Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi në Paris presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Përmes një postimi në Twitter, Thaçi tha se takimi me Putinin u përqendrua në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme.
“Për këtë çështje, Putin ishte i qartë: Nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë”, tha Thaçi në Twitter.
In #Paris, I met President @PutinRF_Eng, focusing on dialogue for the normalization of relations btwn Kosovo & Serbia for comprehensive, binding agreement. On this topic, President Putin was clear: “If you (#Kosovo & #Serbia) achieve a peaceful agreement, Russia will support it”. pic.twitter.com/TAXILAXutD
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) November 12, 2018
Në Paris, Thaçi dhe Putin, ashtu si dhe dhjetëra liderë botërorë, morën pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Thaçi po udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme është synim i të dyja palëve, ashtu si dhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian.
Rusia është anuar vazhdimisht kah Serbia në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.