Ndërsa politikëbërësit e BE-së merren me çështjet kushtetuese rreth niveleve të dëshiruara të integrimit europian, forcat globale po i imponojnë Europës një transformim politik. E vetmja pyetje e vërtetë me të cilën përballen europianët është nëse ata do të vendosen si një fuqi globale apo do të jenë thjesht gurë shahu të të tjerëve?
Nga Joschka Fischer
Lufta e Dytë Botërore dhe periudha e dekolonizimit që e pasoi atë, i dhanë fund dominimit shekullor global të fuqive të mëdha të Europës. Pas vitit 1945, asnjë nga fuqitë globale – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik – nuk ishte europiane, dhe një sërë shtetesh-kombe të reja të pavarura dolën në skenën botërore.
Pas arritjes së fitoreve si në Paqësor ashtu edhe në Europë, vetëm Shtete e Bashkuara ishin aq të forta saqë t’i siguronin Perëndimit akoma mbizotërues një rend politik dhe ekonomik. Amerika siguroi mbrojtje ushtarake dhe mbështetje për bashkëpunimin politik dhe tregtinë e lirë, ndërsa pjesa tjetër e botës perëndimore u përpoq të kapërcente forcat e nacionalizmit dhe proteksionizmit.
Amerika gjithashtu krijoi institucione ndërkombëtare të bazuara në rregulla. Në Europë, ky kuadër multilateral evoluoi përfundimisht në një sistem të ri europian (perëndimor) shtetesh: Bashkimi Europian i sotëm. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në Krishtlindjen e vitit 1991, SHBA-ja u bë superfuqia e vetme në botë dhe shumë shpejt u shtri shumë. Momenti njëpolar përfundoi me pushtimin e pakuptimtë të udhëhequr nga SHBA-ja të Irakut në vitin 2003, një vend nga i cili SHBA-ka ka më shumë se një dekadë që përpiqet të largohet.
Por rendi global nuk mund të ekzistojë në një vakum, sepse do të afrohen gjithmonë fuqi të tjera për ta mbushur atë boshllëk. Prandaj, fuqia e re në zhvillim, Kina, po nxiton të tregojë veten në skenën botërore, po ashtu edhe një Rusi e rigjeneruar ushtarakisht, fuqia tjetër kryesore bërthamore në botë pas SHBA-së. Rendi aktual nuk përcaktohet më nga një ose dy superfuqi, por as nuk bazohet në multilateralizëm – apo në ndonjë kuadër tjetër të krijuar për të ekuilibruar interesat konkurruese dhe të përmbajë, parandalojë ose zgjidhë konflikte.
Zgjedhja e presidentit amerikan Donald Trump shënoi fillimin e tërheqjes aktive të Amerikës nga rendi global që ajo ndihmoi të ndërtohej. Nën drejtimin e Trump, SHBA-ja është përpjekur qëllimisht të shkatërrojë institucionet e pas luftës, siç është Organizata Botërore e Tregtisë, ndërkohë që haptazi vë në dyshim aleancat ndërkombëtare të testuara me kohë siç është NATO-ja. Epoka multilaterale Pax Americana e kohës së Luftës së Ftohtë i ka dhënë rrugë kthimit të një bote në të cilën vende individuale pretendojnë interesat e tyre kombëtar në kurriz të fuqive të tjera, më të dobëta. Ndonjëherë kjo përfshin presion ekonomik ose diplomatik; dhe ndonjëherë, si në rastin e veprimeve të Rusisë në Ukrainën lindore, kjo përfshin përdorimin e forcës.
Europa nuk mundet thjesht të shmangë apo shpërfillë efektet e këti ndryshimi të madh. Ndërsa Bashkimi Europian është i fuqishëm në aspektin ekonomik, teknologjik dhe tregtar, ai nuk është një fuqi e madhe në vetvete. Atij i mungon vullneti homogjen politik dhe aftësitë ushtarake që mbështesin fuqinë e mirëfilltë gjeopolitike, dhe ka ardhur në një pikë që i merr për të mirëqena shumë nga vetë traditat e tij. I përbërë nga 27 vende anëtare, Bashkimi Europian është trashëgimia e saktë e rendit multilateral që tani është në rënie.
Kthimi historik nga multilateralizmi i bazuar në rregulla në një sistem të paqëndrueshëm rivalitetesh fuqish të mëdha është në mospërputhje me sfidat e ndryshme globale në rritje, sidomos ndryshimet klimatike. Parandalimi i ngrohjes katastrofike globale kërkon veprim kolektiv nga një komunitet ndërkombëtar që përfshin shumicën dërrmuese të vendeve, jo ringjalljen e një rendi global bazuar në konkurrencën midis shteteve.
Për fat të mirë, BE-ja tashmë mban një pozicion drejtues në lidhje me zbutjen e ndryshimeve klimatike, si në aspektin teknologjik ashtu edhe në atë rregullator. Detyra e Europës tani është që të ruajë dhe zgjerojë këtë drejtim, jo vetëm për të mirën e planetit, por edhe për interesat e veta ekonomike. Në fund të fundit, tërheqja e Amerikës po e detyron Europën me të drejtë të bëhet një fuqi. Përndryshe, ajo do të bëhet thjesht një instrument i varur nga fuqitë e tjera.
Në terma gjeopolitikë, Trampizmi, forcimi i Kinës dhe revizionizmi rus – i cili merr formën e agresionit ushtarak, për shkak të dobësimit të bazës ekonomike të Rusisë – nuk u ka lënë zgjedhje tjetër europianëve, përveçse të ndjekin statusin e fuqisë së madhe. Vala aktuale e risive teknologjik e ka forcuar më tej domoshdoshmëri. Dixhitalizimi, inteligjenca artificiale, të dhënat e mëdha dhe (ndoshta) informatika kuantike do të përcaktojnë se si duket bota e së nesërmes, përfshirë edhe se kush e udhëheq atë.
Në zemër të tij, revolucioni dixhital ka të bëjë me politikën, jo teknologjinë. Liria e individëve dhe e shoqërive të tëra është në rrezik. Në të ardhmen dixhitale, liritë politike që mbështesin civilizimin perëndimor do të varen gjithnjë e më shumë nga çështjet e pronësisë së të dhënave. Të dhënat e firmave europaine do t’i përkasin Silicon Valley apo Kinës, apo do t’i nënshtrohen kontrollit sovran të vetë europianëve? Për mendimin tim, kjo pyetje do të jetë kritike në përcaktimin e kredencialeve të fuqisë së madhe të Europës në vitet dhe dekadat e ardhshme.
Europianët kanë debatuar prej kohësh çështje kushtetuese siç është niveli i dëshiruar i integrimit ose konfederatës (Staatenverbund) për BE-në. Por koha për këto diskutime ka mbaruar, të paktën tani për tani. Sfida tani është ta shndërrojmë Europën në një fuqi të madhe para se ajo të rrëzohet nga forcat më të mëdha teknologjike dhe gjeopolitike.
Europa nuk mund të lejojë të mbetet pas në aspektin teknologjik apo përsa i përket fuqisë gjeopolitike. Ajo ka një përgjegjësi për të udhëhequr pjesën tjetër të botës përsa i takon çështjes së ndryshimeve klimatike, e cila do të kërkojë risi teknologjike, si edhe rregullatore. Shndërrimi në një fuqi të madhe për çështjen e ndryshimeve klimatike duhet të jetë përparësia kryesore e Europës.
Project Syndicate- What Kind of Great Power Can Europe Become?