për një roman historik, të rrëfyer me humor të mprehtë dhe me nota farse. Romani „Afrika“ tregon historinë e një nëpunësi austriak që, pa dëshirën e tij, përfundon në Konferencën e Berlinit për Kongon. Në atë takim diplomatik të vitit 1884, fuqitë koloniale evropiane synonin të ndanin mes tyre një kontinent të tërë, madje pa praninë e asnjë përfaqësuesi afrikan.

Me romanin „Afrika“, Kehlmann ka ambicie të mëdha. Ai po e çon turneun tradicional të prezantimit të librave në një nivel krejt tjetër, duke e kthyer në një turne të mirëfilltë prej ylli të letërsisë.

Shkrimtari do të paraqitet në 17 salla koncertesh dhe teatro, me kapacitet deri në një mijë vende secila. Mijëra njerëz do të kenë mundësinë ta dëgjojnë, por për këtë do të duhet të paguajnë jo pak. Në Mynih, Lajpcig dhe Këln, biletat për një mbrëmje me Kehlmannin kushtojnë deri në 60 euro, ndërsa në sallën prestigjioze Konzerthaus të Vjenës çmimet variojnë nga 82 deri në 101 euro.

Turneu i Kehlmannit përfaqëson kulmin e një prirjeje që po fiton gjithnjë e më shumë terren: letërsia po shndërrohet në një spektakël të kulturës pop, që mbush salla të mëdha. Gjithnjë e më shumë shkrimtarë të njohur po ua besojnë organizimin e paraqitjeve të tyre agjencive të specializuara.

Edhe shkrimtarja Juli Zeh del para publikut në salla të njohura koncertesh, si Elbphilharmonie, Gewandhaus në Lajpcig dhe Volkshaus në Cyrih. Në këtë të fundit, vendet më të mira kushtojnë 97 franga zvicerane.

Ndërkohë, shkrimtari zviceran Martin Suter po promovon romanin e tij të ri „Ein und Alles“ në disa prej sallave më prestigjioze, nga Tonhalle në Cyrih dhe Teatri i Bazelit, deri te Thalia-Theater në Hamburg.

Madje, Suter mban rekordin për biletat më të shtrenjta: në Konzerthaus të Vjenës, një vend për ta ndjekur kushton deri në 106 euro.

Shkrimtarë që fitojnë mijëra euro për një paraqitje

Në rastin e autores së suksesshme Caroline Wahl, sallat ku zhvillohen takimet me lexuesit janë edhe më të mëdha.

Gjatë turneut të saj maratonë, që përfshin 25 paraqitje, ajo do të dalë para publikut në ambiente të mëdha aktivitetesh, si Lokwerk në Bielefeld. Megjithatë, çmimet e biletave mbeten relativisht të përballueshme, deri në 38 euro, ndoshta për shkak se një pjesë e madhe e lexuesve të saj janë të rinj.

Caroline Wahl, Juli Zeh, Martin Suter dhe Daniel Kehlmann janë ndër emrat më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore në gjuhën gjermane, të paktën sa i përket suksesit tregtar.

Librat e tyre, që tërheqin një publik të gjerë, renditen vazhdimisht në krye të listave të më të shiturve. Por këta autorë kanë arritur edhe diçka tjetër, pothuajse të pabesueshme: janë shndërruar nga shkrimtarë në yje të njohur për publikun e gjerë.

Ata nuk tërheqin më vëmendje vetëm për atë që shkruajnë, por edhe për famën që kanë fituar.

Ashtu si këngëtarët dhe muzikantët e njohur, edhe këta shkrimtarë përfaqësohen tashmë nga agjenci që organizojnë turne dhe veprimtari publike.

Për Wahl, Kehlmann dhe Zeh, këtë rol e luan agjencia MSK Meistersinger. E njëjta agjenci organizon edhe turneun aktual të Martin Suterit.

Në rastin e Suterit, përgjegjësinë për takimet letrare e ka shtëpia botuese Diogenes. Megjithatë, kur bëhet fjalë për turne të mëdha, organizimi i të cilave kërkon përgatitje të ndërlikuara logjistike, botuesi bashkëpunon me agjenci të specializuara.

Arsyeja është e thjeshtë: shtëpitë botuese nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë vetë me organizimin e të gjitha takimeve me autorët.

Nga ana tjetër, kërkesa e publikut për këto veprimtari ekziston. Pikërisht këtë mundësi po e shfrytëzojnë agjencitë.

Agjencia MSK Meistersinger, me seli në Berlin, është përqendruar tashmë te shkrimtarët që kanë fituar statusin e yjeve.

Duke zgjedhur të punojë kryesisht me autorët më të suksesshëm, ajo ndjek logjikën e një tregu që po ngushtohet gjithnjë e më shumë dhe që kërkon vazhdimisht emra të mëdhenj.

Vëmendja e publikut, honoraret, buxhetet e marketingut dhe shitjet e librave po përqendrohen gjithnjë e më shumë te autorët më të suksesshëm.

Me rritjen e ndikimit të agjencive, organizimi i veprimtarive letrare po bëhet më profesional, por njëkohësisht edhe më komercial.

Tashmë nuk synohet vetëm mbulimi i shpenzimeve për marrjen me qira të sallave dhe pagesën e autorëve. Organizatorët duan që këto veprimtari të sjellin edhe fitim.

Edhe honoraret e shkrimtarëve të njohur janë larg të qenit modeste. Gjithnjë e më shpesh, një autor i famshëm merr një honorar katërshifror për një paraqitje të vetme.

Megjithatë, Daniel Kehlmann i hedh poshtë zërat se honoraret e tij arrijnë në shuma pesëshifrore.

Ai nuk dëshiron të japë hollësi për pagesat, por sqaron:

„Mund t’ju them, megjithatë, se honorari im nuk është pesëshifror.“

Për krahasim, sipas rekomandimeve të shoqatës zvicerane të shkrimtarëve Autorinnen und Autoren Schweiz (A*dS), honorari mesatar për një takim letrar në Zvicër është 800 franga, ndërsa pagesa minimale e rekomanduar është 600 franga.

Shumica e shkrimtarëve, që nuk bëjnë pjesë në rrethin e ngushtë të autorëve më të suksesshëm, fitojnë shumë më pak.

Çfarë po ndodh me shtëpitë tradicionale të letërsisë?

Ndryshe nga koncertet muzikore, veprimtaritë letrare nuk përbëjnë ndonjë biznes veçanërisht fitimprurës.

Megjithatë, për organizatorët ato kanë një përparësi: rreziku financiar është më i vogël, sepse nuk kërkojnë pajisje të shumta teknike apo shumë personel.

Këtë e shpjegon Michael Bugmann, përfaqësues i agjencisë Tom Produkt në Hamburg.

Bugmann e nisi karrierën në industrinë e muzikës pop, por rreth 30 vjet më parë filloi të merrej edhe me organizimin e paraqitjeve të shkrimtarëve.

Arsyeja, siç kujton ai, ishte se „askush nuk merrej me këtë punë dhe Max Goldt arrinte të mbushte salla të mëdha që në vitet 1990“.

Sot, agjencia e tij përfaqëson, ndër të tjerë, Sibylle Berg, Dirk von Lowtzow dhe Max Küng.

Por Bugmann thekson se suksesi i një libri nuk garanton automatikisht suksesin e një takimi me publikun.

„Nuk mjafton të kesh një libër bestseller që njerëzit të vijnë. Një shkrimtar duhet ta fitojë vetë publikun që dëshiron ta ndjekë drejtpërdrejt.“

Agjencitë e organizimit të eventeve janë bërë tashmë aktorë me ndikim në botën letrare dhe po u bëjnë konkurrencë shtëpive tradicionale të letërsisë, festivaleve dhe organizatorëve lokalë.

Nicola Steiner, drejtuese e Literaturhaus Zürich, e sheh këtë ndryshim edhe nga përvoja e saj.

„Do të kisha shumë dëshirë ta prisja Daniel Kehlmannin në Literaturhaus, qoftë edhe në një sallë më të madhe“, thotë ajo.

Sipas saj, Kehlmann është pikërisht një autor që do t’i përshtatej publikut të këtij institucioni.

„Daniel Kehlmann i përshtatet publikut tonë. Por në panairin e librit askush as që ma ofroi mundësinë për të organizuar një takim me të“, shprehet Steiner.

Ajo shpjegon se institucione si Literaturhaus mbështeten në parimin e solidaritetit.

„Për sa i përket publikut tonë, ne nuk merremi vetëm me sportin elitar, por edhe me atë masiv.“

Me këtë krahasim, Steiner dëshiron të thotë se institucioni nuk u kushton vëmendje vetëm autorëve më të famshëm, por edhe një game të gjerë shkrimtarësh.

Në Cyrih, bileta e zakonshme për një veprimtari në Literaturhaus kushton 22 franga, pra më pak se një biletë kinemaje.

Një program kaq i gjerë shpesh nuk i mbulon vetë shpenzimet dhe mund të vazhdojë vetëm falë subvencioneve publike dhe sponsorizimeve.

Megjithatë, Steiner beson se letërsia bashkëkohore është mjaft e pasur dhe e larmishme për t’u dhënë mundësi organizatorëve të ndryshëm të krijojnë programe tërheqëse.

Çështjen e mundësisë së publikut për të pasur qasje në letërsi e ngre edhe Catherine Schlumberger, drejtuese ekzekutive e festivalit Solothurner Literaturtage.

Ajo thekson dallimin mes institucioneve kulturore të mbështetura me fonde publike dhe agjencive private që veprojnë për qëllime fitimi.

„Institucionet që marrin mbështetje financiare publike kanë një mision kulturor, ndërsa agjencitë komerciale veprojnë sipas parimeve të ekonomisë së tregut të lirë. Çmimet e biletave në institucionet letrare duhet të mbeten në një nivel që njerëzit mund ta përballojnë.“

Ndryshimet në tregun e veprimtarive letrare vërehen në dy drejtime.

Nga njëra anë, çmimet e biletave po rriten dhe rreth një numri të vogël autorësh të suksesshëm po krijohet një kult i ngjashëm me atë të yjeve të muzikës.

Nga ana tjetër, paraqitjet publike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për vetë shkrimtarët.

Nëse një autor nuk arrin të botojë një bestseller të madh, si Caroline Wahl ose Martin Suter, të ardhurat nga shitjet e librave janë të vogla, ndonjëherë pothuajse të papërfillshme.

Kjo ndodh sepse tirazhet e librave po bien në përgjithësi, madje edhe ato të bestsellerëve.

Në këtë mënyrë, bota e letërsisë po ndjek një rrugë të ngjashme me atë të industrisë muzikore.

Paraqitjet para publikut janë bërë tashmë e vetmja mënyrë që u mundëson shumë shkrimtarëve të fitojnë para.

Shpresa është e thjeshtë: sa më e madhe të jetë skena, aq më të mëdha mund të jenë edhe të ardhurat.

Në të njëjtën kohë, turne si ai i Daniel Kehlmannit dëshmojnë se magjia e takimit me shkrimtarin vazhdon të ketë ndikim edhe në epokën digjitale.

Lexuesit duan të njohin njeriun që qëndron pas librave që i kanë magjepsur.

Edhe nëse, kur del përpara tyre në një skenë të madhe, ai njeri duket krejt i zakonshëm.

Artikull i botuar në „NZZ am Sonntag“.