Jehona e tërmetit së 26 nëntorit ende nuk ka kaluar, megjithatë klubet e futbollit duhet t’iu rikthehen programit për të luajtur ndeshjet e radhës në Kategorinë Superiore.
Megjithatë, mendja mbetet ende te tragjedia që la pas fatkeqësia natyrore, ndërsa në një prononcim për Supersport, dy futbollistët e Tiranës Majkëll Ngo dhe Edon Hasani tregojnë si e kanë përjetuar momentin kur tërmeti goditi vendin.
Britaniku tregon se në atë moment u shpreh në shqip duke iu drejtuar zotit, ndërsa Hasani shfrytëzoi pushimin e kampionatit dhe u largua drejt Shkodrës. Sakaq, të dy futbollistët bashkohen në solidarizimin e tyre për viktimat dhe familjet e prekura nga tërmeti.
Majkëll Ngo- “Ditën e parë isha i frikësuar. Tërmeti ndodhte për herë të parë në jetën time. Jetoj në katin e shtatë të një pallati, mendova se ishte një bombë. Mendova ashtu siç thoni edhe ju në shqip, “O Zot”. O Zot më fal mëkatet e mia. Mora pantallonat dhe çelësat për të zbritur. Aty mora vesh që ishte një tërmet. Ishte situatë serioze pasi shumë njerëz humbën jetën. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjet që humbën jetën. I telefonova Edonit dhe i thashë çfarë ishte kjo. Ndenja poshtë për dy orë. Edhe një herë mendja të shkon te njerëzit që humbën jetën dhe kjo është një situatë shumë e vështirë”.
Stërvitja? “Kur erdha në stërvitje ishte më qetësi në fushë, por sa herë dilnim nga stërvitja mendja na shkonte njerëzit që humbën njerëzit dhe shtëpitë. Lutjet e mia shkojnë për ta. Toka vijonte të lëkundej”. Ndeshja me Kukësin? “Do të luaj për ato familje që pësuan humbjen e të afërmeve. Do të luajmë për ta. Me Kukësin është e vështirë por trajneri e ka përgatitur mirë. Do të japim 120% për njerëzit që patën fatkeqësi. E kemi përgatitur mirë këtë ndeshje”, tha Ngo.
Hasani- Përjetimi i tërmetit? “Ishte tmerr i vërtetë dhe isha. Dola nga banesa dhe mora familjen në telefon. Të gjithë po dilnin jashtë po hynin në makina për të ikur. E di atë imazh dhe e kam në mendje. Ishim pushim në stërvitje dhe ika në Shkodër 3 ditë. Është keqardhje për viktimat dhe familjet e tyre. Duhet të jenë të fortë dhe të kalojnë këtë situatë”.
Ndihmat? “Ishte nisëm e marrë nga stafi dhe futbollistët. Ishte diçka normale në këtë tragjedi që ndodhi dhe duhet ta kalojmë sa më shpejt”.
Stërvitja? Në stërvitje qëndruam me kokën mbrapa duke pyetur stafin nëse po bien tërmete dhe normalisht ndikon për keq. Kishim frikën e përsëritjes së diçkaje të tillë dhe nuk mund të stërviteshim normalisht”.
Kukësi? “Edhe në shtator ra tërmet para ndeshjes me Kukësin dhe Kukësi ka ekip cilësor dhe pretendent për të dalë kampion duhet të jemi të përqendruar për të marrë më të mirën”, tha Hasani.