Ballina Argëtim Kuriozitete COVID / Survejimi nën lëkurë, policia e sapunit, një plan botëror

COVID / Survejimi nën lëkurë, policia e sapunit, një plan botëror

Nga Yuval Noah Harari

Njerëzimi po përballet me një krizë globale. Ndoshta me krizën më të madhe të gjeneratës sonë. Vendimet që do merren në javët në vazhdim nga njerëzit dhe qeveria do të formësojnë botën për disa vite në vijim. Ato do të formësojnë jo vetëm sistemet tona shëndetësore, por edhe ekonominë, politikën e kulturën tonë.

Ne duhet të veprojmë shpejt dhe vendoshmërisht. Gjithashtu ne duhet të marrim parasysh pasojat afatgjata të veprimeve tona. Në kryqëzimin e zgjedhjes mes dy alternativash, duhet të pyesim veten jo thjesht si të kapërcejmë rrezikun e menjëhershëm, por gjithashtu dhe se në cfarë kushtesh do jetojmë pasi stuhia të qetësohet.

Po, stuhia do kalojë, njerëzimi do të mbijetojë, shumica prej nesh do jenë akoma gjallë – por ne do të jetojmë në një botë ndryshe.

Shumë masa emergjence afatshkurtra do të krijojnë ndikime të përhershme në jetën tonë. Kjo është natyra e emergjencave. Ato përshpejtojnë procese historike. Vendime të cilat në kohëra normale do të kërkonin vite shqyrtime merren tashmë në çështje minuti. Teknologji të papjekura dhe të rrezikshme vendosen në shërbim, sepse rreziku i të mos bërit asgjë është akoma më i madh.

Shtete të tëra luajnë rolin e kavjeve në eksperimente sociale në shkallë të gjerë. Çfarë ndodh kur të gjithë punojnë nga shtëpia dhe komunikojnë vetëm në distancë? Çfarë nodh kur shkolla e universitete të tërë zhvendosen online? Në kohëra të zakonshme, qeveritë, bizneset dhe bordet edukative nuk do të binin kurrë dakord të merrnin përsipër eksperimente të tilla. Por këto s’janë kohëra të zakonshme.

Në këtë përiudhë krize, përballemi me dy zgjedhje veçanërisht të rëndësishme. E para qëndron mes survejimit totalitarist dhe fuqizimit të nënshtetasve. E dyta qëndron mes izolimit nacionalist dhe solidaritetit global.

Survejim deri nën lëkurë  

Në mënyrë që të ndalohet epidemia, popullsi të tëra duhet t’ju binden udhëzimeve të caktuara. Ekzitojnë dy opsione kryesore për ta arritur këtë. Një metodë është ajo e monitorimit të njerëzve nga qeveria dhe ndëshkimi kundrejt atyre që thyejnë masat e vëna. Sot, për të parën herë në historinë njerëzore, teknologjia bën të mundur të monitorohet gjithkush gjatë gjithë kohës.

Para 50 vitesh, KGB-ja nuk mund t’i ndiqte nga pas 240 milionë nënshtetas sovjetik përgjatë 24 orëve të ditës, as nuk mund të procesonte efektivisht të gjithë informacionin e grumbulluar. KGB-ja mbështetej në agjentë humanë dhe analistë, dhe ishte e pamundur të caktonte nga një agjent të ndiqte pas çdo individ. Por tani qeveritë mund të mbështeten në sensorë të kudogjendur dhe algoritme të fuqishme në vend të hijeve nga mishi e gjaku.

Në betejën e tyre kundrejt pandemisë së korona virusit, qeveri të ndryshme kanë tashmë vendosur mjete të reja survejimi. Rasti më i dukshëm është ai i Kinës. Nga monitorimi i celularëve të njerëzve, përdorimi i qindra miliona kamerash me face-recognition, dhe detyrimi i individëve të kontrollojnë dhe raportojnë temperaturën e tyre trupore dhe gjendjen shëndetësore, autoritetet kineze mundën që me shpejtësi të identifikojnë mbartësit e dyshuar të virusit, por gjithashtu të gjurmojnë lëvizjet e tyre dhe të identifikojnë të gjithë më të cilët kanë pasur kontakt. Një sërë aplikacionesh celularë paralajmërojnë nënshtetasit për afërsinë me pacientët e infektuar.

Kjo lloj teknologjie nuk merr fund vetëm me Azinë lindore. Kryeministri Benjamin Netanyahu i Izraelit kohët e fundit ka autorizuar Agjensinë e Sigurimit të Izraelit të vendosë teknologji survejimi, që zakonisht rezervohet vetëm për të luftuar terroristët, për gjurmimin e pacientëve me korona virus. Megjithëse Parlamenti refuzoi të autorizojë këto masa, Netanyahu i përplasi ato me një “dekret emergjence”.

Mund të mendojmë se këtu s’ka asgjë të re. Përgjatë viteve të fundit ashtu si qeveritë dhe koorporatat kanë përdorur teknologji gjithmonë e më të përparuara të gjurmojnë, monitorojnë dhe manipulojnë njerëzit. Por nëse ne nuk tregojmë kujdes, pandemia mund të shënojë një çast vendimtar në historinë e survejimit. Jo vetëm ngaqë mund të normalizojë vendosjen e mjeteve të survejimit masiv në shtete që i kanë refuzuar ndër vite, por edhe nga mundësia që tani ka për një tranzicion dramatik nga survejimi “mbi lëkurë” në atë “nën lëkurë”. Gjer tani, kur gishti yt prekte ekranin e smartphone-it tënd dhe klikonte një adresë, qeveria ishte e interesuar të dinte ekzaktësisht çfarë po klikohej. Por me korona-virusin, fokusi i interesimit lëviz. Tani qeveria dëshiron të dijë temperaturën e gishtit tënd dhe presionin e gjakut poshtë lëkurës së tij.

Pudingu i emergjencës

Një nga problemet me të cilat hasemi në zbulimin se ku qëndrojmë në raport me survejimin është se askush nga ne nuk e di me saktësi si po vëzhgohemi, dhe se çfarë mund të sjellin vitet e ardhshme. Teknologjia e survejimit po zhvillohet me një shpejtësi të rrezikshme, dhe çfarë konceptohej si fanta-shkencë para 10 vitesh tashmë është lajm i vjetëruar.

Një eksperiment i menduar: Konsidero një qeveri hipotetike që kërkon prej çdo nënshtetasi të mbajë veshur një byzylyk biometrik që monitoron temperaturën trupore dhe rrahjet e zemrës përgjatë 24 orëve të ditës. Të dhënat e rezultuara vihen mënjanë dhe analizohen nga algoritmet qeveritare. Algoritmet do të arrijnë të llogarisin nëse je i sëmurë para se ti vetë të jesh në dijeni dhe gjithashtu do të marrin vesh se ku ke qenë dhe kë ke takuar. Zinxhirët e një infeksioni kështu mund të shkurtohen drastikisht dhe madje të këputen. Një sistem i tillë mbart potencialin ta ndalojë pandeminë në çështje ditësh. Tingëllon e mrekullueshme, apo jo?

Disavantazhi i saj është sigurisht, se kjo do t’i jepte legjitimitet një sistemi të ri tmerrues vëzhgimi. Nëse ti di p.sh se unë klikova një adresë të Fox News në vend të një të CNN, kjo mund të të mësojë diçka rreth bindjeve të mia politike; ndoshta edhe rreth personalitetit tim. Por nëqoftëse ti mund të monitorosh çfarë i ndodh temperaturës time trupore, presionit të gjakut dhe rrahjeve të zemrës teksa shikoj videon, ti mund të mësosh se çfarë më bën të qesh, çfarë më bën të qaj dhe se çfarë më bë shumë, shumë me nerva.

Është thelbësore të kujtohet se zemërimi, gëzimi, mërzitja dhe dashuria janë fenomene biologjike po ashtu si ethet apo kollitja. E njëjta teknologji që identifikon të kolliturat mundet gjithashtu të identifikojë të qeshurat. Nëse koorporatat dhe qeveritë arrijnë të korrin edhe këto të dhëna tonat biometrike në masë, ata mund të arrijnë të na njohin shumë herë më mirë nga se njohim veten. Dhe nuk munden thjesht të parashikojnë ndjenjat tona, por gjithashtu t’i manipulojnë ato dhe të na shesin më pas çdo gjë që dëshirojnë – produkt apo politikan.

Monitorimi biometrik do të bënte që taktikat e hackimit të të dhënave të Cambridge Analytica të tingëllonin si diçka nga Epoka e Gurit. Përfytyroni Korenë e Veriut në vitin 2030, ku çdo nënshtetas duhet të mbajë veshur një byzylyk biometrik përgjatë gjithë ditës. Nëse ti po dëgjon një fjalim nga Lideri i Madh dhe byzylyku detekton shenjën më të vogël të zemërimit, je i mbaruar.

Sigurisht që rasti i “vëzhgimit biometrik” mund të na kërkohet si një masë të përkohshme që merret nga shtetet në raste të jashtëzakonshme. Pra që do të përfundonte pasi gjendja e emergjencës të kalonte. Por masat e përkohshme kanë një zakon të keq që ti tejkalojnë emergjencat, veçanërisht kur ka gjithmonë emergjenca të reja në horizont. Marr shembull rastin e atdheut tim, Izraelit, i cili deklaroi një gjendje emergjence gjatë Luftës për Pavarësi në 1938, gjë që justifikoi një sërë masash të përkohshme që nga censurimi i shtypit dhe konfiksimi i tokave, tek udhëzimet specifike për të bërë puding (pa shaka).

Lufta për Pavarësi është fituar me kohë, por Izraeli akoma nuk e ka deklaruar të përfunduar gjendjen e emergjencës dhe ka dështuar në shfuqizojë shumë nga masat e “përkohshme” të 1948 (dekreti emergjent i pudingut u shfuqizua më në fund në 2011).

Edhe kur infeksionet nga korona virusi të bien në zero, disa qeveri të uritura për të dhëna, do të argumentojnë se duhet t’i mbajnë në veprim sistemet e vëzhgimit biometrik, pasi… i druhen një vale të dytë korona virusi. Ose ngaqë një racë e re Ebole po zhvillohet në Afrikë, ose sepse… etj etj, E kuptoni idenë besoj. Një betejë e madhe që për vite me rradhë cenon privatësinë tonë. Kriza e korona virusit mund të jetë pika e kthesës në këtë betejë. Pasi kur njerëzve iu duhet të vendosin mes privatësisë dhe shëndetit, ata përgjithësisht do zgjedhin shëndetin.

Policia e sapunit

Në fakt t’u kërkosh njerëzve të zgjedhin midis privatësisë dhe shëndetit nuk është rrënja e problemit. Pasi kjo është një zgjedhje e rremë. Ne mundemi dhe duhet të shijojmë si privatësinë, ashtu dhe shëndetin. Ne mund të zgjedhim të mbrojmë shëndetin tonë dhe të ndalojmë korona virusin duke mos institucionalizuar regjime survejimi totalitariste, por duke fuqizuar nënshtetasit.

Në javët e fundit, disa nga përpjekjet më të suksesshme për të përmbajtur përhapjen e kësaj pandemie janë orkestruar nga Korea e Jugut, Taiwan dhe Singapore. Ndërkohë që këto shtete kanë vënë në përdorim dhe disa aplikacione gjurmimi, ata janë mbështetur shumë më tepër në testime gjithëpërshirëse, në raportime të ndershme, dhe në vullnetin e bashkëpunimit për një publik të mirë informuar.

Monitorimi i centralizuar dhe ndëshkimet e ashpra nuk janë e vetmja rrugë që bëjnë njerëzit të pajtohen me rregulla sipërfaqësore. Kur njerëzve u transmetohen faktet shkencore, dhe kur ata i besojnë këtyre autoriteteve që t’jua përcjellin të tilla të dhëna, nënshtetasit mund të bëjnë gjënë e duhur edhe pa një Big Brother që i shikon sipër kokës.

Një popullsi e informuar mirë dhe e motivuar është shumë herë më e fuqishme dhe efektive se sa një popullsi e mbajtur nën kontroll e injorante.

Mendo p.sh larjen e duarve me sapun. Kjo ka qenë një ndër përparimet më të mëdha ndonjëherë në higjenen njerëzore. Ky veprim i thjeshtë ruan miliona jetë çdo vit. Ndërkohë që ne e marrim për të mirëqenë, shkencëtarët vetëm në shekullin XIX e zbuluan rëndësine e këtij rituali. Më parë, madje dhe vetë doktorët dhe infermierët procedonin nga një operacion kirurgjikal në tjetrin pa i larë duart.

Sot miliarda njerëz lajnë duart, jo se janë të frikësuar nga policia e sapunit, por sepse kuptojnë faktet. Unë laj duart me sapun pasi kam dëgjuar mbi viruset dhe bakteret, e kuptoj që këto organizma mikroskopik shkaktojnë sëmundje dhe e di se sapuni mund t’i zhdukë ato.

Por për të arritur një nivel të tillë dakordësie dhe bashkepunimi, nevojitet besim. Njerëzit duhet të besojnë shkencën, autoritetet publike dhe median. Gjatë viteve të fundit, politikanë të papërgjegjshëm kanë minuar me qëllim besimin mbi këto të fundit. Tani po këta politikanë të papërgjegjshëm mund të tundohen të nisen në rrugëtimin drejt autoritarizmit, duke argumentuar se nuk mundesh thjesht të besosh se publiku do bëjë gjënë e duhur.

Sigurisht që një besim i gërryer për vite nuk mund të rindërtohet brenda një nate. Por këto nuk janë kohëra të zakonshme. Në një moment krize, mendjet munden gjithashtu të ndryshojnë menjëherë. Ti mund të kesh debate të hidhura me motrat dhe vëllezërit e tu për vite, por kur ndodh një emergjencë, ti papritmazi zbulon një rezervuar besimi dhe paqeje, dhe nxitoni të ndihmoni njëri-tjetrin.

Në vend të ndërtimit të një regjimi vëzhgues, nuk është tepër vonë të rikrijosh besimin e njerëzve në shkencë, autoritete publike dhe media. Absolutisht që ne duhet të vëmë në përdorim teknologjitë e reja po ashtu, por këto teknologji duhet të fuqizojnë nënshtetasit.

E mbështes monitorimin e temperaturës dhe presionit të gjakut, por këto të dhëna nuk duhet të përdoren në krijimin e një qeverie të plotfuqishme. Përkundrazi, këto të dhëna duhen të më mundësojnë të bëj zgjedhje personale më të informuara, dhe të mbajnë qeverinë përgjegjëse për vendimet e saj. Nëse unë do të mund të gjurmoja gjendjen time shëndetësore gjatë gjithë ditës, jo vetëm do të mësoja nëse mund të jem një rrezik në shëndetin e të tjerëve, por gjithashtu cilat zakone ndikojnë në shëndetin tim. Dhe nëqoftëse do të mund të aksesoja dhe analizoja statistika të sigurta mbi përhapjen e korona virusit, do të mund të gjykoja nëse qeveria po më thotë të vërtetën dhe nëse po adapton politikat e duhura për të luftuar pandeminë.

Sa herë që njerëzit flasin për survejim, duhet kujtuar se teknologji të tilla vëzhgimi mund të përdoren jo vetëm nga qeveritë kundrejt individëve, por dhe anasjelltas. Pandemia e korona virusit është kështu një test qytetarie. Në ditët në vijim, secili prej nesh duhet të zgjedhë të dhëna shkencore dhe ekspertë të shëndetit përmbi teori konspirative të pabazuara dhe politikanë që servirin veten.

Nëse dështojmë të bëjmë zgjedhjen e duhur, mund ta gjejmë veten duke firmosur për të flakur tutje liritë tona më të çmuara, duke menduar se kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur të sigurtë shëndetin tonë.

Na nevojitet një plan botëror

Zgjedhja e dytë e rëndësishme është konfrontimi mes izolimit nacionalist dhe solidaritetit botëror. Si pandemia ashtu dhe kriza ekonomike pasuese janë probleme globale. Ato mund të zgjidhen efektivisht vetëm nëpërmjet bashkëpunimit botëror. Fillimisht, në mënyrë që të shkatërrojmë virusin ne duhet të ndajmë informacion në rang global. Ky është avantazhi i madh i njerëzve kundrejt viruseve.

Një korona virus në Kinë dhe një tjetër në Amerikë nuk mund të shkëmbejnë të dhëna se si të infektojnë njerëzit. Por Kina mund t’i mësojë Shteteve të Bashkuara informacione të vlefshme mbi virusin dhe se si të ndeshen me të. Zbulimet e një doktori italian në Milano në orët e para të mëngjesit, munden të shpëtojnë jetët në Tehran nga pasditja. Kur qeveria britanike heziton mes politikave të ndryshme, mund të marrë këshilla nga koreanët që janë hasur me një dilemë të ngjashme një muaj më parë.

Por që kjo të ndodhë, na nevojitet shpirti i bashkëpunimit global dhe besimit.

Shtetet duhet të jenë të gatshme të ndajnë informacion në mënyrë të hapur, të kërkojnë këshilla dhe të jena në gjendje të besojnë të dhënat që marrin. Po ashtu, na duhet një përpjekje globale për të prodhuar dhe distribuuar pajisje mjekësore, më kryesisht pajisje testuese dhe makineri respiratore. Në vend që çdo shtet të përpiqet ta bëjë lokalisht dhe të grumbullojë çfarëdo pajisjeje që mund të gjejë, një përpjekje e koordinuar botërore mund të përshpejtojë prodhimin dhe të sigurojë që pajisje jetë a vdekje të shpërndahen më drejtësisht. Ashtu siç shtetet nacionalizojnë industritë kryesore gjatë një lufte, lufta humane kundër korona virusit mund të na kërkojë që të “humanizojmë” vijat themelore të prodhimit.

Një vend i pasur me pak raste të virusit duhet të jena të gatshme të dërgojnë pajisje të çmuara drejt një vendi më të varfër me numër të madh rastesh, duke besuar se nëse dhe kur më pas do të ketë nevojë për ndihmë, vendet e tjera do ta asistojnë. Mund të përfytyrojmë një përpjekje të ngjashme globale për grumbullimin e personelit shëndetësor. Shtete që aktualisht janë më pak të infektuara mund të dërgojnë staf shëndetësor drejt zonave të botës të goditura më keqazi, në mënyrë që t’i ndihmojnë ato në kohë ndihme, si dhe të përfitojnë eksperienca të vlefshme.

Nëse më vonë fokusi i pandemisë lëviz, ndihma mund të fillojë të rrjedhë në drejtimin e kundërt. Bashkëpunimi global nevojitet vitalisht dhe në frontin ekonomik. Duke pasur parasysh natyrën botërore të ekonomisë dhe zinxhirëve furnizues, nëse çdo qeveri vepron në mendje të vet pa llogaritur të tjerët, rezultati do të jetë kaos dhe një thellim i krizës. Na nevojitet një plan veprimi global dhe na nevojitet sa më shpejt.

Një nevojë tjetër është arritja e një marrëveshjeje globale në udhëtim. Pezullimi i të gjithë udhëtimeve ndërkombëtare do të shkaktojë vështiirësi të tmerrshme, dhe frenojë luftën kundër korona virusit. Shtetet duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të lejojnë të paktën një rrymëz të vogël udhëtarësh esencial të vazhdojnë kalimin e kufijve: shkencëtarë, doktorë, gazetarë, politikanë, biznesmenë. Kjo mund të arrihet me vendosjen e një marrëveshjeje globale në para-shqyrtimin e udhëtarëve nga shteti mëmë. Kur jemi në dijeni se vetëm udhëtarë të shqyrtuar me kujdes lejohen në avion, do të ishim më të gatshëm t’i pranonim në shtetin tonë.

Fatkeqësisht, shtetet aktuale vështirë se praktikojnë ndonjë nga të mësipërmet. Një paralizë kolektive ka kapluar komunitetin internacional. Duket sikur nuk ka asnjë të rritur të pranishëm në dhomë. Pritëm me javë që të shikonim një mbledhje emergjente të kokave drejtuese të botës për të arritur në një plan të përbashkët veprimi. Liderat e G7 ja dolën të organizonin një videokonferencë vetëm këtë javë, dhe nuk rezultoi në një plan të tillë.

Në kriza të mëparshme ndërkombëtare – si kriza financuiale e 2008 dhe epidemia e Ebolës në 2014 – SHBA-ja supozoi rolin e liderit botëror. Por administrata aktuale e Shteteve të Bashkuara ka abdikuar nga puna e liderit. E ka bërë shumë të qartë se përkujdeset më shumë për madhështinë e Amerikës se sa të ardhmen e njerëzimit.

Kjo adminstratë ka braktisur edhe aleatët e saj më të afërt. Kur ndaloi të gjitha udhëtimet nga BE, nuk pati as mirësinë t’i jepte BE-së një paralajmërim – le më të konsultohej me të për një masë kaq drastike. E ka skandalizuar Gjermaninë duke i ofruar gjoja 1 miliard dollarë një kompanie farmaceutike gjermane për të blerë të drejtat monopole për një vaksinë të Covid-19.

Edhe nëqoftëse administrata aktuale gradualisht ndryshon taktikë dhe sjell një plan veprimi ndërkombëtar, pak do të ndiqnin një lider të papërgjegjshëm, që nuk i pranon kurrë gabimet, dhe që vazhdimisht i merr të gjitha meritat për vete duke ja hedhur fajin të tjerëve.

Nëse boshllëku i lënë pas nga Amerika nuk mbushet nga vendet e tjera, jo vetëm që do të jetë më e vështirë të ndalohet pandemia aktuale, por trashëgimia e saj do të vazhdojë të helmojë marrëdhëniet botërore për vite në vijim.

Pavarësisht kësaj, çdo krizë është gjithashtu një mundësi. Ne duhet të shpresojmë se situata aktuale do të ndihmojë njerëzimin të kuptojë rrezikun e mprehtë të prezantuar nga mungesa e unitetit global. Njerëzimi duhet të bëjë një zgjedhje. A do të vazhdojmë rrugëtimin drejtuar mungesës së unitetit, apo do të adoptojmë drejtimin e solidaritetit global?

Nëse zgjedhim kundër unitetit, kjo jo vetëm që do të zgjasë krizën, por me shumë mundësi do të rezultojë në katastrofa edhe më të këqija në të ardhmen. Nëse zgjedhim bashkimin botëror, do të jetë një fitore jo vetëm kundrejt Covid-19, por kundrejt çdo pandemie dhe krize që mund të kanosë racën njerëzore në shekullin XXI.

Botuar sot si kopertinë e DITA. Autori i këtij shkrimi Yuval Noah Harari (në foto) është historian dhe filozof izraelit. Marrë nga Financial Times. Titulli është i redaksisë. Origjinali mund të lexohet duke klikuar KËTU