Ballina Bota Evropa po përjeton thatësirën më të rëndë e cila është regjistruar ndonjëherë

Evropa po përjeton thatësirën më të rëndë e cila është regjistruar ndonjëherë

Vala e thatësirës që ka goditur Bashkimin Evropian mund të jetë më e rëndë se ajo e vitit 2018-të, e cila tashmë ishte përcaktuar si “një nga më të këqijat e regjistruara ndonjëherë”.

Kjo u bë e ditur nga një zëdhënës i Komisionit të BE-së, i cili specifikoi se mbledhja e të dhënave “është ende në progres” dhe se vlerësimet e sakta do të jenë të mundshme vetëm më pas.

Shifrat e fundit nga Observatori Evropian i Thatësirës (EDO) tregojnë se rreth 45 për qind e territorit të bllokut është në kushte paralajmëruese – e dyta nga tre kategoritë e thatësirës – në 10 ditët që çojnë deri në 20 korrik.

Më shqetësuesja është se 15 për qind e tokës ka kaluar në gjendjen më të rëndë të “alarmit”, çka do të thotë se jo vetëm po thahet toka, por po vuajnë edhe bimët dhe të mbjellat.

Italia është një nga vendet më të goditura nga thatësira aktuale, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonat përreth lumit Po, i cili përbën më shumë se një të tretën e prodhimit bujqësor të vendit.

Në Zvicër, Shoqata e Peshkimit ka deklaruar se peshqit po ngordhin me përmasa historike dhe druhet se shumë lloje mund të zhduken përgjithmonë.

Ndërkohë, lumi i dytë më i madh i Evropës, Rehni, vazhdon të thahet me nivelet e ujit që janë ulur në minimum, duke prekur arteriet kryesore të nevojshme për transport. Aktualisht anijet në lumë qarkullojnë ende, por shumica e tyre me ngarkesa të vogla.

Gjithashtu, hapësirat e gjelbra të thata në Berlin ilustrojnë atë që ambientalistët thonë, se një pjesë e madhe e Gjermanisë është përfshirë nga “thatësira ekstreme”, ose nga “thatësira e jashtëzakonshme”.

Franca ka ngritur një ekip krizash për t’u përballur me thatësirën e saj më të madhe në histori, e cila ka lënë fshatrat e djegura pa ujë të pijshëm, ku në disa rajone ka rënë vetëm 2 herë shi në tre muaj.