Boris Johnson i është kthyer zanatit të tij të vjetër si gazetar-analist, aty ku dhe filloi karrierën e tij në “The Times” të Londrës dhe më vonë vazhdoi në “Daily Telegraph”. Skandali me “Partygate” solli dorëheqjen e tij dhe tashmë përballet me një hetim paralel. Ai u bë asistent redaktor në të njëjtën gazetë nga viti 1994 në 1999 dhe më vonë redaktor në “The Spectator” nga 1999 deri në 2005.
Në vitin 2001, ai bëri kalimin në politikë, fillimisht si deputet dhe më pas në 2008 si kryetar i Bashkisë së Londrës. Në vitin 2019, ai u zgjodh kryetar i partisë konservatore dhe mori detyrën e kryeministrit. Kjo ishte një CV e shkurtër e Johnson, e ndërsa tashmë që dha dorëheqjen si kryeministër në vazhdën e Partygate dhe si deputet së fundmi, Boris Johnson i është rikthyer gazetarisë.
Ai ka arritur një marrëveshje me gazetën Daily Mail në të cilën do të ketë rubrikën e tij javore. “Ne jemi të kënaqur të shpallim Boris Johnson si kolumnistin tonë të ri. I njohur si një nga shkrimtarët më të zgjuar dhe origjinal, rubrika e Boris do të publikohet në Daily Mail çdo të shtunë”, njoftoi gazeta britanike në një postim në Twitter.
Burime të cituara nga Politico thonë se ish-kryeministri britanik do të marrë një shumë gjashtëshifrore çdo vit për këtë partneritet.