Rrjedha e lirë e informacionit, së bashku me debatet publike që përfshijnë ekspertë të besueshëm, është thelbësore për administrimin me sukses të pandemisë COVID-19. Legjislacioni i miratuar së fundmi në Hungari, i cili i mundëson kryeministrit Viktor Orban të sundojë me dekret për një periudhë të pacaktuar, do të ketë efektin e kundërt.
Nga Laszlo Bruszt
Ajo që kritikët në mënyrë të arsyeshme e quajnë “akt mundësues” që parlamenti hungarez miratoi më 30 mars lejon kryeministrin Viktor Orban të sundojë me dekret për një periudhë të pakufizuar, gjoja për të ndihmuar qeverinë të luftojë pandeminë COVID-19. Në fakt, ligji i ri rrezikon jetën e shumë hungarezëve duke fuqizuar qeverinë për kufizimin në mënyrë drastike të informacioneve për menaxhimin e virusit. Pasojat vdekjeprurëse të një qasje të tillë janë të njohura nga Wuhan-i, Kinë, ku autoritetet fillimisht i shtypën informacionet për shpërthimin e një koronavirusi të ri.
Akti mundësues i Orbanit neutralizon ato pak kanale demokratike që kanë mbetur në Hungari. Ai do të sjellë një centralizim ekstrem të kontrollit mbi rrjedhën e informacionit në lidhje me pandeminë dhe menaxhimin e saj. Dhe Orban, në pushtet që nga viti 2010, ka dëshpërimisht nevojë të kontrollojë informacionet mbi pandeminë, duke pasur parasysh nënvlerësimin e madh që qeveritë e tij i kanë bërë sistemit të kujdesit shëndetësor të vendit gjatë dekadës së fundit.
Ligji i ri ia jep atij këtë fuqi. Për shembull, ai bën që përhapja e informacionit “të rremë” në lidhje me virusin që dënohet me deri në pesë vjet burg – një shpatë që varet mbi kokën e mjekëve dhe gazetarëve. Arsyetimi i përfshirë në dispozitën përkatëse, së bashku me dënimin, është pothuajse i padallueshëm nga një masë e ngjashme në Arabinë Saudite. Në fakt, akti mundësues minimizon hapësirën e mbetur për mediat e pavarura të Hungarisë.
Masat drakoniane të qeverisë Orban në këtë drejtim janë të jashtëzakonshme midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Vende të tjera të BE-së në përgjithësi po i luftojnë lajmet e rreme dhe dezinformimin rreth COVID-19 përmes mjeteve të buta, të tilla si promovimi i lidhjeve për informacione zyrtare në faqet e internetit të qeverisë ose të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ose duke punuar me kontrollues të fakteve.
Kjo qasje po funksionon: vendet që e kanë menaxhuar më mirë pandeminë deri më tani janë ato ku informacioni vazhdon të rrjedhë lirshëm dhe ekspertë mjekësorë të besuar luajnë një rol të spikatur në debatet publike. Ndryshe nga kjo, presidenti amerikan Donald Trump fillimisht e hodhi poshtë kërcënimin që përbënte COVID-19, ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, e trajtoi atë si një shaka para se të infektohej edhe vetë dhe të përfundonte në kujdes intensiv. Të dy vendet tani vuajnë nga shifra më të larta infektimi sesa vetë Kina.
Në një situatë shumë të pasigurt, fluksi i lirë i informacionit mundëson mbledhjen e të dhënave, krahasimin e efekteve të strategjive të ndryshme për administrimin e krizës dhe përgjegjshmëri më të madhe të qeverisë. Është gjithashtu e rëndësishme për të luftuar dezinformimin, thashethemet dhe lajmet e rreme, pavarësisht nëse këto vijnë nga liderët politikë ose qytetarët. Përgjegjësia që sjell një media e lirë ka detyruar edhe liderët më narcisist, si Trump, të braktisin mohimin dhe të marrin një qasje më realiste për të luftuar pandeminë.
Për më tepër, gjatë një krize të shëndetit publik, fluksi i lirë i informacionit ndihmon qeveritë dhe qytetarët të sinkronizojnë veprimet e tyre. Sa më shumë që qytetarët të kenë besim se burimet qeveritare të informacionit i nënshtrohen një kontrolli të pavarur, aq më shumë të ngjarë do të jenë ata t’i binden udhëzimeve zyrtare dhe të ndihmojnë për të menaxhuar në mënyrë efektive krizën.
Qeveria e Koresë së Jugut, për shembull, deri më tani, ka arritur të kontrollojë përhapjen e COVID-19 pa zbatuar një karantinim të gjerë – pjesërisht sepse autoritetet kanë mbledhur dhe publikuar informacione të gjera për qytetarët e infektuar, përfshirë moshat, lëvizjet dhe zonat e tyre të banimit. Kjo ishte e mundur sepse publiku besonte se qeveria ishte në gjendje të hartonte politika për të trajtuar pandeminë.
Informacioni i vërtetë i hyrë nga jashtë mund të shpëtojë jetë në vendet autoritare. Pas aksidentit bërthamor të Çernernobilit të vitit 1986 në Bashkimin Sovjetik, transmetimet e lajmeve nga Radio Europa e Lirë ndihmuan në informimin e rusëve, ukrainasve dhe bjellorusëve të zakonshëm për shkallën e katastrofës. Pavarësisht nga të gjitha mekanizmat e kontrollit shtetëror, presioni publik i detyroi autoritetet sovjetike të hapeshin rreth krizës dhe të pranonin ndihmën perëndimore në luftimin e saj. Këtë herë, megjithatë, informacioni i nevojshëm për kontrollin publik mbi krizën shpërndahet brenda vendit.
Gjatë ditëve të para të pandemisë, Orban, ashtu si Trump, e hodhi poshtë kërcënimin, duke fajësuar të huajt për përhapjen e koronavirusit (si për të gjitha problemet e tjera). Por raportet për përpjekjet e pakoordinuara të prindërve hungarezë për t’i ndaluar fëmijët e tyre që të shkonin në shkollë më vonë e bindën qeverinë që ta merrte më seriozisht pandeminë.
Për më tepër, ndërsa opozita e Hungarisë – dhe, më e rëndësishmja, mjekët dhe punonjësit e tjerë të kujdesit shëndetësor – filluan të kritikonin, anëtarët e vjetër të partisë Fidesz të Orbanit u frikësuan dhe i bënë presion qeverisë që të vepronte. Por, duke i dhënë Orbanit fuqinë për të sunduar me dekret, akti mundësues i ka bërë joefikase mekanizmat kryesorë të vendit për përgjegjshmërinë politike.
Nuk është vetëm Orban që e shikon pandeminë si një mundësi për të thirrur fuqitë emergjente dhe për të siguruar një autoritet gati diktatorial. Por akti mundësues përbën thjesht hapin e tij të fundit përgjatë rrugës autokratike që ai nisi në një dekadë më parë. I intoksikuar nga fuqitë e mëdha që ai kishte grumbulluar tashmë, Orban vendosi të përballej me pandeminë me ndihmën e një ligji që gjoja “do të garantojë sigurinë e jetës dhe shëndetit dhe sigurinë personale dhe materiale të qytetarëve dhe bizneseve”.
Legjislacioni i ri nuk do të bëjë asgjë të tillë, e cila është një arsye pse BE-ja duhet urgjentisht të zbatojë një sistem të standardizuar që vendet anëtare të raportojnë mbi pandeminë, së bashku me nisma për të mbështetur një shtyp të lirë. Masat e tilla mund të shpëtojnë jetë.
Project Syndicate-Birn