Lidhja Socialdemokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë vazhduar negociatat për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por ende pa ndonjë marrëveshje konkrete lidhur me çështjen e drejtimit të qeverisë.
Edhe pse Zoran Zaev, tanimë është nominuar si kandidat për kryeministër, BDI-ja siç bëhet e ditur jozyrtarisht insiston që gjatë qeverisjes katërvjeçare edhe kandidati i saj për kryeministër, Naser Zyberi, të ushtroj të paktën për një vit këtë post. Pas takimit mes liderëve Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, dy partitë përmes një komunikate kanë njoftuar për “bisedime konstruktive dhe produktive” në të cilat siç thuhet “janë vendosur bazat për përparim që çon deri te marrëveshja e koalicionit për Qeveri të re evropiane”.
Kreu i B D I-së, Ali Ahmeti në prononcimin e fundit lidhur me bisedimet ka thënë se partia e tij është e interesuar për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe se prioritet për të mbetet interesi shtetëror.
“Uroj që te palët në rend të parë të vendoset interesi i shtetit, uroj që në radhë të parë të vendosen interesat kaq të rëndësishme në të cilat ndodhet vendi…B D I-ja nuk do të veproj as me eufori, as me folklorizëm, as me presione nga rruga, por do të zgjedhë, por do të zgjedh rrugën e duhur me qëllimin më të mirë që t’i shërbej vendit, që sa më lehtë të kapërcejmë vështirësitë me të cilat po përballemi”, ka deklaruar Ahmeti.
Lidhja Socialdemokrate, ndërkohë mbetet në qëndrimin se lideri i saj, Zoran Zaev, do të jetë kryeministër në katër vitet e ardhshme, pa komentuar kërkesën e B D I-së, që kandidati i saj për kryeministër të ushtroj këtë post.
“Po bëhem gati të jem kryeministër i vendit, me mandat të plotë katërvjeçar. Po është fakt se edhe kjo çështje është pjesë e bisedimeve”, ka deklaruar Zaev pa dhënë detaje mbi rrjedhën e bisedimeve.
Njohësit e çështjeve politike parashikojnë bisedime të vështira mes partive për formimin e qeverisë së re, por edhe qeveri e cila nuk do të jetë stabile për shkak të numrave të pakët që mund të ketë në Kuvend.
“Qysh natën e 15 korrikut kur u shpallën rezultatet ishte e qartë se nuk do të jetë i lehtë formimi i qeverisë së re dhe se do të jetë e nevojshme që më shumë parti politike të bashkohen për të formuar shumicën parlamentare. Tani pengesa kryesore për formimin e qeverisë është edhe posti i kryeministrit dhe duke marrë këto rrethana parasysh mund të hymë në krizë të re politike. Por, mendoj se kjo më së paku i duhet vendit në gjendjen aktuale. Ndodhemi para sfidave të rënda, ekonomike, arsimore e të tjera për shkak të koronavirusit kështu që mendoj se duhet të kemi institucione të qëndrueshme”, thotë Sasho Klekovski, njohës i çështjeve politike.
Opozita maqedonase ndërkohë ka kritikuar vendimin e presidentit Stevo Pendarovski për të nominuar Zoran Zaevin për kryeministër, ende pa siguruar shumicën prej 61 votave në Kuvend. VMRO DPMNE-ja e ka akuzuar Pendarovskin për shkelje të kushtetutës duke punuar për interesa të LSDM-së.
Opozita ka vendosur të pezullojë raportet me presidentin ndërkohë që Pendarovski ka thënë se pavarësisht këtij qëndrimi, nëse Zaev nuk arrin të formojë qeverinë brenda 20 ditëve, atëherë për postin e kryeministrin do të nominoj Hristijan Mickovskin e VMRO DPMNE-së, parti kjo e cila në zgjedhjet e 15 korrik fitoi 44 ulëse në Kuvend apo dy më pak se LSDM-ja e cila doli e para me 46 mandate.
Opozita shqiptare e cila ka fituar 12 ulëse në Kuvend thotë se do të mbështes B D I-në nëse arrin të realizojë premtimin për kryeministër shqiptar, në të kundërtën kërkon nga Ahmeti që të kalojë në opozitë.
Për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi.