Zhvillime të reja nga tërmeti i fuqishëm i 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.
Pas më shumë se dy javësh në ditën e 17 të kërkimeve nën rrënoja, nga raporti i fundit zbulohet se bilanci i viktimave nga tërmeti shkatërrues është rritur sërish.
Mediat vendase raportojnë se numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka shkuar në të paktën 50,000 njerëz. Në Turqi u rrit në 43,556, ndërsa më shumë se 108,000 njerëz u plagosën.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, në Siri, numri i viktimave është të paktën 6,747, duke përfshirë 4,521 vdekje në zonat e kontrolluara nga opozita dhe 2,226 vdekje në zonat e kontrolluara nga regjimi.
Nga ana tjetër, trupat e 1793 personave sirianë, të cilët u vranë në Turqi për shkak të tërmetit të dhunshëm, u transportuan nga Turqia dhe u varrosën në territorin sirian.
Numri i personave të arrestuar me akuzën e plaçkitjes dhe shkeljes së rregullave të ndërtimit pas tërmeteve në Turqi ka kaluar në 340.
Si rezultat i hetimeve të nisura nga kryeprokurorët e 11 provincave të prekura nga tërmetet, u identifikuan 564 të dyshuar për shkelje të rregullave të ndërtimit të objekteve të shembura si pasojë e lëkundjeve. Të paktën 160 prej tyre u arrestuan. Pjesa tjetër janë në kërkim.
Gjithashtu, për 71 të dyshuar janë lëshuar urdhërarreste dhe për 61 janë lëshuar urdhër-arrest. Tetëmbëdhjetë persona ishin ende në paraburgim nën drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe 11 të dyshuar ishin shpallur të vdekur.
Gjashtë të dyshuar janë gjetur jashtë vendit, ndërsa 62 të dyshuar janë liruar pas deklaratave të tyre. Hetimet e grabitjes identifikuan 282 të dyshuar në 351 incidente. 181 nga këta të dyshuar janë arrestuar nga njësitë gjyqësore dhe 35 janë nën shqyrtim gjyqësor.