Sot është dorëzuar në Maqedoninë e Veriut një nga ikonat e vjedhura në këtë shtet para 9 vitesh. Pasi u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për rikthimin e ikonave të trafikuara ne vendin e tyre të origjinës, kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti fjalën e tij duke thënë se 20 ikonat e tjera do i marrë vetë në Shqipëri. Nuk mungoi falënderimi i tij për Edi Ramën, ndërsa ky i fundit bëri batutë duke thënë se nuk kuptoi asgjë.
“Ky është me të vërtet një gjest i madh që bën Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë institucionet që punuan. Ky është vit i madh për qytetarët tanë se në fillim të vitit morëm mirënjohje.
Kjo është e 21-ta ikonë që i takon manastirëve tanë, trashëgimisë kulturore të Maqedonisë së Veriut. Falenderoj Edi Ramën”, tha Kovaçevski.
“Në rregull ka fol se nuk kuptova asgjë”, iu përgjigj Rama duke qeshur.
Ndërkohë, 20 ikonat e tjera që i përkasin Maqedonisë së Veriut do të vijë vetë kryeministri maqedonas për t’i tërhequr veprat e sekuestruara pas 9 vitesh ndërsa ndodhen ende në Shqipëri.
Objektet e trashëgimisë kulturore janë sekuestruar në vitin 2013, por ende nuk janë dorëzuar në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht verifikimit të prejardhjes së tyre. Më 17 mars, Ministria e Kulturës njoftoi se për 20 ikonat e sekuestruara ishte origjina prej Maqedonisë së Veriut. Ndonëse po mbushin një dekadë, ikonat ende nuk janë çuar në destinacion edhe për shkak të procedurave ligjore e burokrative.
20 veprat që i përkasin Maqedonisë së Veriut u gjetën në shtëpinë e Artan Koçiut, i arrestuar në 2013 për trafik të ikonave. Në 2014 ai u dënua me 14 muaj burg “për përvetësim të parave dhe të mallrave që rrjedhin nga veprimtari kriminale”. Atë kohë ai dhe Gjergji Thimio pretendonin se veprat e artit të sekuestruara nga policia janë koleksion i mbledhur prej vitesh madje edhe me leje të Ministrisë së Kulturës.
Edhe në mars të këtij viti, u zbuluan 4000 vepra arti që kapnin vlerën 8 milionë euro në banesën e Artan Koçiut në Tiranë. Veprat e artit janë të karakterit fetar, ndërsa dyshohet se ato janë të vjedhura në kisha në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni.