Ballina Sport Anton Qafarena, shqiptari në majat e volejbollit europian (FOTO)

Anton Qafarena, shqiptari në majat e volejbollit europian (FOTO)

Nga Ardit Hoxha

Nuk është në ditët e tij më të mira, por volejbolli shqiptar ka shpresë. Quhet Anton Qafarena, vetëm 21 vjeç dhe nga shumë specialistë të këtij sporti, konsiderohet si njeriu që mban lart flamurin e volejbollit shqiptar. Shkodran, nga ata tipikët, që sapo e kontaktoj për intervistën, nuk ngurron asnjë sekondë të më tregojë historinë e tij. Qafarena tashmë bëhet gati të pushtojë edhe Bundesligën gjermane të volejbollit.

Anton Qafarena fillimet e tij me sportin e volejbollit i ka në qytetin e lindjes me ekipin e Vllaznisë. E në fakt nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, pasi volejbolli është i ngjizur në gjakun e familjes së tij dhe shembulli në këtë sport për Antonin është pikërisht vëllai i tij më i madh, Nikolini. Kur flet për të vëllain, Antoni është shumë i emocionuar dhe kuptohet fare lehtë që për të, ai është idhull edhe pse në arritjet sportive mund të ketë ecur më shumë.

“Unë që i vogël shkoja në pallatin e sportit bashkë me babanë t’i ndiqja ndeshjet e vëllait qëkur ai luante me ekipin e të rinjve e më pas me ekipin e të rriturve të Vllaznisë dhe aty ishte shkëndija e parë ku unë fillova ta pëlqeja këtë sport. Njeriu që më ka bërë ta njoh volejbollin, ta mësoja çfarëështë volejbolli dhe shtysa më e madhe për ta filluar këtë sport është vëllai im, Nikolini, i cili po ashtu luan me Vllazninë. Ai ka qenë përkrahësi më i madh i imi në këtë rrugë që kam nisur dhe po bëj. Ai ishte personi që më mori pas vetes që në moshën 14-vjeçare dhe sot jam këtu sepse ai ishte shtysa ime kryesore pa përjashtuar dhe familjen dhe të gjithë pjesëtaret e ekipit të Vllaznisë që më kanë përkrahur.”- tregon Antoni.

Si në çdo sport në Shqipëri, por më veçanërisht me volejbollin, fillimet janë shumë të vështirë dhe duhen shumë sakrifica për t’ia dalë. Edhe historia e Antonit nuk bën përjashtim në këtë drejtim, por familja e tij ka luajtur një rol shumë të fortë.

“Normal, fillimi ka qenë pak i vështirë pasi çdo prind kërkon më të mirën për fëmijën e tij dhe sporti nëShqipëri nuk shihet si opsioni ose rruga që mund të sigurosh një të ardhme. Ishte e vështirë dhe për prindërit e mi pasi primare ishte shkolla, por edhe për mua pasi duhej te privohesha nga shumë gjëra që në moshë të vogël dhe të përshtatesha me një ambient tjetër të ri.”

Por, përveç fillimit një tjetër moment shumë i vështirë për Antonin ishte edhe kalimi i tij në Bundesligën gjermane të volejbollit, me ekipin e Bisons Buhl. Kalimi nga një kampionat i nivelit shqiptar në një nga ligat më të forta të volejbollit evropian, nuk ishte një sfidë e lehtë për t’u kaluar nga Antoni, por ai më tregon që me shumë punë dhe pasion mbi të gjitha ka ditur t’ia dalë mbanë. “Normal të kalosh nga kampionati shqiptar në një ligë profesioniste nuk është e lehtë dhe këtëekuptonnga orët e punës që bën, regjimin që duhet të mbash etj. Por pavarësisht të gjithave mendoj se nuk m’u deshën shumë kohë që të përshtatesha pasi dhe punën që kam bërë me skuadrën e Vllaznisë dhe po ashtu me stërvitjen individuale me ka ndihmuar mjaft.”

Mosha e re, talenti, përkushtimi dhe pasioni i madh, kanë bërë që shumë shpesh Anton Qafarena të konsiderohet si shpresa e volejbollit shqiptar. Por, për të kjo gjë është një vlerësim që ia shton akoma dhe shumë përgjegjësitë për të mos dështuar dhe të arrijë sa më lartë. “Fakti që më konsiderojnë si shpresa e volejbollit shqiptar peshon shumë pasi të gjithë i kanë sytë tek ty dhe presin nga ty, nuk të tolerohet asnjë gabim, nuk duhet të besh hapa fals ndaj puna bëhet sa e vështirë dhe po aq e bukur pasi është një sfidë me vetveten.”

Në ekipin kombëtar të Shqipërisë bashkë me Gazmend Husaj janë dy lojtarët më të dalluar tek të cilët, trajneri Jani Melka mund të mbështet gjithmonë pavarësisht kundërshtarit. Por fakti që luan në një kampionat të huaj dhe mund shihet si “ylli i ekipit” nuk ndikon aspak te Antoni, ai vijon të jetë i thjeshtë dhe të ketë të njëjtin raport me shokët e ekipit kuqezi, me të cilët ka luajtur ose është përballur kur ishte në Shqipëri. “Me shokët e kombëtares njihemi prej kohësh me disa më shumë e me disa më pak. Me disa prej tyre kam luajtur më përpara dhe nuk është diçka e re për mua, jam ndjerë mjaft mirë dhe i gatshëm për të dhënë maksimumin në të gjitha ndeshjet me kombëtaren.”

Ndërsa për kapiteni Husaj nuk i kursen lëvdatat dhe respektin maksimal jo vetëm për moshën, por edhe për rolin që ai ka luajtur në karrierën e tij me këshillat dhe inkurajimin e vazhdueshëm. “Husaj është një shembull që duhet ta ndjekintë gjithë të rinjtë shqiptarë. Ai sot ka prekur majat e volejbollit, kur isha i vogël dëgjoja shumë për të dhe asnjëherë nuk e mendoja se do vinte dita të luaj përkrah tij.”

Ndërsa kur e pyes për objektivat, këto flet shumë qartë. Për të volejbolli tashmë është një mision dhe ai dëshiron t’i shkojë deri në fund. “Objektivi im normal është të arrij në nivelet më të larta të volejbollit dhe kjo normal për të arritur deri atje duhet shumë shumë punë dhe përkushtim. Nuk duhet të ndihesh asnjëherë i lodhur ose i ngopur. Mendoj se jam në rrugën e duhur dhe me ndihmën e Zotit do t’i shkoj deri në fund këtij misioni sa i vështirë aq edhe i bukur.”/gazeta si/

Artikulli paraprakNgrohja globale, përqindje e madhe e shkrirjes së akullnajave në Antarktikë
Artikulli tjetërSHBA, dakord edhe me shkëmbimin e kufijve, por jo me çdo marrëveshje Serbi-Kosovë