Më shumë se 20 milionë persona janë të infektuar zyrtarisht me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, pas raportimit të rasteve të premten e 1 janarit, pak orë pasi vendi u përpoq të linte pas një vit të zymtë.
Dhjetori mbetet muaji më i errët i pandemisë në SHBA, për shkak të numrit të vdekjeve dhe shtrimeve në spital. Ekspertë të ndryshëm thonë se pavarësisht nisjes së vaksinimit, do të duhen muaj para se të shihet një përmirësim i situatës.
Në total të premten u regjistruan 20 007 000 raste me Covid-19, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Për të arritur në shifrën e 10 milionë rasteve u desh të kalonin 292 ditë, ndërsa 10-milionëshi i dytë u arrit në 54 ditë.
Sidoqoftë, ekspertët mendojnë se numri i rasteve reale është shumë herë më i lartë. Një studim i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sugjeron se nga shkurti në shtator numri i të infektuarve mund të ketë qenë deri në 53 milionë.
Vetëm në dhjetor kanë humbur jetën më shumë se 77500 persona nga koronavirusi, ndërsa në total numri i viktimave në SHBA është 346 mijë, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins