Ballina Bota Samiti i G7-ës, SHBA-të: U tradhtuam nga Kanadaja!

Samiti i G7-ës, SHBA-të: U tradhtuam nga Kanadaja!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se ka dhënë udhëzime që zyrtarët amerikanë të mos e nënshkruajnë deklaratën e përbashkët të shtatë udhëheqësve që morën pjesë në takimin dyditor të G7-ës në Kanada. Ai përmendi deklaratat e bëra pas largimit të tij, nga Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau.

“Shumë i pasinqertë dhe i dobët”, shkruajti Presidenti Trump në Twitter, si reagim ndaj deklaratës së zotit Trudeau se tarifat e reja amerikane për aluminin dhe çelikun janë “ofenduese”.

Presidenti Trump shkruajti më tej se “bazuar në deklaratat false të Justinit gjatë konferencës së tij për shtyp, dhe për faktin se Kanadaja ka imponuar tarifa të mëdha ndaj produkteve të fermerëve, punëtorëve dhe kompanive amerikane, unë kam udhëzuar përfaqësuesit amerikanë të mos e mbështesin deklaratën e përbashkët, ndërkohë që do të shqyrtojmë edhe tarifat ndaj automobilëve që kanë vërshuar drejt tregut amerikan”.

Ndërkohë ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë, e cila ka akuzuar kryeministrin kanadez: “Justin Trudeau ka goditur pas shpine SHBA-të. Deklarata e ashpër vjen nga Larry Kudlow, këshilltar ekonomik i Shtëpisë së Bardhë. Duke komentuar vendimin e Trumpit për të tërhequr mbështetjen në komunikatën finale të G7, Kudlow ka folur për “tradhti” nga ana e kryeministri kanadez.

Si reagim ndaj vendimit të Presidentit Trump për t’u tërhequr nga deklarata e përbashkët, zyra e Presidentit francez Emmanuel Macron u shpreh nëpërmjet një deklarate se “bashkëpunimi ndërkombëtar nuk mund të ndikohet nga shpërthime inati dhe batuta” dhe se veprimi i Presidentit Trump është tregues “inkoherence dhe mungese të konsistencës”.

Në një deklaratë të zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, thuhet se “Gjermania i qëndron deklaratës së përbashkët për të cilën ishte rënë dakort paraprakisht”.

Kryeministri Trudeau e mbylli dje takimin e G7-ës në Kanada duke mos ndryshuar pikëpamjet e tij kundër Presidentit Donald Trump, në veçanti për sa i përket tarifave të reja për çelikun dhe aluminin, për të cilat janë irrituar Kanadaja dhe Bashkimi Evropian. Në fjalimin e tij përmbyllës, zoti Trudeau u shpreh se Kanadaja do të vazhdojë me planin e vendosjes së tarifave ndaj mallrave amerikane, madje që nga data 1 korrik.

@tn.lajmelokale
@tetovanews