Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi sot se Serbia nuk do të hyjë ‘’automatikisht’’ në Bashkimin Europian në vitin 2025, datë e përcaktuar për anëtarësimin e saj, dhe se ajo duhet të përmbushë paraprakisht një sërë angazhimesh.
‘’Nuk mendoj se kjo duhet parë si një datë fikse’’, u shpreh ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun serb, Aleksandër Vuçiç në Elize.‘’Nëse ajo nuk realizon detyrimet e përcaktuara në programin e negociatave deri në vitin 2025, Serbia nuk ka asnjë mundësi për të hyrë në Bashkimin Europian’’, theksoi ai.
‘’Nuk bëhet fjalë për të përcaktuar një datë fikse, konkretisht vitin 2025 , për t’u bërë detyrimisht pjesë e BE-së’’, shtoi presidenti francez, i cili do të vizitojë Serbinë në vitin 2018.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker përmendi në nëntorin e shkuar një datë (vitin 2025) për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, shtetet që kanë shënuar më tepër progrese në negociata.
‘’Ne duhet të kuptojmë një gjë. Ne nuk mund të anëtarësohemi përpara se të normalizojmë marrëdhëniet me Prishtinën, përpara se të reformojmë sistemin tonë gjyqësor, para se të zgjidhim çështjet në lidhje me forcimin e shtetit të së drejtës dhe gjithë problemet e tjera. A do t’ia dalim mbanë ? Do të luftoj për t’ia arritur’’, u përgjigjur Aleksandër Vuçiç.
‘’Presidenti serb përgëzoi gjithashtu Francën për fitoren e saj përballë Kroacisë në finalen e Kupës së Botës në futboll. Vlen për t’u theksuar se Serbia, populli serb ndan me ju gëzimin e kësaj fitore të madhe’’, u shpreh ai në gjuhën frënge.
BE-ja kërkon marrëdhënie të normalizuara mes Serbisë dhe Kosovës, të cilët aspirojnë të bëhen anëtare të saj, përcjell Atsh.
Presidenti francez theksoi gjithashtu nevojën e reformimit të BE-së përpara zgjerimit të saj. Nuk i shërbejmë asnjë personi duke gjykuar se BE-ja, e cila nuk funksionon siç duhet, ka tendencë të zgjerohet vazhdimisht pa ndryshuar asgjë në rregullat e saj, përfundoi Macron.