Nga John Blake, CNN
Në verën e vitit 2008, një “parashikuese” e moshuar që pretendonte se kishte filluar të parandjente që në moshën 5-vjeçare, publikoi një libër që përmbante një parashikim të keq.
“Rreth vitit 2020, një sëmundje e rëndë me pneumoni do të përhapet në të gjithë globin, duke sulmuar mushkëritë dhe bronket; sëmundje që do të jetë rezistente ndaj të gjitha trajtimeve deri tani të njohura”, thoshte parashikimi. “Por më shqetësuese se vetë sëmundja do të jetë fakti që papritmas ajo do të zhduket aq shpejt sa ç’arriti, do të sulmojë përsëri dhjetë vjet më vonë dhe pastaj do të zhduket plotësisht”, shkruhet në libër.
Parashikimi u venit nga kujtesa publike ndërsa autorja e librit, Sylvia Browne, vdiq në vitin 2013. Por pandemia e koronavirusit të ri ka risjellë vëmendjen te libri i Browne, “Fundi i Ditëve: Parashikime dhe Profecitë mbi Fundin e Botës”. Libri renditet i dyti në seksionin “fiction” të Amazon.com dhe kopjet fizike të tij tani po shiten për qindra dollarë.
Qeveria dhe zyrtarët e shëndetit publik kanë nxjerrë të gjitha llojet e udhëzimeve për t’i ndihmuar njerëzit të mbrohen nga përhapja e Covid-19. Por ekziston një infektim tjetër që ekspertët duket se janë të pafuqishëm ta ndalojnë: Murtaja e profetëve që paralajmërojnë se koronavirusi është një shenjë që ne jemi në “fundin e ditëve”.
Ka diçka në lidhje me pandemitë që i bën njerëzit e panikosur të zbrazin mendjen sëbashku me raftet e supermarketeve.
Paralajmërime të panumërta për Qametin (fundin e botës), si parashikimi i Browne, po përhapen gjerësisht në internet, duke përzier frikën e koronavirusit me gjithçka tjetër: nga paranoja politike për një “qeveri botërore të kontrolluar nga Kombet e Bashkuara”, deri te zjarret e Australisë dhe tufat e karkalecave në Afrikë.
Çfarë i shtyn këta “profetë” të Qametit
Shumë prej tyre përfshijnë interpretime jashtëzakonisht të pasakta të Librit të Zbulesës. Shpesh këta profetë pandemikë u japin fund parashikimeve të tyre me sinjalizime të tilla si “Nëse nuk ke një Bibël, blije sa më parë!”.
Ndoshta nuk është çudi që disa njerëz po grumbullojnë armë dhe municione.
Por njerëzit që merren me studimin e fesë dhe profecive thonë se është koha që këta profetë dhe psikikë të mediave sociale duhet të futen në një vetëkarantinim të detyruar.
“Teoricienët e fundit të botës po dëmtojnë shëndetin shpirtëror dhe psikologjik të njerëzve”, thonë studiuesit. Këta teoricienë madje pretendojnë se kanë dije që edhe figurat më të nderuara në fe nuk kanë guxuar t’i shqiptojnë.
Sa herë që Ulrich Lehner, një teolog katolik në Universitetin “Notre Dame” në Indiana (SHBA), haset me predikues të mediave sociale që paralajmërojnë se Covid-19 do të thotë se fundi i botës është afër, ai u përgjigjet vetëm me këtë përgjigje: “Mateu 24:36”.
Ky është pasazhi kur Jezusi flet për fundin e botës: “…Por për atë ditë ose orë askush nuk e di, as engjëjt në Parajsë, as Biri, por vetëm Ati”.
“Vetë Jezusi tha: ‘Ju nuk e dini orën’, megjithatë disa profetë të vetëshpallur sot duket se dinë më shumë se engjëjt përreth fronit të Zotit”, thotë Lehner. Ai shprehet se disa nga profetët e fundit të botës ndoshta nxiten nga një tjetër mëkat: Krenaria.
“Ndoshta te këta tipat që krijojnë panik masiv ekziston edhe një farë krenarie, një vetëbesim i fryrë e tipit “unë kam një dije të veçantë”, thotë Lehner. “Nëse kjo nuk është djallëzore, nuk e di tjetër ç’është!”, shprehet teologu që është edhe autor i librit “Zoti Nuk Është i Bukur: Të refuzosh teologjinë e Pop Kulturës dhe të zbulosh vlerën e Zotit për të cilën ia vlen të jetosh”.
Por dikush që e lidhi Covid-19 me shkrimet biblike thotë se nuk po përpiqej të përhapte frikë. Elisha Jones, drejtoreshë e rinisë në një kishë në juglindje të Teksasit, postoi në Twitter pasazhe nga Kronikat 7 (13-15).
Ato kanë të bëjnë me pjesën në Bibël ku thuhet se Zoti i tha Solomonit: “Kur të mbyll qiejtë që të mos ketë shi, ose të komandoj karkalecat të gllabërojnë tokën ose të dërgoj një murtajë mes njerëzve… Unë do ta shëroj tokën” nëse njerëzit “kthehen nga mënyrat e tyre të liga”.
Dikush shkroi poshtë këtij pasazhi biblik: “Zjarret australiane – shi nuk ra. Afrikë – murtaja e karkalecave. Pandemia botërore – Covid-19”.
Jones shprehet se po përpiqet të paralajmërojë njerëzit se “Jezusi ka thënë se këto gjëra do të ndodhin” dhe se Toka po pëson “dhimbje lindjeje përpara se Jezusi të zbresë për herë të dytë në Tokë”.
“Unë absolutisht mendoj se mund të jetë një shenjë e drejtpërdrejtë e asaj që Zoti tha që do të ndodhte, apo edhe një pararendëse e asaj që do të vijë”, thotë Jones për Covid-19 dhe ngjarje të tjera botërore.
Një histori e gjatë parashikimesh të këqija të Qametit
Cilido të ketë qenë motivi, parashikimet për fundin e botës nuk kanë një rekord të mirë historik.
E mbani mend Y2K? Po “Apokalipsin e Mayave”?
Shumë njerëz besuan se fundi i kalendarit të Mayave, më 21 dhjetor 2012, do të thoshte gjithashtu edhe fundin e botës. Ata paralajmëruan për valë gjigante batice dhe se Toka do të përplasej me një planet tjetër. Shitjet e produkteve që shërbejnë për mbijetesë u rritën dhe pati raportime të tilla si ajo e një burrë në Kinë që ndërtoi madje edhe një Arkë moderne të Noes.
Por parashikime të tilla të këqija nuk janë një dukuri moderne.
Historianët thonë se shumë të krishterë në Evropën e shekullit të 17 parashikuan se bota do të përfundonte në vitin 1666 sepse numrat “666” përfaqësonin shenjën e Bishës që përmendet në Librin e Zbulesës. Kur Zjarri i Madh i Londrës, i cili zgjati për katër ditë, shpërtheu po atë vit, shumë njerëz e panë atë si një përmbushje të profecisë.
“Parashikuesja” Browne u kritikua vazhdimisht për pasaktësinë e profecive të saj kur ishte gjallë. Ka shumë llogaritje të pasakta të saj, të cilat nuk bënë gjë tjetër veçse shtuan dhimbjen e familjarëve të viktimave. Ajo madje parashikoi se do të vdiste në moshën 88-vjeçare, por vdiq në fakt 77 vjeç.
Edhe parashikimi më i famshëm i Browne, që lidhet me një sëmundje misterioze respiratore në vitin 2020, duket ndryshe në një dritë kritike.
Teksa shqyrton profecinë e Browne, “Snopes.com”, faqja e internetit që merret me kontrollin e fakteve, shkruan “kërkimi për pretendime të paqarta mbi ngjarje të mundshme nuk është parashikim”. Faqja nuk e vlerëson parashikimin e Browne si të pavërtetë ose të rremë, por si një “përzierje” që përmban elemente domethënëse të së vërtetës dhe të pavërtetësisë.
“Është e paqartë nëse parashikimi i Browne ishte më shumë një hamendësim fatlum, duke marrë parasysh që libri u shkruajt pas shpërthimit të epidemisë SARS”, shkruan “Snopes.com”.
Shumë përsërisin mite rreth Zbulesës
Nëse do të kishte një çmim për burimin më të keqkuptuar për parashikime të këqija, ai do t’i jepej Libri të Zbulesës. Mund të konsiderohet kryqëzimi i fundit i Biblës – asnjë imazh dhe gjuhë tjetër e Biblës nuk ka depërtuar kaq shumë në kulturën popullore.
Edhe njerëzit që nuk e kanë lexuar kurrë Biblën janë të njohur me referencat e saj: Katër Kalorësit e Apokalipsit, Dragoit të Kuq, numrit 666 dhe shtatë dënimet e Zotit.
“Zbulesa” është e mbushur me pamje të tilla mbresëlënëse, aq sa një teolog që ka studiuar tekstin e quan atë një libër “multimedia”, me imazhe popullore që funksionojnë si një sëmundje infektive.
“Ato shkëputen nga teksti më i madh dhe qarkullojnë si viruse të vogla në kulturën tonë që e lidh me gjëra të tjera. Dhe pikërisht atëherë ato përhapen (si virus)”, thotë Timothy Beal, autor i “Libri i Zbulesës: Një Biografi”. Ai është gjithashtu profesor i fesë në Universitetin “Case Western Reserve” në Ohio (SHBA).
Beal thotë se shumë njerëz që citojnë “Zbulesën” e kuptojnë gabim simbolikën. “Pothuajse asnjë nga njerëzit që flasin për “Zbulesën” nuk janë ulur dhe ta lexojnë vërtet atë”, thotë ai. Shumë njerëz, për shembull, besojnë se “Rrëmbimi” – pjesa ku besohet se Jezusi rikthehet në fund të kohës dhe të gjithë të krishterët, të vdekur dhe të gjallë, do të ngrihen në ajër për ta takuar – është në “Zbulesë”.
“Aspak e vërtetë”, thotë Beal.
Nuk ka asnjë përmendje të qartë të “Rrëmbimit” në “Zbulesë”. Ka referenca për konceptin në shkrime të tilla si Letra e Parë për Korinthasit (15:52), e cili thotë, “… sepse boria do të bjerë, dhe të vdekurit do të ringjallen të pavdekshëm, dhe ne do të ndryshohemi”.
Por Beal thotë se teoria e “Rrëmbimit” origjinën në fakt e ka në shekullin XIX te puna e një teologu të quajtur John Nelson Darby.
Po Antikrishti? A nuk është ai te “Zbulesa”?
“Jo”, thotë Beal.
Shkruesi i librit të parë të Gjonit në Dhjatën e Re paralajmëron për “Antikrishtë” ashtu në përgjithësi, të cilët mohojnë se Jezusi është Mesiah. Nga ana tjetër, nuk ka askund një figurë si personazhi qendror në filmin “Omen”, një djalë dinak i Satanait me numrin 666 të gdhendur në trupin e tij.
Po numri 666 – a nuk është ai tek “Zbulesa”?
Po, por nuk i referohet Satanait. Përkundrazi, teologët thonë se numri i referohet një tjetër mishërimi të së keqes për të krishterët e hershëm: Neronit, perandorit Romak.
Jones, drejtoresha e të rinjve të kishës në Teksas, citoi vargun 15: 1-3 nga “Zbulesa”, i cili paralajmëron për “shtatë engjëj që do të sjellin shtatë fatkeqësi”.
“Nuk mendoj se postimi i gjërave të kësaj natyre do të krijojë frikë”, thotë Jones. “Besimi im është që Zoti do të vijë së shpejti dhe do të ketë gjëra që janë shkruar që do të ndodhin, gjëra që mund të duken pak të frikshme. Por mendoj se ripohon atë që Zoti tha që do të ndodhte”.
Pse evokimi i skenareve mbi fundin e botës mund të jetë i dëmshëm
Evokimi i pasazheve biblike mbi fundin e botës mund të forcojë besimin e disa njerëzve të cilët u japin kuptime ngjarjeve që duken mizore dhe arbitrare. “Por ata që evokojnë imazhet e tmerrshme të “Zbulesës” në lidhje me COVID-19, bëjnë më shumë sesa rishkruajnë gabim shkrimet e shenjta. Ata mund të dëmtojnë shëndetin psikologjik të të tjerëve”, thotë Beal.
“Kisha një studente që më tha se teksa po lexonte “Zbulesën” në breg të detit, e kishte zënë gjumi dhe kur ishte përmendur, ishte zgjuar në mes të një stuhie. Kishte pësuar një atak paniku absolut sepse kishte kujtuar sikur kishte kaluar ato që përshkruheshin në libër”, thotë profesor Beal.
Parashikimet mbi fundin e botës që frymëzohen nga Bibla gjithashtu mund të çojnë në një tjetër rrezik: Të mos bërit asgjë! Beal beson se njerëzit që janë kapur nga paniku për diçka si Covid-19 mund të injorojnë çështje të tjera kronike që kërcënojnë mbijetesën e njerëzimit, siç është ndryshimi i klimës.
“Mund të çojnë në një thirrje për mosveprim”, thotë Beal për keqinterpretimet e “Zbulesës”. “Njerëzit do të thonë se gjithçka që po ndodh, është plan i Zotit dhe situata do të përkeqësohet përpara se ajo të përmirësohet. Kështu që, nuk ka asgjë që mund të bëjmë në lidhje me të, sepse është vullneti i Zotit”.
Por kjo gjithsesi nuk do t’i ndalojë njerëzit të evokojnë “Zbulesën” kur një pandemi godet. Për shekuj me radhë, ai ka qenë kryelibri për profetët e fundit të botës, që paralajmërojnë përhapjen e “murtajave të qametit” dhe modeleve të çuditshme të motit.
Në një shkrim për gazetën “Christian Post”, një studiues ngriti pyetjen nëse Libri i Zbulesës e parashikoi apo jo koronavirusin, duke arritur në përfundimin se “goditja e fundit do të jetë shumë më e fortë se kjo”.
Sidoqoftë, shumë studiues biblikë thonë se Libri i Zbulesës nuk ka të bëjë me fundin e botës. Përkundrazi, bëhet fjalë për fundin e botës së autorit të saj, një hebre i devotshëm dhe ndjekës i hershëm i Jezusit. Ai po mundohej të kuptonte se si Perandoria Romake kishte sulmuar Jeruzalemin në 70 para Krishtit, duke djegur Tempullin e Madh pasi shtypën një revoltë hebreje.
Shkatërrimi i Tempullit të Jeruzalemit ishte i pakuptueshëm për disa ndjekës të hershëm të Jezusit. Ata pritën që Jezusi të kthehej “me fuqi” dhe të pushtonte Romën përpara Erës së Re. Por në fakt, ishte Roma që pushtoi atdheun e Jezusit.
“Libri i Zbulesës ishte mënyra e autorit për të kujtuar të krishterët e hershëm se Zoti dhe drejtësia përfundimisht do të mbizotëronin”, thotë teologu Lehner.
“Libri i Zbulesës nuk është një libër rreth parashikimeve, por një libër ngushëllimi”, shprehet ai. Sipas tij, pikërisht ngushëllimi është ai që njerëzit duhet të përhapin në rrjetet sociale dhe jo parashikimet mbi fundin e botës.
Lehner thotë se kohët e fundit ai ka lexuar lutje shumë të bukura, madje edhe mesazhe humoristike në mediat sociale që ia kanë ngritur shpirtin peshë, ashtu siç duhet të ndodhë edhe me ata njerëz që aktualisht janë të izoluar.
“Këto mesazhe mund të mos jenë aq tronditëse sa postimet për fundin e botës. Por, përpara se të vendosni të shpërfaqni Nostradamusin brenda jush, thoni një fjalë të ngrohtë në vend të parashikimeve tuaja për fundin e botës”, thotë Lehner.
“Në fund, do të ndiheni më mirë. Dhe poaq mirë do të ndihemi të gjithë ne të tjerët, pasi kemi nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme në ditët që na presin”.(gazetaSI)