Ballina Bota Ura lidhëse Rusi-Krime, BE iu ngrin asetet 6 firmave ruse

Ura lidhëse Rusi-Krime, BE iu ngrin asetet 6 firmave ruse

Bashkimi Europian ka vendosur t’u ngrijë asetetet 6 firmave ruse, për shkak të përfshirjes së tyre në ndërtimin e një rruge të re dhe një ure gjigante që lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar nga Ukraina, Krimenë, lëvizje të cilën blloku e konsideron të paligjshme.

Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, gjatë trazirave që kulmuan me rrëzimin e presidentit prorus Yanukovich. Perëndimi e dënoi lëvizjen asokohe si të paligjshme dhe prej atëherë ka vendosur një sërë sanksionesh kundrejt Moskës.

Ura me një kosto prej 3.6 miliardë dollarësh, që kalon në ngushticën Kerch, një pjesë e së cilës u përurua nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë muajit maj, ka nxitur kritika të ashpra nga Bashkimi Europian, që thotë se kjo përbën një shkelje të mëtejshme të sovranitetit të Ukrainës.

Mes 6 kompanive të cituara në një deklaratë të kësaj të marte nga Këshilli i Bashkimit Europian janë edhe firmat e ndërtimit “PJSC Mostotrest” dhe “CJSC VAD”.

“Asetet e këtyre firmave në BE janë ngrirë, ndërsa shtetas apo entitete europiane nuk do të mund t’i bëjnë këto fonde të disponueshme për ta”, thuhet në deklaratën e Këshillit Europian.

“Përmes veprimeve të tyre, ata kanë mbështetur konsolidimin e kontrollit të Rusisë mbi gadishullin e aneksuar paligjshmërisht të Krimesë, gjë që minon edhe më tej integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, thekson ndër të tjera Këshilli i BE-së.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin i mirëpriti sanksionet e reja. “E rëndësishme është gjithashtu të paralajmërohen bizneset europiane të mos bien gjithashtu në të njëjtin nivel”, shkroi Klimkin në “Twitter”.

Mes kompanive të tjera të shënjestruara janë firma inxhinierike “GPSM”, “Zaliv Shipyard” dhe grupet e ndërtimit “SGM” dhe “Stroygazmontazh Most OOO”./Tch/

@tn.lajmelokale
@tetovanews