Franca ndalon veshjen islame në shkolla. Ministri francez i Arsimit, Gabriel Attal, e bëri të ditur këtë vendim gjatë një interviste për telefizionin francez TF1.
“Shkolla e Republikës është ndërtuar mbi vlera të forta, laicizmi është një prej tyre. … Kur hyn në një klasë, nuk duhet të jesh në gjendje të dallosh se cilës fe i përket secili nxënës. Nxënësit nuk do të munden më të veshin abaya në shkollë,” tha ai.
Abaya është një fustan i gjatë dhe i gjerë që zakonisht vishet nga gratë myslimane pasi përputhet me besimet islame për veshjen modeste – por është mbajtur edhe nga komunitete të tjera në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.
Në vitin 2004, Franca ndaloi simbolet fetare në shkolla, duke përfshirë kryqe të mëdha, kipat hebreje dhe shamitë e kokës. Por abaya ka mbetur në një zonë gri dhe nuk është ndaluar në mënyrë specifike.
Vendimi vjen pasi raportimet flasin për një përdorim të rritur të kësaj veshjeje nga vajzat që i përkasin besimit islam dhe frekuentojnë shkollat franceze.
Sekularizmi në shkollat franceze ka qenë gjithmonë temë e nxehtë, pasi një pjesë pretendojnë se feja, dhe Islami në veçanti, ka shkelur hapësirën publike. Kritikët, nga ana tjetër, pohojnë se pakicat fetare përballen me diskriminim në një vend historikisht të krishterë.
Tensionet mbi arsimin dhe fenë u përkeqësuan në vitin 2020 kur një refugjat çeçen i radikalizuar i preu kokën një mësuesi francez që kishte treguar karikaturat e profetit Muhamed në klasë.