Nga Quentin Sommerville dhe Darren Conway – BBC
Historia e Kharkiv ka të bëjë me një ushtri që nuk dështoi dhe një ushtri që nuk arriti të fitonte.
Ndërsa Rusia është bllokuar në front, Ukraina qëndron e patundur. Duke sfiduar pritshmëritë se Ukraina do të shembej në një kohë të shkurtër, forcat ruse nuk kanë qenë në gjendje të shkelin linjat e ushtrisë ukrainase rreth Kharkivit dhe nuk kanë arritur të rrethojnë qytetin.
Rusia pushtoi Ukrainën në orën 05:00 të 24 shkurtit. Një natë më parë, 22-vjeçari Vlad dhe kunati i tij Mark, gjithashtu 22 vjeç, ishin në dasmën e një shoku të tij. Kolonat e tankeve ruse, obuset, mjetet e blinduara dhe transportuesit e trupave lëviznin përtej kufirit, vetëm 40 km (25 milje) larg. Pavarësisht grumbullimit të gjatë të forcave ruse, pushtimi ishte tronditës, ndërsa trupat ukrainase përpiqeshin të mbronin.
Kur mësuan për pushtimin, Vlad dhe Marku u bashkuan me batalionin e tyre dhe u nisën drejt e në vijat e para. Ata kanë qenë atje që para një muaji. I kam vizituar dy herë atje në skajin verior të qytetit – një lagje dikur e këndshme periferike, e cila tani është bërë një fushë beteje me baltë, e mbushur me kufoma, tanke dhe automjete ruse të djegura.
Përgjigja e Vladit është e shkurtër dhe e saktë, “Për paqen në Ukrainë”. Marku i hedh një shikim, “Shoku im thotë për paqe në Ukrainë”, ai qesh, pastaj pyet: “Kush e di? Këta njerëz erdhën në tokën tonë. Askush nuk i priste këtu, askush i thirri të vinin”.
Në atë ditë të parë, një grup rusësh hyri në qendër, por u zmbrapsën pas tre ditësh luftime të vështira e të përgjakshme – me viktima të shumta nga të dyja palët. Rusët u detyruan të largoheshin përtej kufirit të Kharkiv.
Një muaj më vonë ka lagje që mbeten të paprekura, ndërsa raketat ruse godasin ende qendrën e qytetit dhe të paktën gjysma e popullsisë prej 1.4 milionë banorësh janë larguar.
Por, lagjet rezidenciale lindore dhe veriore të qytetit, të cilat ishin kryesisht të paprekura kur mbërrita këtu tre javë më parë, nuk mund të njihen më tani. Një pemë ka një predhë ruse të pashpërthyer në trup; një bllok apartamentesh ka një bombë 500 kg në çati – nëse do të kishte shpërthyer, e gjithë ndërtesa do të ishte rrëzuar.
Marku dhe Vladi nuk ia transmetojnë zymtësinë luftës familjarëve të tyre gjatë telefonatave që ata bëjnë shumicën e ditëve. Pra, nuk përmenden trupat e pajetë në derën e pasme dhe në kopshtin tjetër, nuk përmenden kolegët e vrarë nga bombardimet ruse, apo komandanti i tankeve që vdiq një ditë më parë. Po ashtu, nuk thuhet asgjë që mund të zbulojë detaje operacionale.
“Diskutojmë kryesisht se kur do të përfundojë e gjithë kjo, kur mund të kthehemi në jetën normale, kur gjithçka është mirë dhe nuk do të jetë e rrezikshme të ecësh jashtë”, thotë Vlad.
Mark dhe Vlad janë të pajisur mirë. Ndërsa lëvizim nëpër pozicionet e tyre në front, ka municion dhe armatim kudo. Ka po ashtu grumbuj racionesh ushqimore. Brenda automjeteve të tyre ka shumë cigare – pavarësisht nga familjariteti me kaosin rreth tyre, shumë nga burrat pinë shumë duhan.
Kur në radio vjen lajmi se një koleg është plagosur, brenda pak minutash arrin një ambulancë dhe viktima mbulohet me një batanije ngrohëse. Ai ka gjakderdhje, por stabilizohet shpejt. Një predhë ruse e ka mbushur me copëza trupin e tij dhe ka humbur shumicën e gishtave të njërës dorë.
Disa orë më vonë, ndërsa kthehemi në pjesën e pasme, në radio vjen lajmi se ushtari është është më mirë dhe se do të shërohet.
Ukrainasit na ofrojnë biskota dhe ëmbëlsira të sapomarra nga prodhuesit lokal. Armiku i tyre nuk ka një fat të tillë. Ka pasur raporte të trupave ruse duke plaçkitur dhe duke kërkuar ushqim për furnizime, ndërsa fshatarët pranë Kharkivit ankohen se pulat dhe prodhimet janë vjedhur.
Kur takova Markun dhe Vladin për herë të parë, komandanti i tyre më dha një nga paketat e tyre të gjelbra të forta me racione ditore ukrainase – një dhuratë e lënë, tha ai.
Qendresa ukrainase mund të jetë pjesërisht falë një personi – Vladimir Putin.
Në vitin 2014, ushtria ukrainase ishte në një gjendje të tmerrshme. Ndërsa luftoi dhe nuk arriti të parandalonte aneksimin e Krimesë, trupat e saj mbetën të uritura. Korrupsioni ishte i përhapur, trajnimi dhe pajisjet mungonin dhe zinxhiri komandues nuk funksiononte. Batalioni i Vladit dhe Markut u riorganizua në të njëjtin vit. E gjithë ushtria ukrainase iu nënshtrua një riorganizimi – për ta bërë atë gati për luftën e ardhshme me Rusinë.
Vladi dhe Marku, dhe pothuajse çdo luftëtar që kam takuar në vijën e frontit gjatë tre javëve të fundit, kanë një gjë të përbashkët – ata të gjithë kanë luftuar në rajonin lindor të Donbasit.
Në enklavat separatiste të Donbasit në Donetsk dhe Luhansk, forcat ukrainase janë testuar në luftim për tetë vitet e fundit. Midis 250,000 dhe 400,000 burra ukrainas mund të kenë kryer shërbime atje që nga viti 2014.
“Ukraina nuk është i njëjti vend që ishte në 2014,” më tha një komandant i vijës së parë – duke i bërë jehonë një reagimi që më përsëritej vazhdimisht në Kharkiv.
Kjo ka krijuar një ushtri më profesionale dhe me qëllim të përbashkët. Një ushtri që e dinte se Rusia nuk do të ndalej në Donbas apo Krime.
Me pak fjalë, Ukraina nuk është ajo ishte dikur.
Kamil Galeev i Qendrës Ëilson, një institut kërkimor amerikan, eksploron gjendjen e ushtrisë ruse. Ai sugjeron se trupat janë të papaguar dhe të pamotivuar. Sigurisht, rekrutimi është një problem në Rusi, ku rënia e normave të lindshmërisë do të thotë se ka më pak të rinj rusë në dispozicion për të luftuar.
Në Kharkiv, bora dhe ngrica e dimrit kanë filluar të shkrihen. Unë bashkohem me Markun pranë llogores së tij. Çizmet e tij zhyten në baltë, fusha e betejës është bërë terren i shkretë, i vështirë.
Moti mund të mos ndihmojë as Rusinë – dy javë më parë temperatura këtu ishte -13 C, tani është tetë gradë. Ndërsa balta shtohet, ajo bëhet një kurth për sulmuesit dhe një ndihmë për ata që mbrojnë tokën bujqësore përreth qytetit.
Më tej, një ushtar vëren lëvizjen në pyjet aty pranë dhe hap zjarr. Në përgjigje ka të shtëna me armë zjarri. “Ne duhet të lëvizim, nuk ka mbrojtje të mjaftueshme këtu,” thotë Marku “Njëqind për qind, ata do të përgjigjen [me artileri].”
Sigurisht, predhat fillojnë të bien vetëm disa metra larg dhe dheu hidhet në ajër. Predhat zbresin mjaft afër duke bërë që ta ndjejme valën goditëse në gjoks. Ekipi ynë përpiqet të mbulohet nën një automjet aty pranë.
Por Marku dhe Vladi duken të patrazuar. Të gjithë këtu më thanë se tre ditët e para ishin më të këqijat. “Është shumë më e lehtë tani,” thotë komandanti i tyre, i cili asnjëherë nuk ikën në vrap gjatë bombardikeve të vazhdueshme dhe me zor e heq telefonin nga veshi ose cigaren nga goja.
Një vështrim i shpejtë mbi vendin se ku ranë prdhat dhe Marku me Vladin vijojnë bisedën normalisht.
“Është në rregull, do mësoheni me këtë gjendje. Njerëzit përshtaten shpejt,” thotë Marku ndërsa një tjetër shpërthim dëgjohet menjëherë pas fjalës së tij.
Çfarë po ndodh tani, pyes unë, i vetëdijshëm se kameramani Darren Conëay po xhiron. “Po kërkojnë për pozicionin tonë”, thotë Marku.
Ndërsa dy burrat kthehen në strehë për një cigare dhe pak çaj, ata mbajnë në krah edhe kutitë e harxhuara të armëve anti-tank të furnizuara nga SHBA dhe Britania e Madhe. Edhe këto kanë qenë një faktor vendimtar në këtë luftë. Unë kam parë pasojat e atyre sulmeve raketore – të paktën një duzinë tankesh, kamionësh dhe blindash të Rusisë. /abcnews.al
*Marrë me shkurtime