Ballina Teknologji Elon Musk kërcënon të largohet nga marrëveshja me Twitter

Elon Musk kërcënon të largohet nga marrëveshja me Twitter

Elon Musk ka kërcënuar se do të largohet nga blerja e Twitter-it prej 44 miliardë dollarësh, duke akuzuar kompaninë e mediave sociale se ka “penguar” kërkesat e tij për të mësuar më shumë rreth bazës së saj të përdoruesve.

Në një letër të dorëzuar te rregullatorët, Musk tha se kishte të drejtë të bënte matjen e tij të llogarive të padëshiruara.

Letra zyrtarizon një mosmarrëveshje që ka “zier” për javë pasi Musk deklaroi se marrëveshja ishte “në pritje” të informacioneve të mëtejshme.

Twitter ka mbrojtur vlerësimet e tij.

Por Musk ka thënë se beson që llogaritë e padëshiruara dhe të rreme përfaqësojnë një pjesë shumë më të madhe se 5% e përdoruesve të përditshëm që Twitter raporton publikisht.

“Si pronari i mundshëm i Twitter-it, zoti Musk ka të drejtë në mënyrë të qartë për të dhënat e kërkuara që t’i mundësojnë atij të përgatitet për kalimin e biznesit të Twitter në pronësinë e tij dhe për të lehtësuar financimin e transaksioneve”, shkruante në letër avokati Mike Ringler.

“Bazuar në sjelljen e Twitter deri më sot, dhe korrespondencën më të fundit të kompanisë në veçanti, Musk beson se kompania po reziston në mënyrë aktive dhe po pengon të drejtat e tij të informacionit”, thuhej në letër.

“Kjo është një shkelje e qartë materiale e detyrimeve të Twitter sipas marrëveshjes së bashkimit dhe Musk rezervon të gjitha të drejtat që rrjedhin prej saj, duke përfshirë të drejtën e tij për të mos përfunduar transaksionin dhe të drejtën e tij për të përfunduar marrëveshjen e bashkimit.”

Mosmarrëveshja ka ngritur më shumë dyshime për të ardhmen e blerjes, të cilën bordi i Twitter e miratoi në prill.

“Twitter ka dhe do të vazhdojë të ndajë në mënyrë bashkëpunuese informacione me Musk për të përfunduar transaksionin në përputhje me kushtet e marrëveshjes së bashkimit”, tha kompania në një deklaratë.

Twitter, shtoi se synonte të përfundonte marrjen me çmimin dhe kushtet e rëna dakord./abcnews.al/