Ballina Bota Clinton: Putin e manipuloi Trump-in, Rusia do ndërhyjë sërish në zgjedhje

Clinton: Putin e manipuloi Trump-in, Rusia do ndërhyjë sërish në zgjedhje

Në grupin e shumë personave me peshë në SHBA, si republikanë, të pavarur dhe demokratë, që kanë kritikuar performancën e Presidentit Donald Trump në samitin e Helsinkit me Vladimir Putin, është përfshirë edhe rivalja e tij në zgjedhjet e 2016-ës, Hillary Clinton.

Pas një heshtje të gjatë, Clinton thotë se Trump ka dështuar për t’i kërkuar llogari Putinit lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe kjo është “thellësisht shqetësuese”, teksa mbetet “mister” se për çfarë ata biseduan.

Duke folur në OzyFest – një festival bisedimesh dhe muzike – në Central Park të Nju Jorkut të shtunën, Klinton tha gjithashtu se agjentët rusë po synojnë ndërhyrjen në zgjedhjet afatmesme të nëntorit në një përpjekje të ripërtëritur për të prishur demokracinë amerikane dhe mund të sulmojnë këtë herë infrastrukturën zgjedhore si ”serverat” që tregojnë rezultatet apo edhe kompjuterët e votimit.

“Ata ende janë duke kërkuar mënyra për të vjedhur informacion rreth regjistrimit të votuesve. Ka disa ekspertë të teknologjisë në Silicon Valley të cilët i kam takuar, që thonë se ndoshta ajo që do të bëjnë tani është që vërtet të prishin zgjedhjet aktuale. Ne jemi ende shumë të prekshëm. Dhe ne nuk kemi udhëheqje nga administrata”, theksoi ish-kandidatja për Presidente.

Në Central Park, ajo përmendi shkallën e ndërhyrjes së Rusisë siç përshkruhet në aktakuzat e fundit të 12 oficerëve të inteligjencës ruse nga këshilltari special Robert Mueller.

“Ishte një sulm shumë i gjerë dhe shumë i suksesshëm në sistemin tonë zgjedhor”, tha ajo. “Sulmi shkon në zemër të demokracisë sonë. Misteri i madh është pse presidenti nuk ka folur për vendin tonë”.

Duke i quajtur sulmet “me të vërtetë shqetësuese dhe alarmante”, ajo tha: “Ato prekin çdo amerikan”.

Clinton bëri thirrje gjithashtu për qartësi në atë që u tha në takimin dy-orësh midis Trump dhe Putin, që i parapriu konferencës së tyre të përbashkët për shtyp në Helsinki.

“Ne nuk e dimë atë që u tha mes tyre”, tha ajo.

“Putin po i tregon botës atë që u tha, por dëgjojmë heshtje nga Shtëpia e Bardhë. Ideja se ne nuk jemi të sigurt se cilat janë pretendimet e presidentit tonë është thellësisht shqetësuese”, theksoi Clinton.

Clinton u pyet edhe pse Trump nuk u përball me Putin lidhur me “Russiagate” dhe ajo u përgjigj duke thënë se “Vladimir Putin ka një strategji shumë më të qartë” sesa Trump.

“Ai është mjaft i aftë të lexojë njerëzit … në manipulimin e njerëzve. Trump dëshiron të jetë mik me të për arsye që ne jemi ende duke u përpjekur për t’i mësuar”, nënvizoi ajo.

Clinton pretendoi gjithashtu se Putin “dëshiron të shkatërrojë NATO-n dhe Bashkimin Evropian”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews