Analizë nga Michelle Toh dhe Anna Cooban, CNN Business
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, mbërriti të premten në Kinë me një grup drejtuesish të kompanive private, duke dërguar një mesazh të qartë: biznesi me ekonominë e dytë më të madhe në botë duhet të vazhdojë.
Scholz u takua me liderin kinez Xi Jingping në Pekin, pasi mbërriti atje të premten në mëngjes dhe pasdreke u prit edhe nga kryeministri Li Keqiang.
Sipas burimeve pranë takimit, bashkë me Scholz për vizitën njëditore ishin edhe drejtues të 12 titanëve të industrisë gjermane, përfshirë CEO-t e Volkswagen, Deutsche Bank, Siemens dhe kompanisë së kimikateve BASF. Ishte parashikuar që ata të takoheshin me përfaqësues të kompanive kineze me dyer të mbyllura.
Grupi hyri në Kinë pa iu nënshtruar karantinës së detyrueshme 7-ditore, siç është standard për të gjithë të tjerët. Punëtorët me kostume mbrojtëse u panë të inspektonin avionin e Scholz në aeroportin e Pekinit për të testuar delegacionin gjerman për Covid-19.
Gjatë takimit të së premtes në mëngjes mes dy liderëve, Xi bëri thirrje që Gjermania dhe Kina të punojnë bashkë mes një situate ndërkombëtare komplekse dhe të ndryshueshme dhe sipas CCTV tha se vizita “do të rriste mirëkuptimin dhe besimin e përbashkët, duke bashkëpunuar në fusha të ndryshme dhe planifikuar fazën e ardhshme të marrëdhënieve gjermano-kineze”.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat me kryeministrin Li, Scholz tha se marrëdhëniet ekonomike të Gjermanisë me Kinën ishin “vështirësuar” shumë së fundmi për shkak se Pekini po vështirësonte qasjen në disa nga tregjet e veta. “Po shohim se në Kinë ka diskutime për më shumë autonomi dhe më pak lidhje ekonomike. Këto pikëpamje duhen diskutuar”, tha Scholz.
Vizita e kancelarit gjerman, e para nga një lider i G7-tës në Kinë në gati 3 vite, vjen teksa vendi po rrëshqet në recesion. Por gjithsesi, pas saj u rritën shqetësimet se ekonomia më e madhe e Europës ka ende lidhje të ngushta me Kinën.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Gjermania është detyruar të ndërpresë varësinë e hershme nga energjia ruse. Pekini ka deklaruar se miqësia me Moskën nuk ka kufi, ndërsa marrëdhëniet e Kinës dhe Shtetet e Bashkuara po përkeqësohen.
Por tani, edhe brenda koalicionit qeverisës të Scholz ka nervozizëm për lidhjet e Gjermanisë me Kinën. Tensioni u vu më shumë në dukje së fundmi gjatë një debati mbi kompaninë shtetërore kineze Cosco për të blerë 35% të aksioneve të operatorit në një prej katër terminalet e portit të Hamburgut. Nën presion nga disa anëtarë të qeverisë, investimi u kufizua në 24,9%.
Marrëveshja e mundshme ka rritur shqetësimet në Gjermani, se marrëdhëniet e ngushta me Kinën do të lënë të ekspozuar ndaj presionit të Pekinit infrastrukturat më të rëndësishme të vendit dhe se nga kjo do të përfitojnë në mënyrë të padrejtë kompanitë kineze.
Por, Gjermania nuk është në pozicion të fortë për t’i bërë ballë Pekinit, pasi po has vështirësi në sfidën për të ringjallur ekonominë. Konsumatorët dhe kompanitë kanë mbajtur peshën më të madhe të krizës energjetike në Europë dhe recesioni i thellë është te dera.
Lisandra Flach, drejtore e Qendrës për Ekonomi Ndërkombëtare, thotë për CNN Business që, nëse Bashkimi Europian dhe Gjermania do të ndaheshin nga Kina, kjo do të sillte humbje të mëdha në Prodhimin e Brendshëm Bruto të ekonomisë gjermane.
Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore vlerëson që nëse ulet ndjeshëm tregtia mes Bashkimit Europian dhe Kinës, GDP-ja gjermane do të ulej me 1%. Gjermania duhet të zgjerojë tregjet e eksporteve pasi lidhjet me Rusinë – dikur furnizuesi më i madh me gaz i vendit – vijojnë të shpërbëhen.
Presion mbi Berlinin
Teksa vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të rënda ekonomike mbi Rusinë, Kina ka mbajtur publikisht “neutralitetin” e vet në luftë, ndërsa fuqizon marrëdhëniet tregtare me Moskën. Kjo ka shkaktuar reagime në Europë, ku disa kompani kanë nisur të kenë kujdes në tregtinë me Kinën, për shkak të kufizimeve strikte si pasojë e politikës “zero Covid”.
Presioni në Berlin po rritet edhe për problemet e Kinës me të drejtat e njeriut. Në një letër të hapur të publikuar të mërkurën, një koalicion prej 70 grupesh të shoqërisë civile i bënin thirrje Scholz-it që ta rimendonte udhëtimin në Pekin, me arsyetimin se Berlini po largonte varësinë ekonomike ndaj një fuqie autoritare, vetëm për të përfunduar në “prehrin” e një tjetre.
Në një editorial të botuar në një gazetë gjermane po të mërkurën, Scholz tha se ai do ta përdorte vizitën për të folur për çështje të vështira, mes tyre edhe respekti për liritë civile dhe politike dhe të drejtat e pakicave etnike në provincën Xinjiang. Por, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha javën e kaluar se vendi nuk kishte ndërmend të ndahej nga partneri më i rëndësishëm tregtar.
Prej gjashtë vitesh tashmë, Kina është partneri më i madh tregtar i Kinës. Nga viti 2020, volumi tregtar është rritur me 15% dhe të gjitha shkëmbimet tregtare në vitin 2021 arritën një vlerë të përbashkët prej 245 miliardë eurosh.
Por Jürgen Matthes, shef i tregjeve rajonale në Institutin Gjerman të Ekonomisë, thotë për CNN Business se Kina ka treguar në të shkuarën se e ka të thjeshtë të thyejë rregullat për të cilat është rënë dakord. “Kur bëhet fjalë për gjeopolitikë, Kina është bërë shumë më negative”, thotë ai.
Fundi i epokës së artë?
Pavarësisht kufizimeve nga Covid-19 dhe tensioneve gjeopolitike, Gjermania ka incentiva të shumta ekonomike për të qëndrua pranë Kinës. Varësia e saj nga Kina është e prekshme te disa industri. Rreth 12% e importeve në Gjermani erdhën nga Kina vitin e kaluar, por Kina ishte furnizues i 80% të laptopëve dhe 70% të telefonave celularë në Gjermani.
“Nëse do të ndalnim tregtinë me Kinën do të ishim në hall të madh”, thotë Alexander-Nikolai Sandkamp, asistent profesor i ekonomisë në Institutin e Kielit për Ekonominë Botërore. Industritë e makinave, kimikateve dhe elektrike gjithashtu kanë varësi të konsiderueshme nga Kina. 40% e makinave të shitura nga Volkswagen gjatë 9 muajve të parë të këtij viti shkuan në Kinë dhe vendi gjithashtu është treg kryesor edhe për Mercedes.
Në shtator, ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Haveck, tha për Reuters se qeveria e re po punonte për një politikë të re tregtare me Kinën për të ulur varësinë nga lënda e parë, bateritë dhe përçuesve elektrikë. Burime pranë ministrisë thanë për agjencinë e lajmeve se ministria po mendonte për vendosjen e rregullave të reja që do ta bënin më pak tërheqëse tregtinë me Kinën.
Por pavarësisht kësaj, Kina mbetet një treg, madhësia e të cilit sjell vetëm mundësi për Gjermaninë.