“Pyetja kryesore që duhet të bëjmë në këtë kohë kritike të pandemisë është: A po bëjmë kujdesin e duhur për të mos e marrë koronavirusin?”
Kështu është shprehur infeksionisti i njohur Pëllumb Pipero i ftuar në ‘ABC News’. Mjeku theksoi se ky virus ka shkuar përtej çdo normaliteti.
Ajo që ngre shqetësim tek mjeku është numri i madh i qytetarëve në bare dhe lokale. Pipero rrëfeu se i bën shumë përshtypje numri i madh i personave që frekuentojnë baret e zonës së ish-bllokut në mbrëmje.
Po ashtu, mjeku infeksionist tërhoqi vëmendjen se rinia nuk është duke e marrë seriozisht problemin. Pëllumb Pipero u shpreh, se duke parë situatën aktuale në mendimin e tij, e mira do të ishte që lokalet të mbyllen më herët.
“Rinia nuk e ka marrë seriozisht problemin. Njerëzit duhet të rrinë sa më pak në lokale. Situata që po përjetojmë do më shumë kujdes, mirëkuptim. Ndoshta lokalet duhet të mbyllen pak më herët, janë në mendimin tim, lokalet dhe familja binomi më i madh i transmetimit”, tha Pipero.
I pyetur për impaktin që kanë pasur masat e marra së fundmi, e kryesisht maska, Pipero thotë se të gjitha masat që kanë si qëllim frenimin e përhapjes së virusit duhet të jenë të mirëpritura.
“Ndërsa, sa i përket maskave: Në mjedis të jashtëm mundësia e marrjes së virusit është e vogël, por nuk përjashtrohet. Sado të kufizohet numri i rasteve, është gjë e mirë. Duhet mbajtur kudo”, sqaroi mjeku.