Më shumë se 33 vjet pasi një pedagoge universiteti në Sydney të Australisë u mbyt në shtëpi, një shqiptar është burgosur për vrasjen e saj.
Martin Dukagjini 65-vjeç u arrestua në vitin 2019 pasi kishte mundur t’u shpëtonte autoriteteve për 33 vjet. Tre pika gjaku të tij u gjetën në pantallonat e pizhameve të Tatiana Sokoloff-it, e cila ishte pedagoge e italishtes në Universitetin e Sydney-t.
Në nëntor shqiptari u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet burg pa pasur të drejtë që të dalë me kusht për një periudhë 13-vjeçare. Vrasjen e kreu në Sokoloff më 4 shtator 1986, teksa viktima ndodhej në shtëpinë e saj duke u kujdesur për nënën e saj e cila ishte e shurdhër, raporton abcnews.al.
Dukagjini kishte hyrë në shtëpinë e viktimës për të vjedhur kur e vrau me një kordon elektrik dhe një copë druri në një moment paniku pasi ajo e kishte parë. Policia nuk arriti të gjente një autor atëherë pavarësisht se n hetim u vunë fqinj, kolegë, studentë, por edhe biznesmenë të cilëve viktima u kishte blerë bizhuteri dhe sende antike.
E vetmja provë që u gjet ishin pikat e gjakut në pizhamet e viktimës. Një pikë gjaku e tij u gjet gjithashtu në oborr. Autori i cili e mohonte vrasjen kishte precedentë të shumtë penalë në vjedhje.
Dukagjini u largua nga Shqipëria rreth vitit 1976, duke ardhur në Australinë Perëndimore në moshën 24 vjeçare. Pa një profesion, shqiptari zgjodhi rrugën më të lehtë, duke vjedhur, gjatë të cilës u bë vrasës.