Kosova do të jetë organizatorja e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), transmeton Anadolu.
Mbledhja e ICMG-së u mbajt të premten në Heraklion të Greqisë për të përzgjedhur kryeqytetin kosovar, Prishtinën, si nikoqir i Lojërave Mesdhetare.
Pas përzgjedhjes me shumicë votash, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e quajti lajm fantastik jo vetëm për Prishtinën por për gjithë Republikën e Kosovës.
“Për zhvillimin e ngjarjeve sportive të 24 disiplinave garuese, do t’i përdorim terrenet e sallat sportive edhe në Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Podujevë, e Mitrovicë. Kurse me zhvillimin e garave detare në qytetin e Durrësit, nëpërmjet një partneriteti tejkufitar mes shteteve, që po ashtu do të dëshmohet për herë të parë në historinë e Lojërave Mesdhetare, do t’i shndërrojmë ato në një festë të madhe sportive për krejt kombin tonë. Lojërat Mesdhetare – Prishtina 2030 janë arritje e madhe për Prishtinën, fitore e madhe për Kosovën dhe Festival i madh sportiv dhe jo vetëm për mbarë kombin shqiptar”, ka deklaruar Rama.
Kryeqyteti do të bashkëpunojë me të gjithë aktorët për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme sipas standardeve.
“Prishtina 2030” do të jetë edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare. Paraprakisht, në vitin 2026, Lojërat Mesdhetare do të mbahen në Taranto të Italisë.
Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë sportistë nga 26 shtete. Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.