Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë sot ka dhënë informacione shtesë mbi vdekjen e 20-vjeçarit nga Tearca e Tetovës. Nga SPB-Tetovë bëjnë të ditur se për rastin në fjalë janë arrestuar 6 persona.
“Dje (01 mars) në ora 17:00 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin klinik të Tetovës pa shenja jete është sjellë 20-vjeçari A.A. nga Tearca e Tetovës. Në një parking para një ndërtese banimi, në rrugën e “Ilindenit” në Tetovë, ku sipas raportit është gjetur pa shenja jete i ndjeri A.A. inspektimin e ka kryer prokurori publik dhe ekipi i SPB Tetovë.
Me urdhër të Prokurorit Publik ndaj trupit të të ndjerit është kryer autopsia. Lidhur me këtë rast në ora 18.10 në rrugën e ,,Ilindenit në Tetovë, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë privuar nga liria personat L.D.(23), J.S.(24), A.O.(25), A.O.(35) dhe P.A.(71), të gjithë nga Tetova nën dyshimin për përfshirje në “prodhim dhe tregtim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve” dhe “mundësimit të përdorimit të narkotikëve”. Gjithashtu me (02-mars) në ora 01:10, në rrugën “113”, lidhur me rastin është privuar nga liria edhe B.H.(19) nga Tetova. Të gjithë personat e privuar janë ndaluar në Stacionin Policor Tetovë për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e rastit”, thonë nga SPB-Tetovë.