Presidenti Joe Biden dhe ai kinez Xi Jinping diskutuan për Tajvanin, inteligjencën artificiale dhe çështjet e sigurisë gjatë një telefonate të martën që synoi të demonstrojë një rikthim tek dialogu i rregullt mes udhëheqësve të dy fuqive botërore.
Biseda, e cila u përshkrua nga Shtëpia e Bardhë si “e sinqertë dhe konstruktive”, ishte e para e këtij lloji që nga takimi i nivelit të lartë që u mbajt në nëntor në Kaliforni, ku u ripërtërinë lidhjet mes ushtrive të dy vendeve dhe angazhimi për një bashkëpunim të shtuar për të ndalur futjen në Shtetet e Bashkuara të drogës së rrezikshme fentanil dhe përbërësve të tij, që prodhohen në Kinë.
Presidenti kinez Xi i tha presidentit Biden se dy vendet duhet t’i përmbahen gjatë këtij viti parimit të shmangies së përplasjeve dhe konfrontimeve.
“Duhet t’i japim përparësi stabilitetit, të mos provokojmë probleme, të mos shkelim vijat ndarëse dhe të ruajmë stabilitetin e marrëdhënieve Kinë-SHBA”, tha gjatë bisedës zoti Xi, sipas njoftimit të televizionit shtetëror kinez CCT (China Central Television).
Biseda i paraprin kontakteve të nivelit të lartë që priten në javët në vazhdim mes dy vendeve. Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen do të udhëtojë drejt Kinës të enjten dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken pritet të shkojë gjithashtu në Kinë në javët pasuese.
Presidenti Biden ka kërkuar të ketë shkëmbime të vazhdueshme mes zyrtarëve në të gjitha nivelet e qeverisë, duke besuar se kjo është jetike për të parandaluar përshkallëzimin drejt një konflikti të drejtpërdrejtë, të konkurencës mes dy ekonomive të mëdha dhe njëkohësisht dy fuqive bërthamore. Megjithëse takimet në person ndodhin ndoshta një herë në vit, Uashingtoni dhe Pekini e pranojnë vlerën e shkëmbimeve më të shpeshta mes dy udhëheqësve.
Dy udhëheqësit diskutuan për Tajvanin, ndërsa pritet muajin e ardhshëm të bëhet inaugurimi i presidentit të zgjedhur të ishullit, Lai Ching-te, i cili është zotuar të ruajë pavarësinë de-facto nga Kina dhe ta afrojë Tajvanin më shumë me vendet e tjera demokratike. Presidenti Biden riafirmoi politikën e hershme amerikane të “Një Kine” dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara janë kundër përpjekjeve për ta detyruar Tajvanin të vendosej nën kontrollin e Pekinit. Kina e konsideron Tajvanin një çështje të brendshme dhe ka protestuar me vendosmëri ndaj mbështetjes amerikane për këtë ishull.
Tajvani vazhdon të jetë “vija e parë e kuqe që nuk duhet shkelur”, i tha presidenti Xi presidentit Biden dhe theksoi se Pekini nuk do të tolerojë aktivitetet e forcave separatiste pro pavarësisë së Tajvanit, apo mbështetjen e jashtme ndaj tyre, shprehje që duket se i referohet mbështetjes së Uashingtonit ndaj këtij ishulli.
Presidenti Biden ngriti shqetësime edhe për operacionet e Kinës në Detin e Kinës së Jugut, përfshirë përpjekjet muajin e kaluar për të ndalur furnizimin e forcave filipinase të vendosura në ishullin e debatuar Second Thomas Shoal. Shtetet e Bashkuara kanë në fuqi një traktat me Filipinet, në bazë të të cilit kanë detyrimin t’i mbrojnë ato.
Javën e ardhshme, presidenti Biden do të mirëpresë presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. dhe kryeministrin japonez Fumio Kishida, në një takim të përbashkët të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, ku influenca e Kinës në rajon pritet të jetë në krye të axhendës.
Gjatë telefonatës me zotin Xi, presidenti Biden kërkoi që Kina të bëjë më shumë për të përmbushur angazhimet e saj për të ndalur prurjet e paligjshme të narkotikëve dhe për të përfshirë në listën e eksporteve të ndaluara, më shumë elementë kimikë përbërës, nga të cilët mund të prodhohet droga. Zotimi për këtë u bë vitin e kaluar gjatë takimit të nivelit të lartë të mbajtur në Woodside të Kalifornisë, në kuadrin e takimeve të nismës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.
Gjatë takimit të nëntorit, presidentët Biden dhe Xi patën rënë gjithashtu dakord që qeveritë e tyre të mbanin bisedime zyrtare rreth kapaciteteve dhe rreziqeve të inteligjencës së avancuar artificiale. Këto bisedime pritet të fillojnë gjatë javëve në vazhdim. Dy presidentët e prekën këtë çështje të martën, vetëm dy javë pasi Kina dhe Shtetet e Bashkuara iu bashkuan mbi 120 vendeve të tjera për të mbështetur një rezolutë të Kombeve të Bashkuara ku bëhet thirrje për masa globale për këtë teknologji të re.
Gjatë telefonatës, Presidenti Biden paralajmëroi sërish Presidentin Xi kundër ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara dhe kundër sulmeve të vazhdueshme keqdashëse kibernetike ndaj infrastrukturës së rëndësishme amerikane, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane që diskutoi për përmbajtjen e telefonatës me kusht që të mos identifikohet.
Ai po ashtu shprehu shqetësimin për të drejtat e njeriut në Kinë, përfshirë ligjin e ri kufizues të Hong Kongut për siguri kombëtare dhe trajtimin që ky shtet u bën pakicave, si dhe foli për gjendjen e amerikanëve që mbahen në arrest, apo që u ndalohet largimi nga Kina.
Presidenti Biden po ashtu i bëri trysni Kinës për marrëdhëniet e mbrojtjes me Rusinë, që po përpiqet të rindërtojë bazën e saj industriale, ndërkohë që po vazhdon sulmin ndaj Ukrainës. Dhe ai i bëri thirrje Pekinit që të ndikojë te Koreja e Veriut për ta përmbajtur këtë fuqi të izoluar dhe të paparashikueshme bërthamore.
Si udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha botërore, Presidenti Biden gjithashtu i shprehu shqetësimin e tij Presidentit Xi për “praktikat e padrejta ekonomike” të Kinës, sipas zyrtarit, dhe ritheksoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin hapa për të ruajtur interesat e tyre ekonomike dhe të sigurisë, përfshirë kufizimin e dhënies së disa teknologjive të avancuara Kinës.
Presidenti Xi u ankua për masat që Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin muajve të fundit për t’i ndalur hovin ekonomisë, tregtisë dhe teknologjisë kineze dhe se lista e kompanive kineze nën sanksione është rritur edhe më shumë, diçka që nuk po i “ul rreziqet, por po krijon rreziqe”, thuhet në njoftimin e kanalit televiziv kinez.
Thirrja telefonike ndërmjet dy udhëheqësve u bë para vizitës njëjavore të Sekretares Yellen në Guangzhou dhe në Pekin për takime dypalëshe mbi këtë çështje me drejtuesit e sektorit financiar të vendit me ekonominë e dytë më të madhe në botë, përfshirë zëvendëskryeministrin He Lifeng, guvernatorin e Bankës Qendrore Kineze Pan Gongsheng, ish zëvendëskryeministrin Liu He, si dhe drejtues të kompanive amerikane dhe drejtues lokalë.
Në njoftimin për vizitën e Sekretares Yellen thuhet se ajo do “të angazhohet të përkrahë punonjësit dhe bizneset amerikane për t’u siguruar se ata trajtohen drejt, përfshirë duke u bërë trysni homologëve kinezë për praktikat e padrejta tregtare”.
Javën e kaluar Presidenti Xi u takua në Pekin me drejtuesit amerikanë të bizneseve. Gjatë takimit ai vuri theksin tek marrëdhëniet ekonomike nga të cilat përfitojnë dy shtetet dhe nxiti shkëmbime më të mëdha mes njerëzve për t’i mirëmbajtur këto marrëdhënie.
Presidenti Xi u tha amerikanëve se dy shtetet kanë vazhduar komunikimin dhe “kanë bërë përparim” në çështjet siç janë tregtia, luftën kundër narkotikëve dhe ndryshimet klimatike që nga takimi me Presidentin Biden në nëntor. Takimi i nivelit të lartë i javës së shkuar u konsiderua si përpjekje e Pekinit për të stabilizuar marrëdhëniet dypalëshe.
Në prag të vizitës në Kinë, Sekretarja Yellen deklaroi javën e kaluar se Pekini po e mbingarkon tregun me energji të pastër që “shtrembëron çmimet globale”. Ajo tha se synon t’i shprehë qëndrimet e saj në takimet me homologët, se rritja e prodhimit të energjisë diellore, makinave elektrike dhe baterive të litiumit nga Pekini, paraqet rrezik për produktivitetin dhe rritjen e ekonomisë botërore.
Shqetësimet e hershme të ligjvënësve amerikanë rreth aplikacionit të mirënjohur të rrjetit social TikTok, që është në pronësi kineze, kanë nxitur hartimin e ligjeve të reja në Shtetet e Bashkuara, që do të ndalojnë platformën TikTok nëse pronari i saj “ByteDance” nuk i shet aksionet brenda gjashtë muajsh prej hyrjes në fuqi të ligjit.
Si kryesuese e Komisionit për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara, që shqyrton pronësinë e huaj të kompanive që zhvillojnë biznesin e tyre në Shtetet e Bashkuara, Sekretarja Yellen ka hapësirë të mjaftueshme për të përcaktuar se si mund të vazhdojë të funksionojë në Shtetet të Bashkuara kjo sipërmarrje.
Ndërkohë, udhëheqësit e Kinës kanë përcaktuar objektivin prej 5 për qind të rritjes ekonomike përkundër ngadalësimit, i cili është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të shqetësimeve në sektorin e pasurive të patundshme dhe efektet e masave të ashpra të ndërmarra gjatë pandemisë COVID-19, që ndërprenë udhëtimin, aspektet logjistike, prodhimtarinë dhe industritë e tjera.
Kina dominon sektorin e prodhimit të baterive për makina elektrike dhe po zgjeron me shpejtësi industrinë e automobilave, që në të ardhmen mund të sfidojë prodhuesit kryesorë botërorë të makinave.
Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara hartuan plane për të kufizuar blerësit e makinave elektrike, që përmbajnë material baterish nga Kina dhe shtete të tjera që konsiderohen armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara. Krahas kësaj, Departamenti i Tregtisë nisi një hetim rreth rreziqeve të mundshme që eksporti i makinave kineze do të ketë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara./voa