Gjermania po shënon rritje të shkallës së numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri, vetëm disa ditë pasi ky vend lehtësoi masat e izolimit.
Lajmi u konfirmua nga Instituti Robert Koch (RKI), një qendër për biomjeksinë që këshillon Qeverinë gjermane.
Tani, një person i infektuar mund të bartë virusin tek më shumë se një person tjetër.
Më herët kjo shkallë ishte më e ulët.
Të shtunën, mijëra gjermanë u mblodhën në protesta duke kërkuar dhënien fund të të gjitha masave të izolimit, të cilat qeveria gjermane i ka vendosur për të parandaluar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas bisedimeve që kishte me drejtuesit e 16 landeve të Gjermanisë, njoftoi të mërkurën një relaksim të gjerë të kufizimeve.
Vendimi përfshinte rihapjen e dyqaneve, kthimin gradual të nxënësve në shkolla dhe rifillimin e ndeshjeve të futbollit të Bundesligës gjermane.
Të dielën, Instituti Robert Koch raportoi se numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 169,218 ndërsa i viktimave 7,395.