Ballina Aktualitet Krahu i Selës në Aleancën për Shqiptarët sot në Shkup do të...

Krahu i Selës në Aleancën për Shqiptarët sot në Shkup do të mbajë kuvendin e partisë

Krahu i Ziadin Selës brenda partisë Aleanca për Shqiptarët, sot në orën 13:00 do të mbajë Kuvendin e partisë në Shkup, pas atij të mbajtur në Kumanovë me në krye Arben Taravarin. Një nga dy pikat e rendit të ditës që ishte paralajmëruar më herë, është që t’i kërkohet kryetarit të partisë, Arben Taravarit, raport rreth zhvillimeve politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Megjithatë tashmë që Taravari ka mbajtur kuvend tjetër të partisë dhe ai nuk do të jetë në këtë kuvend, kjo pikë e rendit të ditës është në pikëpyetje, raporton Portalb.mk.

Pika tjetër e renditë të ditës është shqyrtimi i vendimit të kryesisë së partisë (që mban datën 24.10.2023) rreth daljes së partisë në zgjedhjet parlamentare.

Me 8 shkurt, nga ana tjetër u mbajt Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët, i thirrur me 8 shkurt në Kumanovë nga lideri i partisë, Arben Taravari, i ka dhënë mbështetje këtij të fundit për bashkëpunim parazgjedhor me opozitën shqiptare, në mënyrë që të angazhohet “për të çuar BDI-në në opozitë”. Megjithatë, Kuvendi i ka vendosur kusht Taravarit që të vazhdojë rrugën evropiane dhe të mos bëjë koalicon me forca anti-perëndimore.

Kujtojmë se Kuvendi mbrëmë pas mesnate me 62 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” i shkarkoi ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Në votim nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare. Të hënën do të bëhet zgjedhja e ministrave të rinj.

Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit sot duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodh pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.