Nga Danilo Taino
Gazetar i “Corriere della Sera”
Fiton gjithnjë. Për herë të katërt radhazi dhe të pestën gjithsej, Viktor Mihály Orbán dhe partia e tij “Fidesz” fitojnë shumicën e votave në Asamblenë Kombëtare Hungareze. Ata janë në pushtet prej dymbëdhjetë vjetësh dhe përballen me katër të tjera.
Në Bruksel, me shumë gjasë Bashkimi Evropian nuk do të jetë i lumtur: ai ka disa mosmarrëveshje me qeverinë e Budapestit. Kurse në Moskë, Vladimir Putin do të jetë mëse i kënaqur: miku i tij i vetëm në BE mbetet në pushtet. Është një rezultat mjaft i pritshëm zgjedhor, por që ngre pyetje të rëndësishme. Sidomos në frontin që në Evropë po kundërshton pushtimin e Ukrainës.
Orbán, 58 vjeç, është një nacionalist dhe madje edhe përballë luftës së Kremlin-it ai u tregua i tillë. Edhe dje në mëngjes, sapo hodhi fletën me votën e tij në kutinë e votimit, ndërsa bota ishte tmerruar nga masakrat e ushtrisë ruse, ai tha se nuk është pro askujt përveç Hungarisë.
Orban është kundër dërgimit të armëve në Kiev, kundër dërgimit të armëve të NATO-s drejtpërdrejt në territorin hungarez, kundër sanksioneve të reja ndaj Moskës. Të gatshëm vetëm për të pranuar refugjatët që mbërrijnë përtej kufirit me Ukrainën.
Me fjalë solidarizohet me fqinjin e sulmuar, në fakte mbahet “në distanca të barabarta”. Në të vërtetë është më shumë i interesuar për furnizimet me gaz dhe naftë që Putin-i ia shet me çmimet më të ulëta në Evropë.
Volodymyr Zelensky e kritikoi dy herë në publik si më të keqin e liderëve evropianë.
Pyetja e parë: pse hungarezët e votuan sërish për të, në garën e parë elektorale të madhe që nga pushtimi i Putin-it? Është një fakt anormal, i çuditshëm në panoramën evropiane apo është një tregues i një tendence, që shkon përtej elektoratit hungarez, për të fshehur fatin e Ukrainës nën qilim?
Në zgjedhjet e votimit peshuan disa faktorë.
Ekonomia po çalon dhe inflacioni po rritet. Keqmenaxhimi i pandemisë. Përplasjet për të ashtuquajturën mbrojtje të fëmijëve nga aktivitetet e lëvizjeve LGBT+, të cilat Orbán madje i hodhi në referendum paralelisht me zgjedhjet politike. Marrëdhëniet me Brukselin kanë qenë të tensionuara prej disa kohësh.
Muaji i fundit i fushatës elektorale, megjithatë, u zhvillua i gjithi mbi çështjen e pushtimit të Ukrainës. Orbán tha se për Budapestin është një çështje lufte apo paqeje, domethënë se një fitore e opozitës – gjashtë parti aleate në formacionin “Bashkuar për Hungarinë” me Péter Márki-Zay si udhëheqës – do të kishte nënkuptuar armë hungareze për ukrainasit “nga e nesërmja” dhe rrjedhimisht luftë. Fitorja e tij, nga ana tjetër, do të thotë paqe.
Hungarezët votuan në këtë klimë. Fakti që qeveria e Fidesz-it kontrollon thuajse të gjitha mediat, që ka shpenzuar dhjetë herë më shumë për propagandë se opozita, që ka krijuar zona që e favorizojnë atë, sigurisht që ka favorizuar rezultatin.
Megjithatë, fakti që, në mes të luftës, lideri më i ftohtë ndaj Ukrainës nga të gjitha vendet e BE-së dhe NATO-s fitoi, disa kambana alarmi gjetkë, në qeveritë evropiane, duhet të tingëllojnë.
Çështja e dytë: i ashtuquajturi bosht i nacionalist-populistëve duket, në këtë pikë, i mbyllur. Dy protagonistët kryesorë, qeveria polake dhe ajo hungareze, janë në pozicione të kundërta në lidhje me marrëdhëniet me Putin-in, me Varshavën në krye të mbështetjes konkrete për Kievin.
Grupi i Vishegradit (Varshavë, Budapest, Pragë, Bratislavë) në fakt mund të quhet i marrë fund: ditët e fundit, ministrat e mbrojtjes të Polonisë dhe Republikës Çeke kanë refuzuar të marrin pjesë në një takim në Hungari. Fitorja e Orbanit do ta mbajë atë të ngrirë.
Pasoja e tretë dhe më e rëndësishme e rezultatit: marrëdhëniet midis Brukselit dhe Budapestit janë të destinuara të përkeqësohen. BE-ja ka një sërë dosjesh të hapura kundër Hungarisë, aq sa paratë nga Fondi i Rimëkëmbjes nuk janë dhënë për shkak të korrupsionit dhe standardeve të ulëta të respektimit të shtetit ligjor.
Në këtë moment, është thelbësore që Bashkimi Evropian të ruajë unitetin përballë rreziqeve gjeopolitike. Pozicioni ndaj Hungarisë, megjithatë, do të vazhdojë të jetë i ashpër: ndryshe nga ai ndaj Polonisë, e cila gjithashtu akuzohet për shkelje të rregullave demokratike, por qartësisht është një vend vendimtar në mbështetjen e Ukrainës dhe kundër pushtimit rus.
Katër vitet e ardhshme të qeverisë së Orban-it, tashmë lideri më jetëgjatë në BE, nuk do të jenë të lehta për Hungarinë. Fitues në shtëpi, por i izoluar në botë (marrëdhëniet e tij të mira me Putin-in dhe me palët e interesuara, si ajo kineze e Xi Jinping) vështirë se do ta ngrohin. Edhe për Brukselin gjithësesi, nga ana tjetër, nuk do të jetë e lehtë të menaxhohet.