Ballina Aktualitet Kosovë Jep dorëheqje shefi i AKI-së, Driton Gashi

Jep dorëheqje shefi i AKI-së, Driton Gashi

Shefi i AKI-së, Driton Gashi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, një javë pasi kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i kërkoi lirimin e pozitës, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq pa dijeninë e krerëve shtetërorë.

Këtë e ka konfirmuar për klankosova.tv, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.

”Zyra e Kryeministrit e ka pranuar zyrtarisht dorëheqjen e tij” ka thënë ajo, njofton Klan Kosova.

Më 29 mars, me urgjencë të pashpjegueshme ishin arrestuar dhe deportuar gjashtë shtetas turq të akuzuar se janë pjesëtarë të organizatës FETO të Fetullah Gylenit. Ky operacion u tha se ka ndodhur pa dijeninë e kryeministrit, presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, tre drejtuesve shtetërorë.

Përveç Gashit, dorëheqje si pasojë e këtij rasti ka dhënë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, të cilit i kërkoi lirimin e pozitës kryeministri Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.

@tn.lajmelokale
@tetovanews