Në Shtetet e Bashkuara, Kandidati demokrat për president, Joe Biden ka shtyrë njoftimin për zgjedhjen e tij për kandidatin për nënpresident, mes spekullimeve për kundërshtimin brenda kampit të tij ndaj senatores nga Kalifornia, Kamala Harris që duket të jetë kandidatja kryesore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton se janë shfaqur alternativa të tjera që thuhet se janë më të prirura për bahshkëpunim sesa Harris, një ish-rivale si kandidate brenda partisë që ishte përplasur shpesh me zotin Biden, gjatë fushatës.
Joe Biden e ka zgjeruar kërkimin për kandidaten për nënpresidente, pas njoftimeve se brenda partisë, janë shtura rezervat ndaj emrit kryesor deri tani, senatores nga Kalifornia, Kamala Harris.
Zoti Biden ka premtuar se do të zgjedhë një grua me kualifikime të larta për postin. Së fundmi ka pasur thirrje të shumta që ai të zgjedhë një afrikano-amerikane, ndërsa në të gjithë vendin janë intensifikuar protestat për barazi racore.
“Besoj se një zgjedhje e tillë do t’i motivonte shumë votuesit afrikano-amerikanë dhe ndoshta ata të rinj që ndoshta nuk janë aq të entusiazmuar me kandidaturën e tij”, thotë Niambi Carter, profesore shkencash politike në Universitetin Howard.
Zonja Harris, një senatore e njohur, bijë imigrantësh nga India dhe Xhamaika dhe ish-kandidate për presidente, dukej si zgjedhje e natyrshme.
Disa këshilltarë kryesorë të zotit Biden duket se kanë ngritur pyetje për besnikërinë dhe ambicjet e saj. Mesa duket përplasjet e saj me zotin Biden, ende nuk janë zgjidhur dhe kampi i zotit Biden shqetësohet se ajo do të vërë në plan të parë aspiratat e saj presidenciale, dhe jo programin e zotit Biden.
Zonja Harris mendohet të takohet këtë javë me këshilltarë të zotit Biden, për të disktuar mbi këto shqetësime.
Zoti Biden ka më shumë mbështetje se Presidenti Donald Trump në anketa dhe strategjisti demokrat, Jared Leopold mendon se ai do që t’i shmanget debateve për kandidaten për nënpresidente.
“Ai me siguri do të zgjedhë dikë me kredenciale të forta, të besueshëm dhe që do të ishte gati që ditën e parë, por edhe që nuk do të ishte objektiv i lehtë për kritika”.
Ndërkohë po shqyrtohen edhe kandidatura të tjera.
Karen Bass, një anëtare kongresi afrikano-amerikane nga Kalifornia, një prej tyre, po përballet me kritika për komente që kundërshtarët thonë se vlerësonin udhëheqësin kubanez Fidel Castro dhe një kishë të debatueshme.
Të tjerë emra të mundshëm janë ish-këshilltarja e sigurisë kombëtare, Susan Rice, ish ligjvënësja e shtetit të Xhorxhas, Stacey Abrams, dhe ligjvënësja nga Florida, Val Demings. Të dyja këto të fundit përballen me pyetje për mungesën e përvojës.
“Përballesh me dilemën e dikujt që nuk sjell shumë ngarkesë nga e kaluara, që është një zgjedhje tërheqëse, por që nuk njihet shumë dhe nuk është vënë në provë, për të vërtetuar se nëse është e nevojshme mund të jetë gati për presidencën”, thotë Patrick Basham, analist në Institutin për Demokracinë.
Kandidate të tjera të mundshme janë senatorja aziatiko-amerikane Tammy Duckworth nga Ilinoi, veterane e plagosur në Irak, Michelle Lujan Grisham, guvernatore hispanike e Nju Meksikos, senatorja e Masaçusetsit, Elizabeth Warren dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer.
Sipas burimeve, zoti Biden mund ta shpallë zgjedhjen e tij gjatë dy javëve të ardshme, para kuvendit të Partisë Demokrate ku ai do të marrë zyrtarisht emërimin si kandidat për president.