Megjithëse shëtitorja e re në Sarandë u inaugurua gjatë sezonit turistik, shirat e vjeshtës kanë nxjerrë problematikën që ka infrastruktura nëntokësore. Ditën e sotme ujërat e zeza “pushtojnë” shëtitoren e Sarandës. Pavarësisht investimit rreth 5 milionë euro në këtë shëtitore dhe rreth 10 milionë euro në kanalizime, pak minuta shi treguan se problemi i ujërave të zeza në Sarandë nuk është zgjidhur. Qytetarët janë detyruar që të ecin në segmente të caktuara pasi shëtitorja është totalisht nën pushtetin e ujit.
Shëtitorja e Sarandës u ndërtua nga kompania Fusha shpk, që fitoi tenderin me vlerë 4,7 milionë euro, në gusht 2019. Ajo fitoi edhe pse në tenderin ndërkombëtar zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), oferta e saj ishte më e lartë se ato të kompanive të tjera pjesëmarrëse në tender.
Projekti për rivitalizimin e shëtitores buzë detit në Sarandë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e infrastrukturës në bashkitë Sarandë, Gjirokastër, Berat, Përmet.