Ballina Bota Putin: Egoizmi dhe jotoleranca kërcënojnë paqen

Putin: Egoizmi dhe jotoleranca kërcënojnë paqen

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kritikoi tërthorazi Shtetet e Bashkuara në një fjalim në Sheshin e Kuq, me rastin e 73-vjetorit të mposhtjes së Gjermanisë naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Lufta është gjithmonë një sfidë për vetë jetën, për të gjitha të mirat e saj. Ne i kujtojmë tragjeditë e dy luftërave botërore, mësimet e historisë – ato nuk na lejojnë të mbyllim sytë”, tha Putin pas një minute heshtje në nderim të veteranëve të luftës.

“Pas kërcënimeve të reja qëndrojnë të njëjtat tipare të shëmtuara: egoizmi dhe jotoleranca, nacionalizmi agresiv dhe pretendimet ndaj jashtëzakonshmërisë”, tha presidenti rus.

Lidhjet midis Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar viteve të fundit dhe autoritetet ruse kanë kritikuar vazhdimisht zyrtarët amerikanë, duke thënë se ata flasin për “jashtëzakonshmërinë” amerikane dhe se synojnë të dominojnë botën.

Duke paralajmëruar se “paqja është shumë e brishtë”, Putin tha se “Rusia është e hapur për dialog për të gjitha çështjet e sigurisë globale dhe është gati për partneritet konstruktiv dhe të barabartë në emër të pajtimit, qetësisë dhe përparimit në planet”.

Qeveritë perëndimore thonë se ato do të mirëprisnin një bashkëpunim të tillë, porse Rusia është duke vepruar në mënyrë agresive në skenën botërore në vitet e fundit.

Në kujtim të fitores së aleatëve kundër Gjermanisë naziste, në Moskë u mbajt sot edhe një paradë e madhe ushtarake./am/

@tn.lajmelokale
@tetovanews