Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka bërë të ditur se do të ndërtojë 500 banesa për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
“Shpresojmë që ekipet tona do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi“, ka thënë Erdogan, raporton Agjencia e lajmeve Anadolu. “Shqiptarët dhe turqit kanë një kauzë vëllazërie”, ka thënë ai, duke shtuar: “Në këtë stinë të ftohtë ata (banorët) kanë nevojë për ndihmë. Ne nuk do të presim askënd, do të nisim ndërtimin e vendbanimeve“, ka deklaruar kreu i shtetit turk.
Kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti ndodhet në Durrës, aty ku ka shumë të prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në ABC e mëngjesit ai deklaroi se “në këtë krizë ushtria është mjeti më efikas për të përballuar këtë situatë” dhe sipas tij “ushtritë tona po e përballojnë shkëlqyeshëm”.
“Këtu në këtë krizë ushtria është mjeti më i mirë për efikasitet të lartë dhe organizim dhe ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë shkëlqyeshëm dhe në këtë fatkeqësi të rëndë për kombin në ballë kemi dy ushtritë, po na po na ngrohin zemrat që do arrijmë të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur”.
Kurti thekson se ajo që duhet menaxhuar nga të dy qeveritë është kriza pas tërmetit, e cila duhet të marrë përgjigje nga të dy qeveritë.
“Dy qeveritë tona duhet të takohen dhe një temë të jetë kriza pas tërmetit, duket që rreziku mund të ketë rënë një çik, por jeta e rëndë e cila ka edhe elementë të një lloj mjerimi e varfërie edhe krize humanitare të njerëzve meqenëse nuk mund të kthehen në shtëpi është çorientuar duhet të marrë përgjigje nga të dy qeveritë tona. Jemi dy shtete, por një komb dhe duhet ta dëshmojmë me aksionin solidar të popullit. Më pas duhet të organizohet dhe nivel më të lartë të duhur nuk ka më mirë sesa ushtria. Kazerma “Skënderbeu” në Kosovë do të shërbejë si pikë për ndihmë që po u vjen qytetarë të Kosovë”.
Pas udhëtimit të tij drejt Durrësit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti ka mbërritur edhe në Thumanë.
Ju kujtojmë se më herët, Kurti u shpreh nga stadiumi i Durrësit se “FSK dhe Ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyeshme”.
“Erdhëm që të shohim konkretisht gjendjen. Besoj që në një krizë të tillë, ushtria është edhe mjeti edhe mënyra më e mirë për organizim të duhur. Me profesionalizmin e tyre, ata po na i ngrohin zemrat se do të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur. Besoj që dy Qeveritë tona duhet të takohen dhe tema të jetë gjendja pas tërmetit”, deklaroi ai.
Dje Kurti qëndroi në Gjilan, ku mori pjesë në varrimin e dy vëllezërve Abazi, të cilët u gjetën të vdekur nën gërmadhat e një hoteli në Durrës pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit.
Nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn”, në Tetovë, kanë shpalosur sot flamurin shqiptar në nder të festës së pavarësisë së Shqipërisë, dhe në shenjë solidariteti me viktimat e tragjedisë nga tërmeti që goditi vendin tonë.
“Dita e Flamurit të gjeti të lëkundur mirëpo jo të mposhtur, e jona Shqipëri! Na bashkoi të gjithë shqiptarëve anë e mbanë ngaqë dhimbja yte është edhe dhimbja jonë. Në këtë ditë të errët Nëntori, mes dhimbjesh e lutjesh, ne nxënësit e shkollës së mesme të Medicinës bashkëndjejmë dhimbjen me ty!” thanë nxënësit.
Banorët sot në Durrës po përpiqen të përballojnë në kushte të rënduara psikologjike pasojat nga dëmet e shkaktuara në jetë njerëzish dhe në prona. Tre ditë pas tërmetit tragjik që shkaktoi dhjetëra jetë të humbura e shumë dëme materiale, në pamjet e sjella nga Zëri i Amerikës, qyteti bregdetar duket sikur ka dalë nga ndonjë betejë e egër lufte.
Pallate që mezi mbahen në këmbë, që të fusin frikën kur i sheh, e të tjera të rrënuara, të bëjnë të mbash frymën kur mendon pasojat që solli ky tërmet i mëngjesit të 26 nëntorit në Shqipëri.
Ditë të vështira po kalon populli im i shumëvuajtur. Duke parë këto skena të llahtarshme si dhe duke marrë në konsideratë që kjo fatkeqësi ishte plotësisht e shmangshme nuk mund të rri pa shkruajtur disa rrjeshta. Fajin që ndodhi kjo fatkeqësi e kam unë, që ngrita zërin gjthë kohës por nuk më dëgjonte asnjë. Fajin e kam unë kur mbështeta studentët në protestën e tyre dhe asgjë nuk u bë, ndoshta po vazhdon më keq. Ata njerëz që e kanë sjellë këtë rrokopujë zgjidhen, rizgjidhen, emërohen, përfitojnë benefitet por për punë mos pyet saqë kur shpreh ndonjë mendim, të thonë mos je gjë “budalla”.
Në rrënoja duhet të isha unë që e ngrita zërin me forcë për mënyrën se si duhet të ndërtohet pasi jemi në shkencat ekzakte dreqi ta hajë dhe jo tek shkencat nqs, pqs, etj por kush më dëgjoi, askush. Qeveria, TV, gazetarët analistët që flasin për gjithçka numërojnë viktimat, por në vend të viktimave duhet të isha unë. Do kisha deshirë të isha unë në ato rrënoja, ti lutesha zotit të bëhesha 50 syresh dhe në çdo rast skuadrat e shpëtimit të më nxirrnin mua. Flas shumë por me vehten time pasi askush nuk më dëgjon, mundohem me atë që kam mundësi të ndikoj sadopak por shurdhëria ka pllakosur gjithandej.
Bëhen ndërtime, thonë sipas standarteve, një duzinë me specialist (sizmolog, gjeolog, projektues, konstruktorë, zbatues, supervizorë, kolaudator e ku di unë, të gjithë në rradhë) por në fakt ndërtojmë gradualisht fatkeqësinë e radhës. Po prapë e kam fajin unë, unë duhet të isha në rrënojat pasi kam folur shumë, për çfarë vlejti, asgjë. Shikoni se sa aksidente apo viktima ka në fushën e ndërtimin, në riparimin apo mirëmbatje e linjave elektrike (është fusha më të cilën mendoj se di dy gjëra) etj, dhe prapë unë e kam fajin. Jam i lodhur, nuk do flaës më se ndoshta mund të bëjnë ndonjë gjë. Jo jo nuk do flas.
Nuk bëhet shtet sa hap e mbyll sytë thonë, nuk kam shkop magjik ja kthen tjetri por ama në pushtet janë gjithë kohën dhe ma kërkojnë mua ndërtimin e shtetit. Jam vetëm, si mund të bëj shtet një njeri i vetëm. Jo jo nuk mundem por prapë fajin e kam unë. Më ka ngel vetëm ti lutem zotit që të na i kursejë fatkeqësitë pasi nuk mundem më, jam i lodhur, i sfilitur dhe i dërrmuar……
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sonte së bashku me deputetin Fadil Zendeli, nënkryetarin Kastriot Rexhepi dhe Kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, vizituan lokalitetin Thumanë të Shqipërisë, një ndër vendet më të prekura nga tërmeti.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për viktimat nga tërmeti dhe shprehën gadishmëri të plotë për të ndihmuar me të gjitha format e mundshme.
Mbrëmë, së bashku me deputetin Fadil Zendeli, nënkryetarin Kastriot Rexhepi dhe Kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, vizituam fshatin Thumanë të Shqipërisë, një ndër vendet më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Ngushëlluam vëllezërit tanë për këtë tragjedi dhe i’u shprehëm gadishmërinë e plotë për të qenë afër njëri tjetrit në këto momente të vështira.
Bashkëndjejmë dhimbje nga kjo tragjedi dhe bashkimi i jonë si shqiptar është më i madh si asnjëherë më parë!
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka komentuar përplasjet e fundit mes funksionarëve të LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Në një intervistë për gazëtën LAJM, Sela ka thënë se “grindjet” mes partnerëve të koalicionit janë të orkestruara dhe bëhen për të përfituar sa më tepër vota nga shqiptarët. Megjithatë, kreu i ASH-së, beson se elektorati shqiptarë i ka kuptuar lojërat e Bashkimi Demokratik për Integrim dhe LSDM-së dhe më 12 prill do të votojë opozitën e bashkuar shqiptare. “Nuk është mirë kur partnerët e koalicionit bëjnë lojëra politike për të joshur elektoratin. Kjo situatë dhe përplasja e mirë orkestruar nga krerët e këtyre dy partive që të përfitojnë nga njëri-tjetri, nga kjo përplasje fitojnë vota shqiptarësh, këtu është problem, është e orkestruar mirë.
Nënkryetari i LSDM-së akuzat ndaj Bashkimi Demokratik për Integrim i ka të orkestruara vetëm me qëllim të mbajtjes së atij trupi votues shqiptarë që e votoi LSDM-në në vitin 2016 kundër Bashkimi Demokratik për Integrim, jo për LSDM-në. Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim çdo herë ka bërë patriotin fakultativ, me korespodencë. Dje i përqafuar me brat Luben për zgjedhjet lokale, Ali Ahmeti bashkë me këta, kurse tani që po vijnë zgjedhjet parlamentare dhe e dijnë që nuk do e gjëjnë shpëtimin tek votuesit maqedonas, tani këta patriotët fakultativë do të marrin në dorë flamurin kombëtarë dhe shesin moral. Është e orkestruar për të marrë çfarë mundën nga votat e shqiptarëve. Por, shqiptarët janë vetëdijësuar dhe më 12 prill do ta votojnë Aleancën për Shqiptarët, opozitën e bashkuar”, tha Sela në interevistën e tij për gazetën LAJM. Prononcimin e Ziadin Selës për përplasjet mes LSDM-së dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, mund ta ndiqni nga minuta 5:40 e intervistës.
Janë shtatë ndërtesat në Durrës dhe tre ato në Thumanë krejtësisht të shembura për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.
Në pritje që institucionet të përfundojnë monitorimin e qindra pallateve dhe banesave të tjera që u dëmtuan, por që, duke qenë se nuk u shembën krejtësisht, nuk shkaktuan viktima, media ka hedhur dritë mbi historinë e këtyre 10 ndërtesave të mallkuara, shumë prej të cilave të ndërtuara në mënyrë abuzive dhe në shkelje të ligjit.
Pallatet e ndërtuara sipas rregullave, në fakt, janë projektuar për të përballuar tërmete deri në 7-8 ballë, një rregull ky, që është respektuar në përgjithësi në Shqipëri dhe kjo shpjegon përse tërmeti i 26 nëntorit, si dhe ai i shtatorit, nuk sollën një bilanc edhe më dramatik.
1) Hotel Miramare Durrës: Sikurse ka zbuluar gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno, hoteli krejtësisht i shembur ishte ndërtuar në vitet 1998-1999 në zonën e plazhit. Në fillim u ndërtua me dy kate, pastaj, me një seri ndërhyrjesh abuzive, nisi të merrte lartësi. Në vitin 2001 policia ndërhyri për të bllokuar një kat shtesë pa leje, por pastaj shteti e harroi problemin dhe në momentin e shembjes hoteli ishte bërë me 6 kate. Por themelet ishin parashikuar për vetëm dy kate dhe nuk mundën të mbajnë peshën kur erdhi lëkundja, që shembi gjithshka. Në këtë godinë humbën jetën dy persona, balerina dhe baristi.
2) Pallati 5 kate + 1 papafingo Lagja 16 (stadiumi) – Durrës: ndërtesa u bë vetëm për familjen e Perikli Konomit në vitet 1994-1996. Në të banonte familja Konomi dhe tri familje që kishin marrë me qira tre apartamente. Por ka dyshime se ndërtesa ishte projektuar pa konsulencën e ekspertëve dhe pa respektuar normat e kërkuara teknike e për këtë arsye nuk e përballoi lëkundjen. U shuan dy familje, 7 persona.
3) Pallati 6 kate “2 Gjelat”- Lagja 5 Durrës : pallati u ndërtua në vitin 1986 me punë vullnetare nga Ndërmarrja e Ujrave, në kohën e regjimit komunist. Ka mundësi që ndërtesa të ketë patur difekte strukturore, siç ndodhte shpesh në zbatimin e punimeve “vullnetare”, në të cilat detyroheshin të punonin studentë e punëtorë: përdorimi i fuqisë punëtore pa përvojë shpesh prodhonte “pallate” të ndërtuara keq dhe për këtë arsye u mungonte edhe siguria e duhur. Kollonat mbajtëse nuk e kanë përballuar lëkundjen dhe një kat i pallatit u fundos, prej çfarë e pësoi vetëm kush banonte në katin e parë. Sipas gazetarit Arsen Rusta, një nga kolonat e pallatit është hequr nga disa persona për të krijuar hapësirë për një lokal. Në këtë pallat vdiqën 2 gra
4) Hotel Villa Palma – Durrës: hoteli u ndërtua në 2000-2001, fillimisht me një leje për tre kate. Më pas edhe ky hotel filloi të ngrihej në lartësi dhe, në sajë të një lejeje të re, iu shtuan edhe tre kate. Tani arriti në shtatë kate. Por, si dhe në rastin e Hotelit Miramare, kollonat e themeleve ishin projektuar për të mbajtur vetëm tre kate dhe katër katet shtesë e kishin dobësuar gjithë strukturën, duke shkaktuar më në fund shembjen.
5) Hotel Tropikal – Durrës: Hoteli Tropikal u ndërtua në vitin 1998 pa leje. Në vitet më pas i kishin shtuar kate të tjerë. Edhe në këtë rast, themelet nuk e mbajtën peshën e shtuar dhe nuk e përballuan lëkundjen. Vdiqën 2 persona, vëllezërit kosovarë
6) Pa leje ishin edhe Hotel Apollonia e Hotel Lubjana, të ndërtuar gjithnjë në zonën e plazhit në Durrës në të njejtën kohë me Hotel Tropikalin, të cilët u shembën pjesërisht, por pa shkaktuar viktima.
7) Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme – Durrës: Godina fillestare ishte ndërtuar në vitet 1986-1991 nga Ndërmarrja e Ndërtimit të Durrësit, në vitet e fundit të regjimit komunist. Struktura mbeti e papërfunduar deri në fund të vitit 2006, kur Ministria e Brendshme vendosi të investonte për përfundimin e saj. Godina e re, pjesërisht e shembur më 26 nëntor, ishte përfunduar në vitin 2008. Vdiq 1 person, komisari, pedagog në Akademinë e Sigurisë
8) Godina 4 katëshe – ish-Këneta Durrës: kati i parë i godinës u ndërtua pa leje në vitet 1997-1999. Në vitet më pas u shtuan edhe kate të tjerë për të strehuar anëtarët e tjerë të po asaj familjeje dhe arriti në katër kate. Por themelet edhe në këtë rast ishin projektuar vetëm për një kat dhe ndërtesa u shemb. U shua një familje me 8 veta
9) Tre pallatet në Thumanë (Fushë Krujë): U ndërtuan në kohën e regjimit komunist me punë vullnetare, që nga viti 2010 ishin vlerësuar nga autoritetet në rrezik rënieje. Sipas burimeve ende të verifikuara, të tre pallatet ishin deklaruar edhe të pabanueshme, një pjesë e strukturës ishte vjedhur dhe dobësuar, por megjithëkëtë ndërtesat vazhdonin të ishin të banuara. Deri natën e tërmetit dhe të shembjes. Në Thumanë humbën jetën më shumë se 20 persona./JavaNews
Gazeta pranë Vatikanit l’Avenire ka publikuar një lajm në të cilin përshkruan gjendjen në qytetin e Durrësit. Është ky artikull që Xhulia Aliaj i eshtë referuar duke sjellë arrestimin e saj.
Në artikullin e saj l’Avenire përshkruan gjendjen e Durrësit dhe bën me dije se impianti i depurimit të qytetit është dëmtuar duke rrezikuar të përhapi në det gjithë ujërat e zeza të qytetit dhe shkaktojë katastrofë ekologjike, informon dritare.net.
Lajmi i dytë i gazetës është se në Porto Romano janë dëmtuar depozitat e naftës dhe gazit duke rrezikuar shpërthimin e tyre.
Të dyja lajmet janë pa burim nga autoritetet shqiptare apo të paktën nga një dëshmitar në vend.
Mesa duket edhe me gazetarin italian ka ndodhur si me disa korrespondentë të shtypit të huaj gjatë luftës në Kosovë që qëndronin në Puglia dhe në redaksitë e tyre komentonin sikur ishin më frontin e Koshares, informon dritare.net.
Viktimë e kësaj gazete autoritare por në këtë rast e papërgjegjshme ka rënë edhe Xhulia, e cila është një besimtare katolike dhe studente në Universitetin Aleksandër Moisiu, që lexonte këtë gazetë dhe informohej prej saj.
Është rasti që ti bëjmë thirrje opinionit që t´i besojnë mediave serioze shqiptare që ka korrespondentët e saj në terren./dritare.net
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,4 ka tronditur Shqipërinë. Sizmiologët thonë se është tërmeti me i fortë që ka goditur vendin tonë qe nga viti 1926.
Tërmeti i të martës, ashtu si ai i shtatorit, epiqendrën e kishte në Durrës. Tërmeti është pasuar më pas disa dhjetëra lëkundje.
Tashmë dëmet e shkaktuara nga tërmeti janë shumë të rënda. Banorët të cilët kanë folur për gazetarin e abcnews.al, Andi Qosja rrëfejnë momentet e panikut, por tashmë shqetësimi i tyre mbetet se çfarë do të bëhet pas tërmetit.
I ndodhur në një prej pallateve të dëmtuar nga tërmeti, një banor ka treguar për gazetarin Qosja se nuk është larguar ende edhe pse është i pabanueshëm.
“Arsyeja që vazhdoj të qëndroj në banesat e dëmtuara është frika se mos më vjedhin materialet me vlerë. U ktheva në Shqipëri pë pushime më datë 24. 11.2019, por u gjendem përballë kësaj tragjedie. I lutem inxhiniereve që kanë bërë pallatin të përgjgjen para ligjit sepse kanë vendosur 40 ton hekur në një pallat projekti i të cilit ishte vetëm nëntë kate”, shprehet qytetari.
Ai shton se çdo vit kanë ngritur kate të cilat nuk duhet të lejoheshin. “Është e pabanuar por ku të shkoj, ku ti lë të gjitha materiale, organet duhet të marrrin masa të mënjëhershme. Këto janë ditët më të vështira, jemi pesë persona që jetojmë këtu, pres përgjigje nga shteti për vlerësimin e dëmeve. /abcnews.al
I vetmi i mbijetuar i familjes Cara në Thumanë, Albert Cara, është nisur sot drejt Italisë, për mjekim më të specializuar, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Ai u nxor i gjallë nga rrënojat e pallatit të shembur nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, por me shumë dëmtime në trup. Cara është nisur këtë mesditë me avion nga aeroporti i Rinasit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë Oerta Manastirliu.
Albert Cara humbi të gjithë familjen nën rrënoja, gruan Fatmira, dy djemtë Hasan dhe Almir, vajzën Erisa, të fejuarën e Almirit, Stelën, nusen e xhaxhait, Anthi, dhe mbesën e saj Sadajan, të cilët janë përcjellë sot mes lotësh për në banesën e fundit. Ndërkohë, nga rrënojat u nxor e gjallë Lindita Cara, vajza e xhaxhait të Albert Carës (nëna e Sadajanës), pas rreth 15 orësh nën rrënoja.
Presidenti i Balfin Grup, Samir Mane akordoi sot shumën prej 1.2 milionë eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.
Janë të shumtë njerëz të politikës, biznesit, aktorë të cilat janë solidarizuar në këto ditë të vështira që po kalon vendi pas tërmetit tragjik të ndodhur mëngjesit e 26 nëntorit.
Gjithashtu, Balfin Grup jep mesazhin që së bashku ngrihemi më të fortë.
Bordi Drejtues i Grupit Balfin nën kujdesin e veçantë të Presidentit Samir Mane, dhe kompanitë përkatëse të Grupit vendosën sot që të akordojnë shumën prej 1.2 milionë eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.
Përveç kësaj shume të akorduar, kompanitë e Grupit Balfin, si SPAR Albania, Neptun Albania, Jumbo Albania, etj, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjes, e kështu me radhë, që në ditën e parë, i kanë qendruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore” thuhet në njoftimin për shtyp.
Grupi Balfin bën të ditur se ndihmat e tij do të vijojnë çdo ditë.
Bebe Rexha po vjen në Shqipëri më 2 dhjetori për të sjellë paratë e grumbulluara nga fondi që ajo ka hapur.
Gjatë ditës së djeshme, këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, e prekur nga gjendja pas tërmeteve në Shqipëri, ka treguar se ajo personalisht do të vijë të vizitojë e të ndihmojë njerëzit që janë priekur.
Bebe gjithashtu ka shfrytëzuar ndikimin e saj për të mbledhur sa më shumë para nga shqiptarët dhe fansat e saj në mbarë botën, në mënyrë që të sjellë para të mjaftueshme për të ndihmuar disa familje të rindërtojnë jetët e tyre.
E sot me anë të një videoje Bebe ka zbuluar se ajo do të jetë në Shqipëri më datën 2 dhjetor, ndërsa nga fondi i saj i hapur në GoFundMe, deri tani janë mbledhur gati 50 mijë dollarë dhe qëllimi është që deri më 2 dhjetor të mblidhen 100 mijë.
Popullsia bregdetare në Rajonin e Evropës Juglindore është më e rrezikuara nga ndryshimet ekstreme të klimës pohoi Banka Botërore në një studim të posaçëm publikuan së fundmi më rajonin ECA. Nga 19 vende të marra në studim Shqipëria shihet të jetë më e rrezikuara, për shkak se pothuajse e gjithë popullsia e saj ka një distancë jo më shumë se 100 kilometër nga bregu i detit.
Por Banka vlerëson se, kapaciteti adaptues për të lehtësuar pasojat e ndryshimit të klimës është minuar nga infrastruktura e papërshtatshme, institucione të dobëta dhe burime të kufizuara financiare.
Popullsia bregdetare në Rajonin e Europës Juglindore është e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshimit të klimës nga rritja e nivelit të detit, rritjet e stuhive, përmbytjet dhe thatësira.
Brenda gjireve të detit Adriatik, detit Baltik, detit të Zi dhe detit Kaspik jeton nga 20 -70 për qind e popullsisë së shteteve në afërsi të deteve.
Rritja e nivelit të detit, erozionit dhe stuhive të mëdha në Detin e Zi po kërcënon portet, banesat, tokat e punueshme dhe pikat turistike përgjatë brigjeve të Gjeorgjisë, Rusisë, Turqisë dhe Ukrainës.
Nxitja e aftësive adaptive përmes përmirësimeve në politikat e menaxhimit bregdetar, të tilla si zonimi dhe planifikimi, menaxhimi i burimeve ujore, përdorimi i teknologjive të reja dhe kontrolli i përmbytjeve, do të jetë thelbësore për të lehtësuar rreziqet që ndryshimet klimatike paraqesin në komunitetet bregdetare, lajmëron Banka Botërore.
Përmirësimi i politikave në drejtim të parandalimit mund të rrisë rezistencën ndaj ndryshimit të klimës, pasi ato sigurojnë burimet e nevojshme për të mbështetur viktimat e ngjarjeve ekstreme.
Investimi në infrastrukturën klimaterike e kombinuar me planifikimin e duhur të përdorimit të tokës, mund të ndihmojë në zbutjen e rreziqeve të ndryshimit të klimës. Shqipëria dhe vendet e tjera bregdetare duhet të ngrenë rrjete të mbrojtjes sociale në mënyrë që të parandalojnë rrënimin ekonomik te të prekurve.
Banka Botërore thotë se vëmendja ndaj rajonit duhet të shtohet pasi ndërmarrjet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore janë jetike për zinxhirët ushqimorë globalë. Ato prodhojnë dhe eksportojnë 1 të katërtën e grurit në botë, shumica e të cilave vijnë nga Rusia, Ukraina dhe Kazakistani.
Cilësia e tokës pritet të përkeqësohet në përgjigje të temperaturave më të larta dhe thatësirave më të shpeshta, veçanërisht në Rusi dhe Ukrainë, të cilat mund të kërcënojnë rendimentet e bimëve.
Unë i lejoj vetes që të shkruaj për temën e shprehur në titull, sepse zyra e komunikimit e Kryeministrisë e ka parë të arsyeshme që publiku shqiptar dhe ai ndërkombëtar të mësojnë se e fejuara e djalit të Kryeministrit Rama, madje nusja e këtij të fundit (sepse në anglisht nusja e djalit quhet daughter-in-law, dhe kështu e quan CNN të ndjerën), vdiq në Durrës nga tërmeti i fundit.
Në këtë rrethanë, unë i lejoj vetes që t’ i bëj me dije publikut shqiptar sesi dhe pse u prodhua një lajm i rremë qeveritar.
Makineria shtetërore e prodhimit të gënjeshtrave u vu në lëvizje pas një statusi në rrjetet shoqërore të Gregor Ramës, djalit 29 vjeçar të Kryeministrit Rama, me këtë përmbajtje:
“Mes viktimave të shumta nga kjo fatkeqësi natyrore, edhe një njeriu im i afërt së bashku me vëllanë e saj, mamin dhe babin janë gjetur në rrënoja.”
Kaq, asnjë e dhënë tjetër se kush ishte “njeriu i afërt”. Do të kishte qenë një cinizëm i skajshëm nëse dikush, pasi ka vendosur ta bëjë publike një fatkeqësi personale, t’ i referohet të fejuarës së tij të vdekur nga tërmeti së bashku me krejt familjen e saj, me një artikulim kaq abstrakt, duke e quajtur thjesht “njeriu im i afërt”
Nuk mund të thuhej megjithatë kjo gjë për Gregor Ramën, pasi bëri këtë njoftim, sepse nuk e dihej çfarë kishte parasysh ai kur tha fjalët e mësipërme, që gjuhësisht mund të shënojnë një shoqe çfarëdo (në këtë rast mënyra e shprehjes tregon korrektësisht largësi etike), ose edhe një vajzë me të cilën ka marrëdhënie dashurore.
Njoftimi i Gregut frymëzoi Endri Fugën, drejtorin e fabrikës së gënjeshtrave zyrtare të Edi Ramës, i cili shpërndau nëpër portalet proqeveritare një zbërthim të njoftimit- gjëagjëzë të Gregut, ku thuhej se bëhej fjalë për të dashurën, madje për të fejuarën e djalit të Kryeministrit, jepej emri i saj, disa fotografi të saj, emrat e familjarëve. Cuditërisht në asnjë fotografi e ndjera nuk shfaqej bashkë me Gregorin.
Por sa më sipër ishte veç pikënisja e lajmit të rremë për të cilin ishte i interesuar Kryeministri. Lajmi i rremë që duhej fabrikuar ishte se tërmeti solli zi edhe në familjen kryeministrore. Ky lajm i rremë duhej infiltruar pikësëpari në mediat shqiptare Dhe kështu ndodhi. Zyra e gënjeshtrave qeveritare zgjodhi për këtë qëllim Sokol Ballën, i cili gjatë një intervista me Kryeministrin pranë rrënojave të tërmetit e pyeti dhe për ngjarjen e thënë më lart. Kështu iu dha mundësi Kryeministrit të bënte live rolin e atit familjar mjekërbardhë, që mallëngjehet, përlotet dhe nuk mundet që të vazhdojë të flasë, kur i kujtojnë nusen e vdekur nga tërmeti.
Efekti i kërkuar është arritur. Kryeministri na tha: E shikoni, edhe familja ime është pjestare me gjak në këtë fatkeqësi, thotë Kryeministri me qëndrimin e tij. Unë, Edi Rama, personalisht i përkas bashkësisë më të dëmtuar nga tërmeti, asaj të njerëzve që kanë humbur të afërm nga tërmeti.
Makineria e gënjeshtrave qeveritare përdori një degëzim të CNN në Shqipëri, në pronësi të një oligarku me lidhje të posacme me Kryeministrin Rama, për të infiltruar në këtë media të madhe ndërkombëtare lajmin e zisë kryeministrore. CNN dhe media të tjera të mëdha ndërkombëtare ndoqën procedurën korrekte duke bërë verifikimin e lajmit pranë zyrës kryeministrore të komunikimit (CNN madje e thotw këtë në lajm), nga ku morën përgjigjen se bëhej fjalë për të fejuarën e djalit të kryeministrit, madje nusen e ardhshme të kryeministrit (daughter-in-law), si e quan CNN.
Dhe pastaj lajmi i rremë mori dhenë.
Si shpjegohet që nuk ka asnjë foto të kryeministrit me daughter-in-law, ose të familjes kryeministrore me të? Epo normale, kur nuk ka një foto të përbashkët të djalit të kryeministrit me të ndjerën.
Ju që keni kritika për mënyrën sesi Kryeministri po e kryen detyrën e tij në rrethanat e krijuara nga tërmeti. A nuk e shikoni se Kryeministri po bën të pamundurën duke mposhtur edhe dhimbjen drejtpërdrejt familjare që i solli tërmeti?
Lajmi i rremë kurorëzohet me një Amarcord, pas një viti në faqen zyrtare të Kryeministrit në Facebook.
E gjitha kjo është para të këqijave të tjera një perversion me zinë e familjeve shqiptare që kanë humbur të afërm nga tërmeti.
Sa për ata që mund të pyesin “E përse nuk mund të jetë e vërtetë që të ketë qenë vërtet e fejuara e Gregorit, siç ka thënë zyra qeveritare e komunikimit?”, përgjigjia ime është:
Mjafton të thuhet që mediat shqiptare të cilat bashkëpunuan në prodhimin e lajmit të rremë, do të kishin qenë të parat që do ta kishin dhënë lajmin e fejesës nëse kjo do të kishte ndodhur. Do ta kishin marrë këtë përparësi si shpërblim për shërbimet e tyre. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur./Kastriot Myftaraj
Ajo që ka ngjarë me Durrësin, duke krijuar një situatë të rëndë humanitare, pa asnjë dyshim ishte produkt i forcës së natyrës, me të cilën njerëzit janë përballur dhe do të përballen në çdo rast. Dhimbja dhe solidariteti, ishin virtytete të përshfaqura të shqiptarëve, grekëve, italianëve, turqve, malazezëve, francezëve, maqedonasve, izralitëve, amerikanëve, gjermanëve, arabëve, duke treguar se bota është e madhe, siç janë edhe ndjesitë njerëzore.
Edhe pse halli është i madh, edhe pse trishtimi ka mbërthyer zemrat e shqiptarëve, edhe pse ndihmat po vërshojnë lumë drejt të prekurve nga kjo fatkeqësi, askush nuk ka mbetur pa pyetur, kush e rrënoi Durrësin, kush e toleroi dhe u bë palë me ata që e rrënuan me dashje Durrësin ? Qytetin e turizmit, qytetin e historisë, qytetin e plazhit të shqiptarëve, qytetin e Amfiteatrit 3 mijëvjeçar, qytetin e peshkimit dhe portit më të madh të vendit.
Durrsakët nuk janë trembur, shumica e tyre mbeten stoikë në vendimin se “nuk e braktisim qytetin” por shumë ka prej tyre që po dynden drejt qyteteve të tjera të vendit, në veri dhe jug, Kosovë dhe Maqedoni, për të qetësuar vehten dhe fëmijët. Kush e rrënoi Durrësin , qytetin mikpritës të mbi 1.5 milion pushuesve gjatë verës, kush e rrënoi Durrësin, qytetin e ekskursioneve dhe konferencave europiane dhe botërore për arkeologjinë, kush e mbushi Durrësin me pallate shumëkatëshe, kush i toleroi dhe i firmosi lejet e ndërtimit në gjithë këto vite për mekanikun që u bë “pronar firme ndërtimi” apo për injorantin me 4 klasë që u bë milioner nga trafiku dhe kontrabanda, dhe që ndërtoi për 20 e ca vjet pallate për durrsakët?
Kush i mbushi sheshet e lagjeve dhe ish-Kënetën me 15 katëshe duke u bërë milioner me para emigrantësh, kush i ka shitur lejet e ndërtimit, dhe përfitoi miliona nga pronarët mediokërr të firmave ndërtuese, nga ku sot shohim tragjedinë që ka ndodhur. Askush, dhe e them me bindje, askush nuk ka verifikuar dhe kontrolluar asnjë kat apo pallat të plotë, për të gjetur dhe verifikuar shkeljet dhe cilësinë e punimeve në pallatet e ndërtuara. Gjithçka shitej dhe blihej, shitej leja e ndërtimit, blihej procesi kolaudimit të pallatit, dhe gjithçka bëhej duke shkelur ligjin hapur, pasi mbushnin xhepat me milionat e fakirëve.
Në Durrës është bërë krim, krim njerëzor, dhe mjedisor, ndaj duhet ndëshkim. Ata që në mbi 25 vjet, dhanë në mënyrë të paligjshme dhe shitën lejet e ndërtimit, ata që mbushën xhepat dhe thasët me milionat e qytetarëve, ata që kanë fallcifikuar dosjet në Urbanistikë nga projekti pallatit deri tek kolaudimi tij, ata që guxuan të shesin pallatet e tyre, pa përmbushur asnjë kriter dhe kusht teknik dhe sigurie, sot ka ardhur koha të japin llogari. Ata që kapardisen majë vilave dhe kullave në qytetet e Europës me para të zhvatura, kur tragjedia ka ndodhur tashmë dhe ka marrë jetë të pafajshme duke rrënuar Durrësin, ka ardhur dita ti jepen drejtësisë. Sot më shumë se kurrë, drejtësia e re duhet të flasë, duhet të nxjerrë pa asnjë ditë vonesë përgjegjësit e katrahurës humanitare para ligjit, pasi çdo vonesë është fatale për ndëshkimin e tyre.
Pas çdo premtimi, paralajmërimi, angazhimi dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me këtë ngjarje të dhimbshme, ajo që do të qetësonte shqiptarët dhe veçanarisht çdo qytetar që ka patur humbje të mëdha, do të ishte përgjigja e pavonuar nga drejtësia e re e këtij vendi, kush e rrënoi Durrësin ? Kjo tragjedi kërkon një “Nuremberg” që të bëhet shembull për cilindo që guxon të luajë me ligjin dhe jetën e qytetarëve, ndryshe nuk kemi bërë asgjë .
Një person është arrestuar pasi ka tentuar që të përfitojë para në emër të kryeministrit duke hapur një faqe në “Facebook” me emrin “rilindje”.
Ai ka postuar në emër të kryeminitrit dy llogari bankare në këtë faqe dhe shumë shtetas kanë hedhur para në këto llogari.
Ai është Arjan Neli 30 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Policia njofton se i vetmi kanal zyrtar i shtetit ku mund të kontriboni është E-Albania.
Deklaratë për shtyp e Zv/drejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në dhënien ndihmë të çdo qytetari në nevojë.
Krahas kësaj, Policia e Shtetit është duke punuar intensivisht për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e të gjithë personave, që me qëllim apo me papërgjegjshmëri po tentojnë të përfitojnë nga situata e krijuar.
Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara kundër krimit kibernetik, në bashkëpunim me strukturat kundër krimit ekonomik dhe financiar gjatë ditës së sotme ka evidentuar dhe goditur një rast flagrant të përfitimit nëpërmjet solidaritetit mbarëpopullor për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.
Në këto momente, në Lezhë, është arrestuar në flagrancë shtetasi Arjan Meli, 30 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Ky shtetas, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka hapur një llogari me emrin “Rilindje”.
Në këtë faqe, ky shtetas, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status.
Theksojmë faktin se numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie.
Policia e Shtetit dënon çdo fenomen abuzimi në këto momente kritike për të gjithë dhe ju informon se nëpërmjet strukturave të specializuara të saj, si dhe në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese është duke punuar intensivisht për kontrollin, monitorimin e vazhdueshëm të situatës, zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore.
Ashtu siç është bërë e ditur vazhdimisht nga strukturat shtetërore, i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro.
Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112.
Durrësi mardhte mbrëmjen e së enjtes. Jo nga era e ftohtë dhe e shpejtë, as nga shiu që i lagte shpinën, barkun, këmbët dhe sytë qytetit të lashtë, por nga braktisja.
Pas luftës me Bajlozin e Zi, ashtu rreckosur, sakatuar, plagosur deri në palcë, pa shkëlqim dhe hijeshi, Durrësi është strukur nën vete, pa bijtë e tij, i lënë në qoshkë të vajtojë i vetëm.
Tek eci me makinë nëpër Vollgë, aty ku në pikun e sezonit turistik nuk ke vend të hedhësh as një kokërr mollë, ndjen frikë vetmie.
Të ngjan sikur i je futur në bark një qyteti të basdisur dhe të hedhur në plehra. Ndjen ftohtë dhe trishtim të thellë.
Ndjen sikur je në mes të një shkretëtire të stisur. Nis të fryjë, e mandej fryn më shumë e nis një shi i shtruar. Godinat rreth e rrotull Vollgës nuk janë dëmtuar nga tërmeti i së martës, por këto pasdite gjithkush e gjithçka i tutet qytetit të drobitur.
Asnjë hap njeriu në rrugë, makina të pakta që rrëshqasin shpejtë në asfalt dhe pas të lënë ndjesinë sikur edhe ato janë n’arrati.
Gjithçka nën qepena apo nën xhama të trashë hermetikë. Çdo gjë ka ndalur në këtë pjesë të qytetit.
Çdo aktivitet është i mbyllur. Asnjë kafene çelur, teksa ora shënon vetëm 18:00.
Edhe në pallatet e banimit aty pari e pak më tutje asnjë shenjë jete. Tek-tuk, në çdo pallat mund të shquash përmes dritës së ndezur, literalisht vetëm një familje në çdo pallat prezente në shtëpinë e saj.
Durrësin e kanë lënë. Nuk e kisha provuar ndonjëherë ndjesinë e të veshurit të braktisjes së një qyteti e të pashpresës.
Me siguri ata që janë larguar, Bajlozi i Zi u ka ngjallur krupën dhe janë detyruar të lënë një shesh beteje të humbur, për një luftë që nuk e zgjodhën, nuk e deshën, nuk e bënë, thjesht i përfshinë.
Sa i akullt m’u ndje Durrësi. Ishte si një kukull porcelani që mund të të rrëshkiste në çdo çast nga duart dhe të të bëhej copë edhe çikë.
Dola nga makina për një çast dhe ndjesia e braktisjes mu qas edhe më thellë e mu kujtuan vargjet e Bilal Xhaferrit;
Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
atdheu është varr i hapur, është varr.
atdheu yt i vogli , i vogli
ai hyjnori i pavdekshmi si loti
Hyra në makinë e mbushur plot trishtim dhe keqardhje. I thashë shoferit ti drejtoheshim ekstremit tjetër të qytetit; aty ku luftohet me mbijetesën dhe ngritjen e një shprese se do të ketë me të vërtetë një nesër, të mirë.
Jemi në stadiumin e qytetit, ku shquaj pako çadra. Muzgu ka rënë dhe në bordurat e stadiumit dhe familje të strukura pas njëri-tjetrit nga i ftohti dhe mjerimi shpirtëror që i ka pllakosur.
Fëmijë që përpiqen të luajnë, syreshë të tjerë që kërkojnë të hanë.
Rroba përtokë, disa të tjerë brenda në çadër e të tjerë mandej jashtë tyre duke dhënë e marrë me njëri-tjetrin.
Jashtë një çadre ku po qëndrojnë këtë natë një çift të moshuarish shoh dy infermiere me një kuti kartoni me ilaçe përpara.
Tek i pyes më shpjegiojnë se ilaçet kanë ardhur si ndihma, “ne po i shohim që janë të vlefshme dhe përse e mandej do ti dorëzojmë. Kështu na kanë urdhëruar”- thonë ato.
I pyes sërish nëse mund të jetë një zgjidhje me ditë kjo e çadrave në këtë mot të pafavorshëm, ato më thanë se vetë nuk do të rrinin kurrë në këto kushte.
Brenda në çadër ndodhet një çift të moshuarish mbi të 75-at. Ata janë Petrit dhe Zenepe Kerri. Shtëpia e tyre është klasifikuar si e pabanueshme dhe ata tashmë me një torbë me rroba në krahë, një natë e kanë kaluar tek njëra vajzë, një natë tek vajza tjetër, të cilat në kushte ngushtësie për hapësirë sipas çiftit Kerri, janë detyruar ti lënë prindërit që këtë natë të flenë në një nga tendat në stadiumin e qytetit.
Tenda është aq e hollë, sa shiu që nisi të bjerë hynte brenda. Gjysh Petriti qëndronte i ulur mbi krevatin tek dhe në tokë në të djathtë të tij qëndronte një dyshek tek që me siguri do të jetë bërë ujë nga shiu.
Lajmi i mirë është që gjyshërit Kerri sot nisen për në Itali tek fëmija tjetër. Po sikur të ishin të detyruar të qëndronin në Durrës?!…
Mandej shoh njerëz të grumbulluar tek një kamion që ka ardhur nga Kosova. Njëri prej djemve më thotë se sot kanë ardhur 4 kamionë me ushqime e veshmbathje nga Kosova.
“Ne jemi grupi “Çunat e Kerrit”, vullnetarë nga gjithë qytetet e Kosovës. Kemi ardhur të ndihmojmë, por nuk na lënë të shpërndajmë ndihmat tek njerëzit. Na thonë se duhet t’i dorëzojmë tek gjimnazi përballë”- më thotë njëri prej djemve të cilët ndiqen nga një grumbull njerëzish që fati i detyroi ta kalonin natën e netët në vazhdim me sa duket në qiell të hapur dhe duart e zgjatura për të lypur ushqim.
Dikush më thotë se kanë hequr shumicën e çadrave për shkak të shiut dhe iu premtuan se do t’i shpinin në hotel, por “ndihemi të mashtruar dhe të braktisur në mëshirë të fatit. Pa ngrënë, pa batanije. Si do ta kalojmë natën në shi? Nuk po na japin për të ngrënë. Aty ka ndihma plot, ku po i çojnë”?
Pyeta një polic të ri me uniform se pse të prekurit nga tërmeti që janë në stadium nuk po marrin ushqime dhe batanije të cilat kanë mbërritur si ndihma.
“Na kanë urdhëruar të mos i shpërndajmë, por ti çojmë tek shkolla”- më thotë.
Një tjetër polic, por civil, i cili nuk do të prononcohet për shkak të detyrës, më thotë se po abuzohet me ndihmat. Njerëzit janë të urritur, kanë nevojë për ushqim, ilaçe, veshmbathje. Ai më tërheq nga xhupi dhe më drejton kah gjimnazit “Leonik Tomeo”.
“Aty hyr dhe kupto çfarë po ndodh”-më thotë.
Pasi kalon derën e hekurit të shkollës, në oborr ka autobusë, kamionë, furgona, makina, punonjës bashkie me jelek fosforeshent.
Mandej sapo hyn në hyrjen ballore të shkollës, në katin e parë ndjehet aromë ushqimi. Është kuzhina lëvizëse me ushqim të freskët që vjen nga Kosova.
Aty pari djemë, vajza, burra, gra po sistemonin ndihmat e ardhura nga të gjitha vendet e shqiptarisë; Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Malishëve, etj.
Edhe vullnetarët e Kryqit të Kuq më tutje po paketojnë qeset me ushqime për ti shpërndarë në momentin që do tu jepet urdhër.
Pyes këdo për të kuptuar se kush është pritësi zyrtar nga ana shqiptare dhe kush i menaxhon dhe koordinon ndihmat, por askush nuk e di.
Edhe zotëria që ka ardhur nga Malisheva, po kërkon të njëjtin person me mua, por asnjë përgjigjje.
Febi Krasnici nga Peja që përfaqëson një shoqatë mjedisore më thotë: “Ne kemi ardhur për të ndihmuar motrat dhe vëllezërit tanë me lotë në sy, por ju lutem, mos abuzoni me ndihmat. Duhet të shkojnë aty ku duhet. Po abuzohet”.
Brenda shkollës, tek sistemohen ndihmat dhe gatuhet, ka një frymë të jashtëzakonshme solidariteti. Këdo shqiptar Kosove, Maqedonie që intervistoj, flet me lotë në sy për tragjedinë e tërmetit të së martës. Ata janë të gatshëm të qëndrojnë aty deri sa situata të marrë udhë për tu qetësuar.
Jashtë kangjellave të shkollës zvarriten të mjerët; të tronditur nga tërmeti, pa banesë, pa ushqim, në pritje për një vendstrehim dhe ushqime.
Dikush thotë se ka marrë veç një panine, dikush tjetër thotë se nuk ka ngrënë, ka uri, të tjerë kanë nevojë për tu mbuluar se ndjejnë ftohtë dhe bie shi, një nënë ka nevojë për ilaçe për fëmijën e sëmurë.
Edhe ti fantazosh disa histori, nuk arrin dot ti thurrësh sa këto histori të vërteta që rëndojnë mbi supet e atyre që nuk dorëzohen megjithë qametin që u ka rënë…
Nga stadium shkuam tek rrënojat e Lalajve. Masa e njerëzve qe tkurrur se dera e mortit ishte çelur brenda pas gjetjes së disa prej trupave të viktimave të familjes nën rrënojat e vilës. Zona ishte pastruar nga zjarrfikësit dhe në atë moment ata nisën të gërmojnë me skavator.
Në atë moment mungonte edhe një trup dhe nga biseda mes një zjarrfikësi Italian dhe një burri tjetër dëgjova se nuk kishin arritur të dedektonin një vend për të kërkuar trupin e fundit, prandaj po gërmonin.
Por trupi i Ilir Lalës u gjet pak orë më vonë.
Kështu e lashë edhe mbrëmë Durrësin; një pjesë të braktisur në vetmi, një pjesë në mort…
Të mbijetuarit e tërmetit të së martës në Shqipëri përballen me një tjetër dramë pas tmerrit që kaluan. Një pjesë e tyre, nuk kanë më se ku të fusin kokën.
Rreth 2500 vetë janë shpërngulur nga tërmeti, thotë radio publike amerikane, NRG; me qindra njerëz janë duke fjtetur nëpër tenda ose makina, ndërsa mjaft të tjerë janë mbledhur brenda stadiumit të futbollit në Durrës.
Ka dhe persona që po i kalojnë netët në hotele kryesisht në Tiranë. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që goditi vendin që nga viti 1979. Në një vend që ka GDP-në më të ulët për kokë në Europë, thotë NRG, duke cituar Fondin Monetar Ndërkombëtar, kjo situatë ka për të qenë mjaft e vështirë për të mbijetuarit.
“Tërmeti na la pa strehë”, tha një prej tyre nga Thumana për Associated Press. “Çdo gjë që kishim u shkatërrua, dhe nuk kemi se ku të shkojmë”. Ky ishte tërmeti i dytë i madh në tre muajt e fundit që goditi Shqipërinë, kujton radioja. Në shtator, një tërmet me madhësi 5.6 goditi rajonin qendror të vendit afër Tiranës, megjithëse askush nuk u vra. Dhjetra u plagosën atëherë e pati dëme materiale.
Nga tërmeti i 26 nëntorit u shua familja Reçi me origjinë nga Mirdita. Mesditen e djeshme iu dha lamtumira e fundit katër pjesëtarëved të familjes që humbën jetën nën rrënoja në Durrës.
Eduard Reçi, 54 vjeç, bashkëshortja e tij, Dolora Reçi, 49 vjeç, si dhe dy fëmijët Kristi Reçi, 25 vjeç dhe Kalus Reçi, 21 vjeç, nuk mbijetuan dot në rrënoja.
Këngëtarja e njohur, Evi Reçi, ka bërë një shënim mjaft prekës në rrjetet socia
le ku tregon se ata ishin familjarët e saj, xhaxhai me familjen. Por tragjedia nuk mbaron me kaq, pasi Evi ka humbur dhe shoqen e saj të fëmijërisë, Diena, e cila ndërroi jetë bashkë me vajzën e vogël Esielën, 8 vjeçe.
“Te pranosh te papranueshmen. Me ndodhi dhe mua. I ndodh kujtdo.
Sa e cuditshme! Ne momente te veshtira dhe te dhimbshme, te rikthehen ne mendje kujtimet me te bukura… Ashtu mu kujtua dhe Kristi im, qe kercenim dhe kendonim bashke, ashtu dhe Klausi qe qante qe se merrnim me vete se ishte i vogli e ne te “medhenjt”, ashtu dhe Axha Edi qe humori verior ishte ne cdo fjalen e tij, ashtu dhe Dolora qe dedikoi jeten per familjen e saj.
Po ashtu me rikthehu kujtimet dhe Diena, shoqja ime e femijerise… dilnim, benim thashetheme, ndanim sekretet. Sic ishte ne fillim dhe ‘sekreti’ per dashurine tende, per Dorin qe me pas te pikturoi jeten me portretin e Esieles e vogel qe tu be motivi i jetes. Ishit te gjithe bashke.
Nje pse e madhe, nje boshllek i madh, nga nje termet i madh. Zemren e kam plage! Nje faleminderit per te gjithe ju qe me keni shkruar dhe me keni qendruar afer cdo moment me dashurine dhe dashamiresine tuaj. Zoti ju bekofte ”, shkruan këngëtarja krahas fotove që ka publikuar në “Instagram”.