Tre spiunë rusë kaluan pesë vjet duke shënjestruar infrastrukturën energjetike në 135 vende në një përpjekje për t’i mundësuar qeverisë ruse të fitonte kontrollin nga distanca të termocentraleve, pretendoi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në një aktakuzë të zbuluar të enjten. Qeveria amerikane jep një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për çdo informacion që mund të çojë në arrestimin e tyre.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014, sipas aktakuzës së zbuluar në një gjykatë të qarkut në Kansas, tre oficerët e FSB-së – Pavel Aleksandrovich Akulov, Mikhail Mikhailovich Gavrilov dhe Marat Valeryevich Tyukov – punuan për të fshehur malware në përditësimet e softuerit të përdorur nga sistemet që kontrollojnë pajisjet në termocentralet. Kjo taktikë u dha mundësi të akuzuarve të instalojnë malware në 17 mijë pajisje në mbarë botën. Sulmet ishin zbuluar më parë në vitin 2018.
Nga viti 2014 deri në vitin 2017, Akulov, Gavrilov dhe Tyukov akuzohen për përdorimin e taktikave të mashtrimit “spearphishing” dhe taktikave të tjera për të zbuluar më shumë se 3 mijë e 300 njerëz specifikë që punonin në industrinë e energjisë. Objektivat e tyre funksionuan në më shumë se 500 entitete të ndryshme, duke përfshirë Komisionin Rregullator Bërthamor të SHBA-së.
Në një rast, ata dyshohet se kanë komprometuar rrjetin e biznesit të Wolf Creek Nuclear Operating Corp. në Kansas, i cili drejton një termocentral bërthamor, megjithëse një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, të cilit iu dha anonimiteti si kusht për t’i lejuar gazetarët të bashkohen në një konferencë shtypi, tha të enjten se nuk u aksesua rrjeti i sistemeve të kontrollit.
Aktakuza ishte një nga dy të tilla kundër hakerëve rusë. Një aktakuzë e dytë e zbardhur në Gjykatën e Qarkut të Distriktit të Kolumbisë pretendonte se shtetasi rus, Evgeny Viktorovich Gladkikh, dhe bashkëpunëtorët e paidentifikuar kishin në shënjestruar një objekt të huaj nafte dhe një kompani energjetike amerikane midis 2017 dhe 2018.
“Hakerët rusë të sponsorizuar nga shteti paraqesin një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për infrastrukturën kritike si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në mbarë botën”, tha zëvendësprokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco.
“Megjithëse akuzat penale pasqyrojnë aktivitetet e kaluara, ato e bëjnë të qartë nevojën urgjente dhe të vazhdueshme që bizneset amerikane të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe të qëndrojnë vigjilentë”.
Zyrtari i Departamentit të Drejtësisë vuri në dukje se më shumë veprime nga qeveria federale e SHBA do të njoftohen në ditët në vijim.
“Këto akuza tregojnë artin e errët të së mundshmes kur bëhet fjalë për infrastrukturën kritike”, tha zyrtari i Departamentit të Drejtësisë.
Zyrtari tha se Departamenti i Drejtësisë zgjodhi të zhbllokojë aktakuzat për të paralajmëruar njerëzit për rreziqet që i kanosen infrastrukturës kritike –– dhe për të nënvizuar shqetësimet e Departamentit për aktivitetin aktual keqdashës rus. Zyrtari tha se aktakuzat janë një kujtesë e qëllimit dhe aftësive të qeverisë ruse. Zbulimi i akuzave duket gjithashtu të jetë një pranim i heshtur se zyrtarët ushtarakë të akuzuar nuk kanë gjasa të arrestohen dhe ekstradohen në SHBA.
Departamenti i Shtetit ofroi më vonë një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për “informacionin që çon në identifikimin ose vendndodhjen” e Akulov, Gavrilov ose Tyukov, të cilët thuhen se janë anëtarë të një “grupi operacional” të njohur ndryshe si Dragonfly, Energetic Bear dhe Crouching Yeti.
Vetëm pakë ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se “inteligjenca në zhvillim” tregoi se qeveria ruse po konsideronte sulme kibernetike kundër SHBA-së, ndërsa sanksionet rriten dhe përparimi rus në terren në Ukrainë mbetet kryesisht i ngecur.
FBI-ja paralajmëroi gjithashtu javën e kaluar se hakerat rusë kishin në shënjestër kompanitë amerikane të energjisë dhe grupe të tjera të mbrojtjes, IT-së dhe financën amerikane. Biden u dërgoi një letër guvernatorëve këtë javë duke u kërkuar atyre që të ndërmarrin “veprim urgjent” për të mbrojtur sistemet e tyre.
Kjo është larg nga hera e parë që qeveria amerikane ka vënë në dukje aktivitetin kibernetik keqdashës rus. FBI dha një alarm në mars 2018 duke paralajmëruar se qeveria ruse po synonte sektorin energjetik të SHBA-së përmes një “fushate ndërhyrjeje me shumë faza”.
Biden e sanksionoi Rusinë vitin e kaluar për përfshirjen e saj në fushatën e hakerëve SolarWinds, e cila lejoi hakerat e qeverisë ruse të hynin në rrjetet e të paktën një duzinë agjencish federale dhe 100 grupe të sektorit privat për rreth një vit.